1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Bashkëpunim në vend të konfrontimit

Sabine Hartert / Eliana Xhani26 Qershor 2012

Arsimi është lënda e parë e re, thotë ministri i Jashtëm Westerwelle. Për të konkurrenca e sistemeve të arsimit është vendimtare për pyetjen se cilat vende do të udhëheqin në të ardhmen.

https://p.dw.com/p/15LbF
Fotografi: DW/K. Danetzki

Ministri i Jashtëm gjerman Guido Westerwelle erdhi enkas në Bonn për të marrë pjesë në forumin "Global Media", në qendër të të cilit këtë vit është tema e arsimit në një botë të globalizuar.

"Arsimi luan një rol qendror në globalizim", theksoi Westerwelle dhe shtoi se aksesi i të gjithëve në arsim është vendimtar për formimin e çdo njeriu dhe po ashtu cilësia e sistemeve të arsimit vendos për zhvillimin apo rënien e shoqërive.

Këtë ndryshim e ka sjellë globalizimi dhe është në vetvete një kontribut për më shumë drejtësi në botë. Pasi nuk janë më kushtet klimaterike apo pasuria me lëndë të para të çmuara vendimtare për një komb, por aftësia e tij krijuese dhe dija, të dyja rezultat i arsimit dhe kualifikimit. Në këtë mënyrë do të përfitonin pikërisht ato vende të cilat për shkak të numrit të madh të të rinjve duhet të përballojnë aktualisht shumë probleme. Dinamika dhe aftësia e madhe krijuese e të rinjve është potenciali i këtyre vendeve për zhvillimin.

Politika e jashtme gjermane është politikë vlerash

Fjala e Westerwelles ishte një pamje e përgjithshme e politikës së jashtme aktuale gjermane për kulturën dhe arsimin. Në të është përcaktuar ndër të tjera se politika e kulturës është politikë e paqes. Westerwelle theksoi se arsimi është çelësi për një shoqëri tolerante dhe pluraliste. Arsimi nxit barazinë dhe respektin dhe përcjell vlera. Liria, demokracia dhe shteti ligjor janë sipas këndvështrimit gjerman vlera me forcë shumë të madhe rrezatuese, theksoi ministri i Jashtëm. Kjo pasqyrohet në politikën e jashtme gjermane të orientuar nga vlerat pasi globalizimi kontribuon edhe në përhapjen e vlerave.  Gjermania është e gatshme të ndihmojë në ankorimin e proceseve demokratike dhe të shoqërisë civile. "Ne i mbështesim në mënyrë energjike proceset e hapjes dhe demokratizimit", shtoi ministri Westerwelle. Në këtë kuadër ofertat përshtaten me situatat e veçanta. "Në Tunizi dhe Egjipt ne kemi nisur inisiativën arsimore, kulturore dhe mediatike 'Sheshi i së ardhmes'". Bashkë me Deutsche Welle-n mbështetet ngritja e medieve online, pasi mediet e lira, theksoi ministri "janë kusht për formimin e vullnetit dhe kështu baza për një shoqëri civile."

Ministri i Jashtëm gjerman, Guido Westerwelle në Global Media Forum
Ministri i Jashtëm gjerman, Guido Westerwelle në Global Media ForumFotografi: DW

Edhe Gjermanisë i është dashur të mësojë lirinë dhe demokracinë

Westerwelle dha si shembull historinë e re gjermane për të treguar se liria, demokracia, mirëqeverisja dhe toleranca janë procese mësimi. Gjermanisë iu desh të kalonte "në kapitullin më të errët të historisë së saj" përpara se të hartonte një kushtetutë kaq liberale. Me këtë shembull Westerwelle i referohej kohës së nacionalsocializmit nga viti 1933 deri 1945. Gjermania sot jeton nga komunikueshmëria dhe lidhjet në plan ndërkombëtar, ku shkëmbimet nën nivelin qeveritar kanë një rëndësi të veçantë. "Franca dhe Gjermania në dy luftërat botërore të shekullit të fundit ishin armike të papajtueshme", tha Westerwelle dhe theksoi se qysh atëherë nuk ka kaluar shumë kohë. Kjo duhet t'u japë kurajo të gjithë atyre që jetojnë në vende apo rajone me tensione politike. Duhet "të bëhen përpjekje të vazhdueshme për pajtim dhe ndërmjetësim". Ajo çfarë u arrit në Evropë megjithë vështirësitë e shumta është e mundur edhe gjetkë.

Një çështje me rëndësi të veçantë është për ministrin e Jashtëm gjerman forma e ardhshme e Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Përbërja e kësaj instance nuk pasqyron situatën politike ndërkombëtare aktuale, por është një "jehonë e së kaluarës". Westerwelle kritikoi që as Amerika Latine dhe as Afrika nuk kanë një vend të përhershëm në Këshillin e Sigurimit. Azia është e përfaqësuar vetëm me një shtet, Kinën. Për të reaguar në mënyrë të besueshme ndaj konflikteve në botë këto rajone duhet të jenë të përfaqësuara në mënyrë të përhershme, tha ministri i Jashtëm gjerman Guido Westerwelle në fjalën e tij në punimet e forumit Global Media, në Bonn.