Ballkani: Forcim i bashkëpunimit kufitar për sigurinë
6 Mars 2015Gjashtë vende të Ballkanit Perëndimor: Shqipëria, Kosova, Maqedonia, Serbia, Mali i Zi dhe Bosnjë- Hercegovina kërkojnë të forcojnë bashkëpunimin ndërkufitar mes tyre për të fituar betejat në luftën me trafikantët e qenieve njerëzore dhe kontrabandistët e migrantëve. Në një studim të Organizatës Botërore të Migracionit vihet në dukje se "këto dukuri janë rritur në Ballkanin Perëndimor për shkak të krizës ekonomike që ka krijuar kushte për trafikimin e qenieve njerëzore dhe kontrabandimin e migrantëve. Në kushtet aktuale përqasja rajonale dhe jo e secilit vend veçmas, forcimi i bashkëpunmit rajonal ndërkufitar konsiderohen si mënyra më efikase për rezultate më të mira se deri më tani. Projekti rajonal "Forcim i luftës kundër trafikimit të personave dhe kontrabandimit të migrantëve në Ballkanin Perëndimor" i finnacuar nga Fondi i Zhvillimit të Organizatës Botërore të Migracionit dhe qeveria italiane, mblodhi në Tiranë përfaqësues nga policitë kufitare, organet e hetimit dhe gjyqësori nga gjashtë vendet, e sipërpërmendura të rajonit si edhe nga institucione homologe të BE-së në një takim pune triditor që përfundon të premten (06.03). Andrea Dabzzi, Menaxher i këtij projekti thotë për DW: "Trafiku i qenieve njerëzore dhe kontrabandimi i migrantëve mbeten çështje shqetësuese në Ballkanin Perëndimor që rrezikojnë stabilitetin social dhe sigurinë e vendeve. Qëllimi i këtij takimi është të analizojmë bashkëpunimin ndërkufitar mes gjashtë vendeve fqinjë në Ballkanin Perëndimor si edhe mes aktorëve të përfshirë në luftën kundër trafikimit të qënieve njerëzore dhe kontrabandimit të migrantëve, të identifikojmë zbrasësi dhe mangësi në këtë bashkëpunim, të promovojmë praktikat e mira."
Situata në Ballkanin Perëndimor- në evoluim
Ajo që po ndodh në vendet e Ballkanin Perëndimor lidhur me trafikimin e qenieve njerëzore dhe kontrabandimin e migrantëve është si një situatë në ndryshim e sipër. Pas shpërbërjes së ish-Jugosllavisë vendet e këtij rajoni ishin kryesisht vende të origjinës së viktimave të trafikimit, sidomos në rastet e shfrytëzimit seksual. Viktimat merreshin nga këto vende dhe shfrytëzoheshin në vende të tjera, kryesisht në ato të Bashkimit Europian. Më pas Ballkani Perëndimor u bë hapësira e shfrytëzimit të viktimave të huaja të trafikimit që vinin nga vende si Moldava, Ukraina, Rumania etj. Ndërsa sot situata ka ndryshuar. Andrea Dabizzi përshkruan situatën aktuale lidhur me trafikun e personave dhe kontrabandimin e migrantëve:
"Numri i viktimave të trafikimit me origjinë nga vendet e Ballkanit Perëndimor për shfrytëzim seksual është ulur, por është rritur numri i viktimave për punë të detyruar në vende të tjera. Kemi viktima të trafikimit brenda një vendi ose nga një vend i rajonit tek tjetri. Pa harruar biznesin me fëmijët që lypin që është një formë tjetër trafikimi mjaft e përhapur në Ballkanin Perëndimor. E njëjta situatë është edhe kur është fjala për kontrabandim të migrantëve. Nga raportet zyrtare të FRONTEX – Agjensia e BE për kufinjtë e përbashkët të BE - EUROSTAT-it dhe raportet kombëtare të vendeve të Ballkanit Perëndimor, theksohet që rajoni shërben si tranzit për migrantë të parregullt që shkojnë në vendet e BE përmes një vendi te tretë. Në këtë rrymë migrantësh të parregullt profilet e tyre janë të ndryshme: ka azilkërkues, viktima të trafikimit, migrantë që synojnë të arrijnë në një vend të BE për të bërë bashkimin familiar apo për të gjetur punë", thotë Dabizzi.
Viktimat në qendër të vëmendjes
Të gjitha masat dhe veprimet për të forcuar bashkëpunimin ndërkufitar mes vendeve fqinjë të Ballkanit Perëndimor synojnë mbrojtjen e viktimave të trafikimit dhe kontrabandimit të migrantëve. "Viktima nuk është dhunuesi, duhet mbrojtutr identiteti i viktimës, integriteti fizik, të drejtat e saj, duhen mbrojtur dhe zbatuar instrumentat ndërkombëtarë për të siguruar mbrojtje, mbështetje dhe riintegrim në shoqëri të viktimave, pa i traumatizuar ato. Për këtë duhet një përqasje rajonale jo nacionale", thotë Andrea Dabizzi.
Të larguarit drejt BE për një jetë më të mirë pre e trafikantëve.
Shyqyri Syla, kryeprokuror në Prokurorinë Publike të Mitrovicës, e vlerëson shkëmbimin e përvojave dhe diskutimet mes kolegësh në takimin e Tiranës. "Projekti është shumë i dobishëm për vendet e rajonit. Pa bashkëpunim rajonal të organeve të ndjekjes penale dhe akuzës trafikantët do të vazhdojnë të shkaktojnë viktima dhe pasoja sociale. Bashkëpunimi ndërkufitar mes vendeve të rajonit duhet forcuar. Kosova ka memorandum bashkëpunimi në këtë fushë me Shqipërinë por të tilla memorandume duhet të ketë mes të gjitha vendeve fqinjë. Kosova nuk ka një marrveshje të bashkëpunimit ndërkufitar me Serbinë p.sh. që do të sillte rezultate pozitive për të dyja vendet, jemi vende fqinjë por tani për tani mungon vullneti i palës serbe", thekson për DW, kryeprokurori Shyqyri Syla.
Ai thotë se në Kosovë ka trafikim të qenieve njerëzore dhe kontr abandim me migrantët sidomos në këta muajt e parë të këtij viti, kur një numër i madh kosovarësh kërkuan të migrojnë në vendet e BE për një jetë dhe të ardhme më të mirë. "Trafikantët kanë gjetur mundësi që të përfitojnë nga këta njerëz në nevojë. Kemi një strategji dhe një plan-veprim për të luftuar fenomenin. Javët e fundit është ndërprerë vala e migrantëve drejt vendeve të BE dhe një pjesë e mirë e tyre kanë filluar të kthehen në Kosovë", thotë kryeprokurori Syla.
Kosova është bërë një shembull pozitiv në rajon kur gjykata dënoi me 14 vjet burg një trafikant, dënim, që për nga numri i viteve të heqjes së lirisë konsiderohet shumë i rëndë.
Siç thekson menaxheri i projektit rajonal rajonal "Forcim i luftës kundër trafikimit të personave dhe kontrabandimit të migrantëve në Ballkanin Perëndimor", Andrea Dabzzi, takimi triditor i gjashtë vendeve të rajonit në Tiranë do të përmbyllet me propozimet konrekete për masa dhe veprime që duhet të ndërmarrë secili vend për të plotesuar mangësite dhe për të forcuar bashkëpunimin ndërkufitar.