1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Tensione në veri të Kosovës, plagosen policë dhe qytetarë.

Bekim Shehu
13 Tetor 2021

Një aksion i policisë dhe i doganave të Kosovës kundër kontrabandës me mallra në veri të Kosovës rezultoi me policë dhe qytetarë të plagosur. BE-ja kërkon që ndalen menjëherë aktet e dhunshme.

https://p.dw.com/p/41dws
Kosovo Unruhen in Mitrovica
Fotografi: AP Photo/picture alliance

Aksioni i policisë së Kosovës dhe i doganës në veri të Kosovës u shoqërua edhe me arrestime, bllokada rrugësh dhe protesta nga banorët lokalë serbë. Sipas njoftimeve të policisë gjashtë punonjës të policisë pësuan plagosje trupore, dhjetë banorë të Mitrovicës së Veriut kërkuan ndihmë mjekësore, ndërkaq tetë persona janë arrestuar nga policia e disa të tjerë janë në kërkim.

Kosovo Unruhen in Mitrovica
Fotografi: Laura Hasani/REUTERS

Aksioni i sotëm i policisë së Kosovës kundër kontrabandës me mallra u zhvillua edhe në rajone tjera të Kosovës, në Prishtinë dhe Pejë, por në komunat veriore të banuara me shumicë serbe, hasi në rezistencën e banorëve lokalë.

Unruhen im Kosovo
Fotografi: Milica Andric/DW

"Në të gjitha rajonet e tjera operacioni policor ka kaluar pa probleme, kurse në Mitrovicën e Veriut grupe kriminale në mënyrë të organizuar janë grumbulluar, kanë krijuar bllokime të rrugëve me mjete të ndryshme transporti, kanë përdorur bombola gazi, shok bomba, të shtëna me armë zjarri e granata dore, me qëllim të pengimit dhe sulmit ndaj punonjësve të doganës dhe të policisë, të cilët kanë qenë në kryerje të detyrës ”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës. Policia është në kërkim edhe të disa personave të cilët thuhet se rrezikuan sigurinë e policisë dhe qytetarëve.

Kosovo Mitrovica | Sichergestellte Schmugglerware
Fotografi: Kosovo Police

"Policia e Kosovës në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë, është duke kryer hetime intensive drejt identifikimit edhe të personave të tjerë të dyshuar për përfshirje në kontrabandë me mallra, por edhe në aktet kriminale dhe sulmet me mjete të rrezikshme, armë zjarri të kryera ndaj zyrtarëve policorë dhe atyre doganorë sot gjatë operacionit”, thuhet në njoftim.

Mallra kontrabandë në vlerë prej qindra-mijëra euro

Policia tha po ashtu se gjatë këtij aksioni "u sekuestruan mallra dhe dëshmi të ndryshme të kontrabanduara në vlerë prej qindra-mijëra euro, të cilat shërbejnë si prova materiale, të cilat kanë qenë të vendosura në lokacione të ndryshme, lokale afariste, depo e lokacione tjera.

Kosovo Mitrovica | Sichergestellte Schmugglerware
Fotografi: Kosovo Police

Policia e Kosovës në Veri të Mitrovicës dhe Zvecan perdori gasin lotësjellës dhe mjete tjera për të shpërndarë turmën e serbëve që kundërshtonin operacionin.

Thirrje për ndalimin e incidenteve

Për zhvillimet e sotme në veri të Kosovës dhe tensionimit të situatës, reaguan kryeministrat të Kosovës dhe Serbisë por, edhe shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrel. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, shkroi në facebook, se "këto veprime policore janë paraprirë nga hetimet intensive dhe janë me urdhër e të bashkërenduara me prokuroritë dhe gjykatat kompetente. Janë sekuestruar mallra e dëshmi të tjera që paraqesin edhe prova materiale”, shkroi Kurti, duke paralajmëruar se "kontrabanda do të luftohet dhe parandalohet”.

Nga ana tjetër kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq, ftoi bashkësinë ndërkombëtare që të reagojë për aksionin kundër kontrabandës që Policia dhe Dogana e Kosovës po zhvillojnë në disa lokacione, përfshirë edhe komunat në veri të vendit. "I bëj thirrje bashkësisë ndërkombëtare, NATO-s dhe KFOR -it, që të reagojnë urgjentisht dhe të ndalin Albin Kurtin. Situata është më se dramatike dhe ky është momenti i fundit në të cilin është i nevojshëm një reagim i qartë për të ndaluar politikën e çmendur të ndjekur nga Prishtina. Kjo lloj sjelljeje ka tejkaluar çdo masë dhe na çon në prag të kaosit”, tha kryeministrja e Serbisë Ana Bërnabiq përmes një njoftimi për media.

Reagime nga BE-ja

Nuk vonoi shumë dhe erdhi reagimi i shefit të diplomacisë evropiane Josep Borrel, që kërkoi që incidentet e dhunshme në veri të ndalen menjëherë.

"Veprimet e njëanshme dhe të pakoordinuara që vënë në rrezik stabilitetin janë të papranueshme. Të gjitha çështjet e hapura duhet të adresohen përmes dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja. Ne jemi në kontakt me Prishtinën dhe Beogradin”, shkroi Josep Borrell në Twitter.

USA New York | Pressekonferenz Josep Borrell
Fotografi: David Dee Delgado/REUTERS

Aksioni i sotëm i policisë dhe doganës së Kosovës kundër kontrabandimit me mallra e që shkaktoi  ngritje tensionesh ne veri të Kosovës, po ndodh vetëm tri javë pasi  serbët lokalë bllokuan për 13 ditë  rrugët në veri duke kundërshtuar masën e reciprocitetit të vendosur nga qeveria e Kosovës për targat e veturave të Serbisë. Për këtë çështje tashmë është arritur marrëveshje ndërmjet dy vendeve.