Bajrojti 2015 me një muze të ri
28 Korrik 2015Hapja e Festivalit të njohur të Bajrojtit është shoqëruar me një eveniment. Pesë vite rresht duhej të priste bota vagneriane, tani muzeu u hap (26.07) me një ceremoni festive. "Shtëpia Wahnfried", ka qenë shtëpia ku ka jetuar vetë Riçard Vagner pas moshës 60 vjeçare dhe që nga vitet 70-të ajo ka qenë muze. Me një projekt 20 milionë euro ajo u restaurua dhe u hap për publikun. "Një ditë e rëndësishme për botën e Wagnerit", tha kryetarja e bashkisë së qytetit Bajrojt, Brigitte Merk-Erbe. Ajo i kërkoi politikës në fjalën e hapjes të krijojë kushtet që të bashkohen në Bajrojt të gjitha arkivat për Wagnerin.
Vetëm origjinalitet
Në "Shtëpinë Wahnfried" është sistemuar arkivi më i madh në botë i kompozitorit të famshëm. Stërmbesa e kompozitorit të famshëm Nike Wagner kujtoi në një fjalim të hareshëm, por edhe me ironi se kjo shtëpi ka qenë një lloj vile shumëngjyrëshe" gjithmonë. Ajo e ofroi veten si një "eksponat të përhershëm" për muzeun e ri. "Fëmijët e fundit të Wahnfried deklarojnë kështu se janë të gatshëm të jenë pjesë e muzeut" duke shtuar se "kanë mbetur kaq pak mobilje origjinale".
Por çfarë ka ndryshuar në muzeun e restauruar? Shtëpia ka më pak eksponate origjinale dhe më shumë elementë multimedialë. Por ato që shihen janë vërtet vetëm mobiljet origjinale dhe nuk janë bërë kopje, ideja është të mos krijohet një "Disney Land" me Wagnerin, thekson drejtori i muzeut Sven Friedrich. "Nuk donim t'u shtonim origjinaleve kopje historizuara, kjo do t'i kishte zhvlerësuar origjinalet", thekson Friedrich. Ndërkohë habia për vizitorët ishin mobiljet e mbuluara me çarçafë të bardhë e mbi to ishin vendosur eksponatet - kjo me qëllim të duket se familja Wagner ndodhet për momentin në udhëtim.
Megjithë lavdinë e kompozitorit, një hije e errët bie mbi "Wahnfried" për shkak të lidhjeve të klanit Wagner me Hitlerin në vitet 30-të. Adolf Hitler e ka vizituar disa herë shtëpinë e kompozitorit të famshëm, të njohur edhe si antisemit. Nacionalistët u përpoqën ta bënin për vete veprën e kompozitorit, dhe antisemitizmi i Wagnerit e ka favorizuar këtë. "Përballja me ambivalencën e personit dhe veprës simbolizon sfidën në mënyrën se si veprojmë ne me traditën tonë kulturore", u shpreh ministrja gjermane e shtetit për Kulturën, Monika Grütters.
Himn Wagnerit
Festivali i Bajrojtit është një himn dedikuar kompozitorit të famshëm, më së shumti aty vihen në skenë veprat e tij, nga Tristani dhe Isolda" deri tek "Parsifal". Por kush është i pasionuar pas muzikës klasike i duron me dëshirë 5 orët për të ndjekur "Tristanin", apo të gjithë botën vagneriane e frymëzuar nga mitologjia gjermane. 240 euro është çmimi mesatar i një bilete për një vend diku në mes, sigurisht gjen bileta edhe për 15 euro, por jo me shikim të mirë drejt skenës. Një kontigjent biletash dhurohet -dhe sigurisht për personalitete të njohura.
Kancelarja Merkel është vizitore e rregullt e Festivalit. Një detaj është përmendur në median gjermane pas hapjes së festivalit. Në pushimin e parë të operës, Tristani, në fundjavë shumë media shkruan se Merkelit i ra të fikët, duke u shqetësuar për gjendjen shëndetësore, por karrigia ku ishte ulur kancelarja ishte e prishur, dhe Merkeli me sa duket ka rënë nga karrigia. Merkel është në gjendje të mirë shëndetësore u shpreh zëdhënësi i saj.