1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Banka Qendrore kineze përgatit paketë stimulimi ekonomik

24 Shtator 2024

Banka Qendrore kineze ka njoftuar një paketë të gjerë masash stimuluese ekonomike. Objektivi është të ndihmojë ekonominë e dytë më të madhe në botë të kthehet në rritje ekonomike.

https://p.dw.com/p/4l2NL
Banka Qendrore e Kines
Banka Qendrore e KinesFotografi: Koki Kataoka/Yomiuri Shimbun/AP/picture alliance

Objektivi është të ndihmohet ekonomia e dytë më e madhe në botë t'i kthehet rritjes ekonomike.

Banka qendrore e Kinës ka njoftuar një sërë masash për të rigjallëruar ekonominë e vendit. Ndihma përfshin një reduktim të rezervave minimale me 50 pikë bazë, që do të thotë se bankat duhet të mbajnë më pak para. Banka e Kinës njoftoi gjithashtu një lehtësim të mëtejshëm të politikës monetare në fund të vitit.

Për të mbështetur drejtpërdrejt tregun e pasurive të paluajtshme, normat e interesit për kreditë ekzistuese të pasurive të paluajtshme do të ulen, shpjegoi guvernatori i Bankës Qendrore Pan Gongsheng. Gjithashtu, norma minimale e paradhënies për një kredi për shtëpi të dytë do të ulet nga 25% në 15%. Sipas Pan-it, këto masa do t'i sigurojnë tregut financiar rreth një trilion juanë (rreth 125.5 miliardë euro) likuiditet shtesë.

Objektivi i rritjes në rrezik

Masat synojnë të mbështesin rritjen e qëndrueshme ekonomike në ekonominë e dytë më të madhe në botë, shkruan gazeta shtetërore "People's Daily”. Kohët e fundit ka pasur shenja në rritje se Kina mund të humbasë objektivin e saj të rritjes prej rreth 5%.

Banka Qendrore Pekin
Fotografi: Koki Kataoka/Yomiuri Shimbun/AP/picture alliance

Kriza në sektorin e pasurive të paluajtshme po rëndon prej disa kohësh rezultatet ekonomike të Republikës Popullore. Një program për blerjen e apartamenteve bosh nga shteti deri më tani ka pasur pak efekt.

Familjet ngadalësojnë konsumin

Kriza e strehimit po kontribuon gjithashtu në konsumin e dobët në Kinë dhe tendencat deflacioniste. Kjo për shkak se shumë njerëz kanë investuar kursimet e tyre në prona për një kohë të gjatë dhe u është dashur të kenë frikë nga një humbje në vlerë për disa kohë. Prandaj, familjet i kursenin paratë e tyre për periudha të pasigurta.

Paketa e masave u prit me rritje çmimesh në bursat e Azisë dhe Evropës. Në Evropë, aksionet e prodhuesve të automjeteve dhe mallrave luksoze ishin përfituesit kryesorë.

aud (ag,tg)