Bajerni i Mynihut për të 19 herë kampion i Gjermanisë në futboll
2 Maj 2005Që titulli kampion do të fitohej nga Bajerni i Mynihut kjo po dallohej që javën e kaluar; pyetja që shtrohej ishte vetëm ajo e çastit të shpalljes. Duke fituar 0:4 në Kaizerslautern me një paraqitje mbresëlënëse bavarezët kryen pjesën e tyre të punës për sigurimin sa më shpejt të titullit. Golat i shënuan Ballack dhe tre Makay. Si edhe javët e kaluara ndjekësit gabuan. Në Gelzenkirhen megjithëse udhëhiqte 3:1 Shalke 04 nuk ia doli ta ruante fitoren dhe i dorëzoi një pikë Bajer Leverkuzenit, i cili barazoi në 3:3 me dy gola të sulmuesve Berbatov dhe Voronin. Shtutgarti zhgënjeu plotësisht me humbjen 2:0 në Mënhengladbah.
Pra tri javë përpara mbarimit të kampionatit Bajerni është kampion. Është ky titulli i 19 për Bajernin. Për trajnerin e Bajernit Felix Magath ky ishte titulli i parë kampion në karrierën e tij si trajner. Ish-lojtari i kombëtares ishte angazhuar nga Bajerni në fillim të sezonit dhe drejtonte më parë ekipin e Shtutgartit:
"Ia dolëm të krijojmë një njësi. Shumë shpejt hodhëm themelet për një bashkëpunim të suksesshëm, pasi si në kampionat ashtu edhe në kupat e Evropës treguam ndeshje shumë të mira. Dhe fakti që tani shpallemi kampion disa javë përpara përfundimit të kampionatit flet për lojën tonë shumë të mirë këtë sezon."
Bajerni u ngjit në krye të renditjes nga mesi i kampionatit, por atëherë të gjithë prisnin një dyluftim për titullin. Kampionët e vjeshtës Bajerni dhe Shalke 04 ishin me pikë të barabarta. Madje në mes të marsit pas një humbjeje 1:0 në Shalke Bajerni gjendej tri pikë prapa bluve, të cilët e humbën pozitën e favorshme brenda pak javësh. Manaxheri i Bajernit Uli Hoeneß pas vërshëllimës së fundit në Kaizerslautern:
"E dija që do të fitonim këtu; ishte e qartë që do të dilnim kampion. Se a do ishte sot, javën e ardhshme apo një më vonë kjo nuk kishte rëndësi. Rëndësi ka që dolëm kampionë."
Dramatikë në takimin Bohum / Mainc midis dy kandidatësh për kategorinë e dytë. 2:6 u mundën vendasit dhe të demoralizuar ata duket se do të jenë të dytët pas Frajburgut që bien nga kategoria.
Hanza e Rostokut, ekipi i tretë më i rrezikuar për rënie, mundi 2:1 Hertën e Berlinit duke ruajtur mundësinë minimale për të mbetur në kategorinë e parë dhe duke u dhënë një goditje ambicjeve të berlinezëve për pjesëmarrje në Champions League.
**
Edhe në Angli njihet tashmë fituesi i titullit. Chelsea fitoi kundër Boltonit 0:2 me dy gola të shënuar nga Frank Lampard dhe mund të përqendrohet tani tërësisht tek ndeshja e nesërme gjysmëfinale në Liverpul për Champions League-n.
Në Spanjë 4 javë përpara përfundimit të kampionatit Barcelona rivendosi largësinë prej 6 pikësh ndaj Realit të Madridit.
Në Itali Juventusi pas fitores 2:1 ndaj Bolonjës u ngjit në kuotën e 76 pikëve sa edhe i pari Milani. Të dielën luhet takimi vendimtar Milan / Juventus.