BE do t'i dalë ballë kaosit në rast të Brexit
19 Qershor 2016BE ka në sirtar plane emergjente: Jemi të përgatitur për gjithçka, por nuk e shprehemi tani - Ky ishte në mënyrë të përmbledhur mesazhi i ministrave të Financave në drejtim të tregjeve financiare, pak para referendumit britanik për daljen ose jo nga Unioni. Megjithëse kjo temë nuk ishte në axhendën zyrtare të takimit të ministrave të Financave të premten, (17.06). Drejtuesi i takimit, ministri i Financave të Holandës, Jeroen Dijsselbloem, e cila mban presidencën e radhës nuk deshi të fliste për Brexit, pas vrasjes së deputetes laburiste, britanike Jo Cox. Edhe fushata e referendumit është pezulluar. “Shpresoj që britanikët ta marrin vendimin në mënyrë paqësore. Ishte një shok për të gjithë ne“, tha Djisselbloem të premten (17.06) në Luksemburg.
Drejtuesja e FMN-së paralajmëron
Ministri britanik i Financave, George Osborne nuk mori pjesë në takimin e Luksemburgut. Dy ditë më parë Osborne kishte paralajmëruar shkurtime buxhetore dhe rritje tatimesh në rast se Britania e Madhe pas një daljeje nga unioni do të binte në recesion ekonomik. Përkrahësit e daljes nga unioni e akuzuan atë për dramatizim të gjendjes dhe nxitjen e panikut.
Por drejtuesja e Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), Christine Lagarde, nuk e sheh aspak si dramatizim një skenar të tillë. Ajo i paralajmëroi krerët e financave të vendeve të unionit monetary të BE-së për pasojat në rast të një Brexit të mundshëm. Lagarde sheh rreziqe serioze, jo vetëm për ekonominë britanike, por edhe ekonominë europiane, e atë botërore. Sipas saj do të rriteshin shumë normat e interest dhe paundi britanik do të humbiste në vlerë. FMN-ja parashikon një “periudhë të gjatë pasigurie”, që mund të trembë investitorët. Banka britanike, “Bank of England”, ka përgatitur plane emergjente megjithatë që synojnë uljen e normave të interesit.
Flitet për "skenarë“ të ndryshëm
Ministri gjerman i Financave, Wolfgang Schäuble u shpreh para disa ditësh në një intervistë për „Der Spiegel“, se ministrat e Financave të Eurozonës do të bëjnë gjithçka për të kufizuar pasojat e një Brexit. „Ne përgatitemi për të gjithë skenarët e mundshëm, për të minimizuar rreziqet.“ Por ende mbetet e paqartë se çfarë parashikojnë këta skenarë.
Ka disa ditë që para referendumit që bursat janë lëkundur. Sipas ministrit austriak të Financave, Hans-Jörg Schelling, ka plane reagimi në rast të një rënieje dramatike të bursave dhe paundit. „Por sigurisht do të ishte kontraproduktive që ta bënim këtë tani publike.“ Nga qarqet e BE-së dëgjohet vetëm se si „Bank of England“, Banka Qendrore Europiane, por edhe banka të tjera janë të gatshme të garantojnë likuiditetin në tregje dhe t‘i mbështesin ato me blerje. Disa ekspertë llogarisin me një rënie të kursit dhe humbje të vlerës së paundit në 15%, në rast se britanikët i thonë Jo BE-së.
Alarm dhe përmbajtje
Këmbanës më të madhe të alarmit i ra ministri finlandez i Financave, Alexander Stubb. Sipas tij Brexit mund të sjellë “valë shokuese në të gjithë botën”, si në rastin e falimentimit të Lehman Brothers Bank në vitin 2008. Stubb parashikon kaos në ekonominë botërore. Por fqinja e Britanisë së Madhe ka tjetër qëndrim. Ministri i Financave të Irlandës, Michael Noonan, është shprehur i përmbajtur. Mbretëria e Bashkuar është partneri më i madh tregtar i Irlandës. Noonan dëshiron që mes Irlandës dhe Britanisë së Madhe të vazhdojë të ekzistojë një treg i përbashkët pune dhe liria e udhëtimit, në rast se britanikët vendosin të dalin nga unioni. “Ne nuk duam që një kufi europian ndërkombëtar ta ndajë ishullin tonë, 60 Maile nga Dublini. Kjo do na sillte vështirësi të mëdha.”
Britaniku i vetëm që mori pjesë në konsultimet e ministrave të Financave në Luksemburg ishte komisioneri i BE-së për Financat, Jonathan Hill, i cili nuk përfaqëson qeverinë britanike. Hill dëshiron që Britania e Madhe të mbetet në Bashkimin Europian. “Për shkak se jam përgjegjës për sektorin financiar, i shoh qartë avantazhet që Britania e Madhe ka nga tregu i brendshëm europian dhe BE. Po ashtu i shoh qartë edhe rreziqet.”
Më pak apo më shumë bashkëpunim?
Në rast të një Brexit marrëdhëniet ekonomike dhe financiare mes BE-së dhe Britanisë së Madhe duhet të rinegociohen. Presidenti i Komisionit Europian, Jean-Claude Juncker është shprehur disa herë se “dezertori nuk do ta pritet krahëhapur”. E ndërkohë që kreu i eurogrupit, Jeroen Dijsselbloem, do ta thellojë bashkëpunimin brenda unionit monetar, ministr gjerman i Financave ka shkelur frenat. Në revistën gjermane “Der Spiegel” ai është shprehur se nuk mund të vazhdojmë si më parë dhe të kërkojmë më shumë integrim. “Kjo do të ishte e pamenduar, shumë vetë me të drejtë do të pyesnin, nëse ne politikanët ende nuk kemi kuptuar.”