1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Basha: Shqipëria vend mundësish vetëm për pushtetarët

20 Shkurt 2017

Protesta e opozitës në Tiranë drejtohet kundër qeverisë së kryeministrit Rama. Sipas kreut të opozitës, Lulzim Basha me këtë qeveri ka humbur shpresa e shqiptarëve. Opozita kërkon krijimin e një qeverie teknike.

https://p.dw.com/p/2Xsli
Albanien Anti-Regierungsproteste in Tirana | Lulzim Basha, Demokratische Partei
Fotografi: Reuters/F. Goga

Partia Demokratike vazhdon ende protestën e filluar të shtunën (18.02), me çadrën e ngritur para kryeministrisë, me synimin për të qëndruar deri në plotësimin e kërkesave të tyre. Opozita kërkon largimin e kryeministrit Rama, si kusht për mundësinë e zhvillimit të zgjedhjeve të lira në qershor. PD e sheh si të pamundur organizimin e zgjedhjeve të lira e të ndershme me qeverinë Rama. Në të njëjtën kohë Partia Demokratike ka vendosur të braktisë parlamentin, derisa të zgjasë protesta. Ndërsa kryeministri Rama e ka cilësuar protestën opozitare si përpjekje për të bllokuar reformën në drejtësi. "Qytetarët janë në të drejtën e tyre të protestojnë kundër qeverisë, ..por nëse çadra që polli protesta do të shërbejë për të mbrojtur pengmarrësit e drejtësisë nga vettingu, atëherë protestuesit e djeshëm do të jenë të tradhtëtuarit më të mëdhenj", ka thënë ai.

Albanien Anti-Regierungsproteste in Tirana
Fotografi: Reuters/F. Goga

Basha: Vendi i pashpresë

Kreu i opozitës, Lulzim Basha në një intervistë të fundit me Deutsche Wellen e ka kritikuar ashpër qeverinë Rama, duke theksuar se qeveria Rama e ka kthyer Shqipërinë në një vend të pashpresë, ku mijëra vetë duan të largohen. Qeveria nuk i përgjigjet nevojave të njerëzve, thotë Basha. "Sot Shqipëria është vend i mundësive vetëm për një grup pushtetarësh dhe klientët e tyre që kontrollojnë ekonominë me monopole, me tendera që i marrin vetëm një grusht njerëzish."

Albanien Anti-Regierungsproteste in Tirana
Fotografi: Reuters/F. Goga

Kreu i opozitës shpreson që platforma e opozitës të bindë shqiptarët më 18 qershor. "Oferta jonë është konkrete me zgjidhje konkrete për probleme konkrete. Për fermerët qeveria ime do të ofronte 100 milionë euro subvencione të drejtpërdrejta, familje për familje, pa asnjë kufizim sa i përket sipërfaqes së tokës që punojnë apo numrit të krerëve që mbarështojnë. Për sipërmarrësit një regjim fiskal, më të favorshmin në Ballkan, synojmë përmirësim themelor të shërbimeve sociale, e shumë vëmendje shëndetësisë, mbështetje e shtresave në nevojë, që sot marrin ilaçe më të shtrenjta se në Uashington, e të tjera.

Bashka kërkon krijimin e Shqipërie "me mundësi për të gjithë në bazë të punës së ndershme e aftësive."

 

Lindita Arapi, me xhaketë rozë dhe bluzë të zezë
Lindita Arapi Gazetare, moderatore, autore, shkrimtare