BE - Rusi - Debat për gazsjellësin jugor
17 Dhjetor 2013Marrëveshjet mes koncernit energjitik rus, Gazprom dhe shtatë vendeve europiane ishin nënshkruar, kur Komisioni Europian tërhoqi frenat: Marrëveshjet shkelin rregullat e BE-së, sepse një firmë nuk mund të jetë njëherazi pronarja e një gazsjellësi dhe monopoliste e transportit të gazit. Në janar, eurokomisioneri europian për energjitikën, Günther Oettinger do të udhëtojë drejt Moskës, për të negociuar me përfaqësues të Kremlinit në emër të gjashtë vendeve anëtare, Hungarisë, Bullgarisë, Kroacisë, Sllovenisë, Austrisë dhe Greqisë, si edhe të vendit kandidat të BE-së, Serbisë. Në jugun e Rusisë, në Bullgari dhe Serbi janë vendosur ndërkohë tubacionet e para të gazsjellësit jugor, të njohur si "South Stream Pipeline". Që në fund të vitit 2015 pritet që gazi rus të kalojë përmes Detit të Zi dhe të transportohet në BE përmes këtij gazsjellësi. Stacionet e fundit janë Austria dhe Hungaria, dega jugore në të ardhmen mund të përfshijë Greqinë dhe përmes Adriatikut të kalojë në Italinë e jugut.
"Konkurrencë jo e ndershme"
"Një gazsjellës duhet të funksionojë si një autostradë. Gjithsekush mund ta përdorë dhe të paguajë në bazë të tarifave në fuqi", deklaron zëdhënësja e komisionerit të BE-së për energjinë, Marlene Holzner. Por kjo nuk është parashikuar në kontratat ndërkombëtare, "sepse Gazpromi pretendon të ketë në dorë të gjitha kapacitetet", kritikon ajo në bisedë me Deutsche Welle-n.
Ndërsa Antonio Hurtado, drejtor i Institutit për Teknikën Energjitike në Universitetin e Drezdenit sqaron se kjo politikë, pra kur një koncern ka në dorë të gjitha frenat, është "kundër klientëve". "Është kuptuar ndërkohë që nuk është as e drejtë nga ana e konkurrueshmërisë, kur firmat janë zotëruese të të gjitha hallkave të zinxhirit të prodhimit", sqaron Hurtado. Pikërisht për këtë arsye menaxhimi i gazsjellësit jugor nuk duhet të jetë në duart e Gazpromit.
Por jo të gjithë e ndajnë këtë qëndrim. Rusia financon pjesën më të madhe të projektit me 16 miliardë euro, prandaj edhe duhet të përfitojë nga ky projekt, është e mendimit, gazetarja serbe Jelica Putnikoviq, kryeredaktore e gazetës "Balkan Magazin". "Kur dikush për shembull ndërton në Berlin një shtëpi, e vë në dispozicion ai një të tretën e hapësirës së banimit për të tjerët, pyet Putnikoviq. "Prandaj nuk shoh asnjë arsye që Brukseli të kërkojë nga Gazpromi që të ndajë kapacitetet e gazsjellësit me ofruesit e tjerë të gazit." Sipas saj reagimi i fortë i BE-së është i motivuar politikisht. Ashtu si për krizën në Ukrainë edhe projekti i gazsjellësit shërben "për një raund të ri matje forcash mes Brukselit dhe Moskës".
Edhe eksperti për Rusinë, Gerhard Mangott, politolog në Univesitetin e Insbrukut, vlerëson në mënyrë kritike qëndrimin e BE-së. "Pse erdhi ky vendim tani? Për mua ishte absurde që BE nuk i njihte plotësisht marrëveshjet ndërshtetërore." Ky gazsjellës do të rrisë sigurinë energjitike të BE-së. "Nuk bëhet fjalë për gaz shtesë, apo për varësi më të fortë nga Rusia, por për një gazsjellës të ri, me më pak defekte."
Propozime nga Brukseli
Pasi ende nuk është e qartë se si do të veprohet me projektin, bankat janë shumë të kujdesshme në dhënien e kredive. Një zgjidhje e mundshme në debatin për këtë çështje sipas KE-së është një Gazprom të sigurojë një menaxhim të pavarur të gazsjellësit. Marlene Holzner nga Komisioni Europian thotë se "në këtë rast, Gazpromi do të ishte pronar i gazsjellësit, por pa ndikim në biznesin e përditshëm." Moska mund të dërgojë zyrtarisht drejt Brukselit një përjashtim nga rregullorja, si në rastin e gaszjellësit verior. Por eksperti Mangott mendon se "Rusia nuk do t'i nënshtrohet një rregulloreje europiane, prandaj bazohet tek rregulloret ndërkombëtare. Sapo Gazprom të paraqesë një përjashtim nga rregullorja, gazsjellësi jugor varet pastaj nga Komisioni Europian."
Konkurrencë për TAP-in?
Akuza se Brukseli e pengon gasjellësin South Stream sepse ky i bën konkurrencë TAP-it, gazsjellësit transadriatik, kundërshtohet nga zëdhënësja e komisionerit, Marlene Holzner: "Për ne gazsjellësi jugor nuk përbën prioritet. Ai do të ishte një gazsjellës shtesë, që do të transportone gazin rus në Europë që ndryshe vjen përmes Ukrainës. " Sipas Holznerit, ky projekt nuk ka të njëjtën cilësi si gazsjellësi TAP, i cili mundëson burime të reja në Detin Kaspik.
Por TAP do të transportojë vetëm 10 miliardë metërkubikë drejt Europës, sipas parashikimeve, rreth gjashtë herë më shumë se South Stream. Përkrahësit dhe kritikët e pozicionimit të BE-së në grindjen për gazsjellësin jugor, janë të një mendimi në një pikë: Më shumë gazsjellës drejt Europës sjellin më shumë siguri në furnizimin energjitk dhe ndikojnë pozitivisht në konkurrencën e tregut. E humbur del vetëm Ukraina, për të ndërtimi i gazsjellësve të rinj do të thotë më pak gaz përmes saj. Deri më tani, më shumë se gjysma e gazit rus për në Europë, kalon përmes Ukrainës.