Bavarezët realizojnë ëndrrën për 'finale në shtëpi'
26 Prill 2012Bajerni i Mynihut mundi Realin në Madrid pas gjuajteve me penallti, pasi që ndeshja në kohën e rregullt dhe në vazhdime përfundoi me rezultat 2:1 për Realin. Në këtë mënyrë Reali anuloi epërsinë e Bajernit të arritur një javë më parë në Mynih, por asnjëri ekip nuk mund të realizoi ndonjë epërsi.
Në 15 minutat e parë të ndeshjes Reali shënoi dy gola. Të dyja i realizoi lojtari më i shtrenjtë në botë Ronaldo. Ndërsa për Bajernin shënoi Arjen Robben. Pas 120 minutash loje dramatike, fituesi u përcaktua me penallti.
Heroi Neuer
Heroi i penalltive ishte portjeri bavarez Manuel Neuer. Ai mbrojti dy penalltitë e para, të lojtarëve të cilët deri tani kanë shënuar transferimet më të shtrenjta në botë: Ronaldo dhe Kaka. Nga ana tjetër, për ekipin bavarez shënuan me sukses 19 - vjeçari Alaba dhe Mario Gomez. Por Ikar Kasiljas mbrojti dy gjuajtjet tjera - të kapitenit Lahm dhe Toni Kros. Kështu që pas katër gjuajteve - rezultati ishte i barabartë.
Në gjuajtjet e pesta vendimtare qendërmbrojtësi nga Madridi Ramos gjuajti lart mbi portë ndërsa Bastian Schwensteiger realizoi penalltinë vendimtare dhe kështu mori fund një prej ndeshjeve më intenzive në historinë e Ligës së Kampionëve.
Bajern - Çelsi në finale
Për lojtarët dhe udhëheqësinë e Bajernit ishte kjo një ndeshje shumë e rëndësishme sepse loja finale luhet në Mynih me 19 maj. Deri tani në histroinë e kësaj Lige asnjë ekip nuk ka arritur të luajë finalen në stadiumin e vet. Bajerni ka shansin që të fitojë titullin para tifozëve të vet. Kundërshtar i Bajernit do të jetë Çelsi i Londrës, i cili të martën bëri një senzacion të jashtëzakonshëm duke eliminuar Barcelonën e favorizuar.
Autor: Bahri Cani
Redaktoi: Elert Ajazaj