1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

BE kërkon shpërndarjen e vazhdueshme të refugjatëve

Bernd Riegert9 Shtator 2015

Në mënyrë shumë direkte Presidenti i Komisionit të BE Juncker kërkoi një politikë të përbashkët për refugjatët. Ai mbajti një fjalim të pazakontë për gjendjen në BE në Parlamentin Evropian në Salzburg.

https://p.dw.com/p/1GTq6
Frankreich Europaparlament Rede Juncker
Fotografi: Imago/Zuma Press

Jean-Claude Juncker doli me fytyrë të ngrysur në pultin e oratorit. Ai i la mënjanë shakatë e zakonshme, me të cilat shoqëron zakonisht fjalimet e tij. Në fjalën e tij mbi gjendjen në Bashkimin Evropian Juncker paraqiti një tablo të zymtë: "Bashkimi Evropian është në një gjendje të keqe. Lidhur me krizën e refugjatëve BE-së i mungon si fryma evropiane ashtu edhe uniteti. Këtë duhet ta ndryshojmë tani", kërkoi presidenti i 28 shteteve anëtare të BE-së.

Shpërndarje e detyrueshme

Fajin për përshkallëzimin e krizës së refugjatëve Juncker e sheh në qeveritë e shteteve anëtare. Fajësimet e njëri-tjetrit duhet të marrin fund, tani kërkohen vendime të guximshme. Prandaj Komisioni Evropian propozon një paketë ligjesh dhe masash për të promovuar politikën e përbashkët të migracionit, të paraqitur në fakt qysh në muajin maj.

Jean-Claude Juncker foli në favor të një mekanizmi të përhershëm për shpërndarjen e refugjatëve dhe azilkërkuesve në të gjitha shtetet anëtare. "Sistemi i Dublinit", në fuqi deri tani, sipas të cilit për azilkërkuesin duhet të kujdeset ai shtet, ku ai shkel për herë të parë, nuk ishte më i përshtatshëm për kohën. "Solidariteti në Europë është shumë i dobët. Italia, Greqia dhe Hungaria nuk duhet ta mbajnë të vetme ngarkesën", tha Juncker nën duartrokitjen e deputetëve.

EU Rede Juncker vor dem Europaparlament
Fotografi: Reuters/V. Kessler

Evropa ka detyrim ndaj refugjatëve

Junker u bëri thirrje shteteve anëtare që të hënën e ardhshme të bien dakord për një masë të parë emergjente për pranimin e 160.000 refugjatëve nga të tre vendet. Të hënën ministrat e brendshëm të BE-së takohen në seancë të veçantë në Bruksel. Përpjekja e parë për të shpërndarë 40.000 refugjatët në qershor dështoi për shkak të kundërshtimit në rradhë të parë të shteteve anëtare të Evropës Lindore, Britanisë dhe Spanjës. Prandaj Juncker i bëri thirrje ndërgjegjes së evropianëve. Ato duhet të jenë krenarë, që kaq shumë njerëz në botë e shohin Evropën, si ajo që është: një strehë të paqes, stabilitetit dhe prosperitetit.

"Ne kemi mjetet financiare. Ne kemi detyrë për të pranuar njerëzit." Kriza e refugjatëve do të vazhdojë për aq kohë, sa të ekzistojnë shkaqet e arratisjes - lufta dhe diktatura në vendet fqinje të Evropës, tha Juncker. "Gardhet dhe muret nuk do t'i ndalin këto njerëz. Ato do të rrezikojnë gjithçka për të shpëtuar nga barbaritë e Shtetit Islamik."

Fajtore janë shtetet anëtare

Kryetari i Komisionit të BE-së propozoi një listë të vendeve të sigurta të origjinës, për të veçuar shpejt të persekutuarit politikë nga emigrantët ekonomikë. Në këtë listë të detyrueshme për të gjitha shtetet e BE janë shtetet e Ballkanit Perëndimor dhe Turqia. Njerëzit nga këto vende do të vazhdojnë të kenë të drejtën për një procedurë azili, por që do të zhvillohet shumë më shpejt se sa sot, siguroi Jean-Claude Juncker.

BE-ja duhet të mbrojë më mirë kufijtë e vet ndaj emigrantëve të paligjshëm, për shembull me anë të një trupe të përbashkët për mbrojtjen e kufirit, tha Juncker. Në të njëjtën kohë duhet të hapen më shumë rrugë ligjore për migrimin e të rinjve dhe të talentuarve. BE-ja ka nevojë për emigracion. Megjithatë kjo nuk është përgjigje për krizën e tanishme të refugjatëve.

Kritikët: Ne jemi të "çmendur"

Konservatorët dhe socialistët i vlerësuan propozimet e Junckerit. Euroskeptikët megjithatë kundërshtuan. Nigel Farage i Partisë britanike të Pavarësisë akuzoi BE-në se pranon praktikisht të gjithë ato, që venë këmbën në tokën evropiane. "Gjermania e ka tepruar duke thënë, të gjithë mund të vijnë", kritikoi Farage. Shumica e azilkërkuesve janë emigrantë të paligjshëm. Shteti Islamik e përdor këtë rrugë për të futur terroristët e tij në Evropë. "Ne jemi të çmendur, që edhe ta mbështesim një gjë të tillë", tha Farage.