Drita jeshile për Brexit: BE jep puthjen e lamtumirës
29 Prill 2017Ishte një nga samitet më të shkurtra të BE, ku ujdia ishte e menjëhershme. Të 27 vendet anëtare të BE-së ofruan "një mandat solid dhe politikisht të drejtë" shkroi në Twitter kreu i Këshillit të BE-së, Donald Tusk. Vendimi për negociatat me Brexit "ishte i njëzëshëm" dhe në një kohë rekord 15 minuta, shtoi kreu i Komisionit Europian, Jean Claude Juncker.
Korniza kryesore e negociatave u vendos javët e shkuara nga konsulentët e krerëve të shteteve e qeverive të vendeve të BE.. Nuk priteshin edhe më parë diskutime apo grindje mes vendeve anëtare. Angela Merkel e dha tonin me deklaratën në Bundestag të enjten (27.04). Britania e Madhe nuk duhet t'i jepet iluzioneve, se në fund do të ketë të njëjtat të drejta si një vend anëtar. „Kjo do të ishte humbje kohe", tha Merkel.
Divorci pastaj marrëveshja
Donald Tusk, kreu i Këshillit të BE bëri të qartë se do të ketë „një model me faza" me qeverinë britanike. "Para se të merremi me të ardhmen, duhet të vendosim rregull tek e shkuara”, është shprehur Tusk . Në negociata duhet fillimisht të sqarohen të drejtat e qytetarëve të BE që jetojnë në Britaninë e Madhe, pastaj do të flitet për detyrimet financiare të Britanisë së Madhe, që sipas llogaritjeve të Komisionit Europian kapin shifrën e 50 miliardë eurove. Në radhë vjen pastaj edhe kufiri i jashtëm me BE, kufiri i Britanisë së Madhe me Irlandën.
Kur të sqarohen këto pika, do të flitet për negociatat e kërkuara me urgjencë nga Britania e Madhe për marrëdhëniet e jashtme të unionit me "shtetin e tretë” pastaj, Britaninë e Madhe. Theresa May në letërkërkesën për daljen nga unioni kishte kërkuar një marrëveshje tregtare me një Europë "të fortë”.
Sipas ekspertëve të BE-së, në negociatat e divorcit bëhet më shumë fjalë për "kufizimin e dëmit”, sepse miliona vetë do t'i ndjejnë praktikisht pasojat e Brexit. Ndërkohë është qeveria irlandeze, ajo që ka interes të madh, që ndarja të mos çojë në ngritjen e barrierave doganore mes Irlandës dhe Irlandës Veriore britanike. Kjo mund të rrezikojë edhe pajtimin mes katolikëve dhe protestantëve në Irlandën e veriut, sipas qeverisë irlandeze.
Marrëveshje të ndërmjetme
Kreu i negociatave të BE-së Michel Barnier, një ish-politikan i lartë francez, nuk është i mendimit, se një rezultat përfundimtar do të arrihet brenda dy vjetësh - koha që parashikohet për negociatat. Edhe kancelarja Merkel ka bërë fjalë për një "marrëveshje të ndërmjetme”, që do të vlejë deri në përfundimin e marrëveshjeve të reja mes BE dhe Britanisë së Madhe. Sipas nenit 50-të të Marrëveshjeve të Lisbonës, anëtarësimi i BE merr fund më 30 mars 2019.
Kreu i Komisionit të BE, Jean-Claude Juncker und kryenegociatori, Barnier e ftuan kryeministren britanike, Theresa May në një darkë të mërkurën për të sqaruar edhe njëherë planin e veprimit të BE. Sipas ekspertëve qeveria britanike është më shumë nën presion kohe, sepse koha punon kundër saj, ndërsa BE mjafton të presë.
Sipas BE-së duhet që institucionet e BE të largohen nga Britania e Madhe, si agjencitë për mbikqyrjen bankare dhe lejimin e medikamenteve në BE. Londra kërkon që agjencitë të mbeten aty, por BE është kundër, madje BE edhe shpërnguljen do t'ia vërë në llogari qeverisë britanike, por ajo ka refuzuar deri më tani. Por në samit nuk flitet vetëm për Brexit.