1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

BE përballet me një recesion më të thellë sesa pritej

8 Korrik 2020

Kriza e koronavirusit do ta zhysë Evropën në një recesion më të thellë nga sa mendohej fillimisht, tha Komisioni Evropian. Por disa ekonomi pritet të jenë më mirë se të tjerat.

https://p.dw.com/p/3evmQ
Eine grosse Truhe mit Euro Banknoten
Fotografi: picture-alliance/Bildagentur-online/McPhoto

Sipas një parashikimi ekonomik të përditësuar të Komisionit Evropian ekonomia e eurozonës do të bjerë  këtë vit në një recesion më të thellë nga sa mendohej fillimisht dhe rimëkëmbja në vitin 2021 do të jetë më pak e fuqishme.

Në dokumentin në fjalë parashikohet që ekonomia e 19 vendeve që përdorin euron do të tkurret në vitin 2020 me 8.7%  para se të rikuperohet vitin e ardhshëm me 6.1%.

Për 27 vendet që përbëjnë BE-në, në vitin 2020 pritet një rënie prej 8.3%, pasuar nga një rritje prej 5.8% në vitin 2021.

Kurzarbeit bei Volkswagen durch Corona-Krise
Fotografi: picture-alliance/dpa/C. Gateau

Kjo do të thotë që në vitin 2021 Evropa do të jetë akoma më keq sesa para shpërthimit global të COVID-19 që detyroi kombe në mbarë globin të merrnin masa kufizuese dhe ta reduktonin në mënyrë drastike tregtinë.

Në maj Komisioni kishte parashikuar për vitin 2020 një rënie të përgjithshme prej 7.7% dhe një rritje prej 6.3% për vitin e ardhshëm.

"Ndikimi ekonomik i masava kufizuese është më i rëndë sesa prisnim fillimisht," tha nënkryetari i Komisionit Valdis Dombrovskis në një deklaratë të lëshuar bashkë me parashikimet e përditësuara.

Dallime drastike midis vendeve të BE-së

"Parashikimi i verës tregon, para së gjithash, se rruga për rikuperim është akoma e shoqëruar me pasiguri," tha komisioneri i BE-së për ekonominë Paolo Gentiloni në një konferencë për shtyp në Bruksel. "Dallimet që priteshin midis vendeve anëtare janë bërë gjithashtu më të mëdha."

Ekonomitë e Francës, të Italisë dhe të Spanjës pritet të tkurren me mbi 10% para se të shënojnë një rimëkëmbje të pjesshme vitin e ardhshëm.

Coronavirus in China Weifang Shandong Arbeiter in Fabrik
Fotografi: picture-alliance/Zuma/Tpg

Gjermania, ekonomia më e madhe e Evropës, duket se do të pësojë një tkurrje relativisht të butë prej 6.3% këtë vit pasuar nga një rritje prej 5.3% në vitin 2021.

Holanda dhe Polonia gjithashtu parashikohet të kenë tkurrje më pak ekstreme, thuhet në raport.

"Përgjigja e politikave në të gjithë Evropën ka ndihmuar në zbutjen e goditjes për qytetarët tanë, megjithatë kjo mbetet një histori e rritjes së divergjencës, të pabarazisë dhe të pasigurisë," tha Gentiloni.