BE optimist për Ballkanin,SHBA-ja kërkon njohje Kosovë-Serbi
1 Qershor 2021I ngarkuari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë Serbi Mirosllav Lajçak dhe Zëvendësndihmës sekretari amerikan i shtetit Mathew Palmer, thanë në Prishtinë se BE dhe SHBA mbesin të përkushtuara në dialogun Kosovë-Serbi, me qëllimin final arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare. Dialogu Kosovë-Serbi pritet të rinisë së shpejti gjatë këtij muaji, me një takim të nivelit të lartë ndërmjet kryeministrit të Kosovës Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç. Përsa i përket qëllimit final të marrëveshjes Kosovë-Serbi, përfaqësuesi i SHBA Mathew Palmer ishte i drejtpërdrejtë.
"Sa i përket qëllimit përfundimtar, ne vazhdojmë të besojmë se është njohja e ndërsjellë ajo që do ta lërë pas këtë çështje dhe do të hapë rrugën drejt Evropës", tha Palmeri në një konferencë të shkurtër për mediet, së bashku me Lajçakun. Përsa u përket kompromiseve të mundshme në dialogun Kosovë-Serbi, që do të çonin drejt arritjes së një marrëveshjeje finale, Palmeri tha se për "për kompromise u takon palëve që të diskutojnë dhe të vendosin”.
Kompromisin duhet ta përcaktojnë vetë shqiptarët e serbët
"Nuk është në dorën e SHBA që të identifikojë se cilat duhej të ishin kompromiset e nevojshme, parametrat e negociatave. Kjo nuk është as punë e mikut tim Lajçak. Kjo u takon palëve. Dialogu nuk udhëhiqet nga SHBA e BE, por udhëhiqet nga palët. Dialogu lehtësohet nga BE dhe mbështetet nga SHBA. Prandaj, u takon palëve të formësojnë dhe të pajtohen për parametrat e dialogut dhe të ndihmojnë që procesi të ecë përpara. Ne jemi këtu për të mbështetur, inkurajuar dhe avokuar teksa procesi ecën përpara", tha Mathew Palmer. Sipas tij, "Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe duhet të formohet ashtu si do të merren vesh palët”.
Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç ka përsëritur disa herë se Serbia nuk do ta njohë kurrë pavarësinë e Kosovës.
I ngarkuari i BE për dialogun Kosovë-Serbi Miroslav Lajçak, i cili viziton shpesh Kosovën dhe Serbinë, ndërkaq, tha se takimet që zhvilluan kësaj radhe në Prishtinë ishin të dobishme dhe sipas tij, qëllimi i kësaj vizite dyditore ishte që të sigurohet që takimi Kurti-Vuçiç të jetë i suksesshëm.
"Bashkëpunimi transatlantik në çështjen e Ballkanit Perëndimor dhe dialogut, është i shkëlqyeshëm. Qëllimi parësor i kësaj vizite, ishte të përgatitet takimi i parë i nivelit të lartë mes Kurtit dhe presidentit Vuçiç, i cili do të mbahet pas pak ditësh në Bruksel”, tha Miroslav Lajçaku, duke shtuar se "ky vit (viti 2021) ka potencial të jetë vit i mirë për marrëdhëniet mes BE dhe Ballkanit Perëndimor”.
Lajçaku dhe Palmeri zhvilluan gjatë dy ditëve të qëndrimit në Prishtinë bisedime me të gjithë udhëheqësit e institucioneve të Kosovës, përfaqësuesit e opozitës dhe praninë ndërkombëtare.
Osmani: thelbësore të respektohet rregullimi kushtetues e funksionaliteti i vendit
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, nga ana e saj tha se procesi i dialogut Kosovë-Serbi duhet të përfundojë me njohjen e ndërsjellë mes dy vendeve.
"Për Kosovën mbetet thelbësore që në këtë proces të respektohen plotësisht integriteti territorial, rregullimi i brendshëm kushtetues dhe shtetëror, si dhe funksionaliteti i vendit”, tha Osmani duke shtuar se duhen respektuar këto parime në mënyrë që marrëveshja të jetë plotësisht e zbatueshme.
Edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se bashkëpunimi ndërmjet BE dhe SHBA në dialogun Kosovë-Serbi është i domosdoshëm.
"Bashkëpunimi dhe koordinimi në mes të Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës në procesin e ri të dialogut është i mirëseardhur, sepse është i domosdoshëm”, tha kryeministri Kurti. Sipas tij, dialogu duhet të jetë i drejtë, parimor dhe në shërbim të popujve dhe paqes e sigurisë së gjithëmbarshme.
Përfshirjen e SHBA në dialogun Kosovë-Serbi po e kërkojnë edhe partitë politike opozitare, përfaqësuesit e të cilave takuan dy emisarët e dialogut Lajçak dhe Palmer.
Më 18 prill ndërkaq, në darkën e shtruar në Bruksel për udhëheqësit e vendeve të Ballkanit perëndimor, ku mori pjesë edhe kryeministri Kurti, shefi i diplomacisë evropiane Josep Borrel deklaroi se ai shpreson që dialogu Kosovë-Serbi të rinisë nga mesi i muajit qershor.