1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

"Bayern Muenchen" merr Kupën e 13-të

Anila Shuka1 Maj 2006

Të mërkurën 03.05. zhvillohen ndeshjet e fundit të Bundesligës, Bavaria do të jetë për të dytin vit radhazi fitues i dy kupave. Hessen kualifikohet për në UEFA

https://p.dw.com/p/AsJb
Kancelarja ne stadiumin Olympia
Kancelarja ne stadiumin OlympiaFotografi: AP

Për herë të 13-të Kupën e Federatës Gjermane të Futbollit e fituan bavarezët e Mynihut, pas fitores 1:0 ndaj ‚Eintracht Frankfurtit‘ të shtunën (29.04) në Berlin. Bavarezët nuk luajtën shumë mirë, por ishin efektivë, thanë më vonë komentatorët. Një gol i Claudio Pizarros në minutën e 59-të, mjaftoi për ta çuar drejt fitores së finales së 63-të mbretin e rekordeve të tiullit të kampionit dhe të kupës gjermane. Të mërkurën, (03.05) në ndeshjet e fundit të Bundesligës, ‚Bayern Muenchen‘ do të ndeshet me ‚VfB Stuttgart‘ dhe do të jetë skuadra e parë në historinë e Gjermanisë, që për dy vjet radhazi do të fitojë të dyja kupat.

Ekipi i Hesenit që në ndeshjen e së mërkurës do të dalë para Kaiserslautern e ku do të jetë në rrezik të humbasë qëndrimin e mëtejshëm në Bundesliga, ka vetëm një ngushëllim: Kualifikimi për UEFA-n, për herë të parë që nga sezoni 83/84, pasi Bavaria do të marrë pjesë në garën për Ligën e Kampionëve.

Në përfundim të ndeshjes së të shtunës bavarezët, që janë përkëdhelur gjithmonë nga fitoret, treguan shumë respekt ndaj kundërshtarit. Portieri dhe kapitani i skuadrës Oliver Kahn, i tregoi edhe një herë aftësitë e tij të jashtëzakonshme, kur e shpëtoi portën nga një rast tepër i rrezikshëm i Ioannis Amanatidis. Kahn, u bë kështu për herë të pestë fitues i Kupës: "Çdo titull është një pikë kulminante në jetën e një lojtari. Këtë e ndjen edhe më shumë kur nuk je më në finale," – tha Kahn pas ndeshjes. Dy javë më parë Klinsmani e kishte bërë publike që nuk do të jetë Kahni, por Lehmann, ai që do të ruajë portën e kombëtares gjermane në ndeshjet e Kampioninit Botëror, fërshëllima e parë e të cilit do të dëgjohet në Mynih, më 9 qershor.

74.349 spektatorë ishin mbledhur në stadiumin Olympia i cili ishte tërësisht i shitur. Të pranishëm ishin presidenti i Gjermanisë Horst Këhler, i cili i dorëzoi Kahnit Kupën, si edhe kancelarja Angela Merkel e trajneri i kombëtares, Jyrgen Klinsmann.