1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Austria pro, Azerbajxhani dhe Bjellorusia kundër

3 Dhjetor 2009

Ditën e tretë të dëgjimit publik para Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë paraqitën argumentet e tyre Austria, Azerbajxhani dhe Bjellorusia. Kësaj radhe u dëgjuan më shumë zëra kundër se sa pro pavarësisë së Kosovës.

https://p.dw.com/p/KphR
flamuri i kosoves
Fotografi: picture-alliance/ dpa

Ndryshe nga dita e djeshme, kur vetëm Argjentina ishe kundër ndërsa Shqipëria, Gjermania dhe Arabia Saudite e mbështetën pavarësinë e Kosovës, sot rezultati ishte dy me një kundër Kosovës. Përfaqësuesi i Ministrisë së Evropës dhe Çëshjteve Ndërkombëare të Austrisë, ambasadori Helmut Tichy, theksoi se shpallja e pavarësisë së Kosovës është bërë në harmoni me të drejtën ndërkombëtare.

Që në fillim Tichy theksoi se deklarata jo vetëm që zgjidh statusin e Kosovës, por: "Deklarata e pavarësisë i kontribuon dialogut dhe bashkëpunimit mes Serbisë dhe Kosovës, si dhe vendosjes së paqës dhe sigurisë në rajon."

Ambasadori austriak theksoi se deklarata e pavarësisë është shpallur nga përfaqësuesit legalë të Kosovës, të zgjedhur me mjete demokratike, dhe jo nga përfaqësuesit e autoriteteve të përkohshme. Deklarata nuk është në kundërshtim as me rezolutën 1244 të KS të OKB-së, sepse edhe ajo parashikon zgjidhjen e statusit. Deklara nuk është as në kundërshtim me parimin e integritetit territorial dhe sovranitetin të shteteve.

Ambasadori Tichy rikujtoi se edhe vendet tjera të ish-Jugosllavisë: Sllovenia, Kroacia, Maqedonia dhe Bosnje-Hercegovina kanë bërë deklarata të ngjashme pa e shkelur parimin e integritetit territorial. "Rezoluta 1244 nuk e përjashton ndarjen e Kosovës nga Serbia dhe krijimin e një shteti të ri" - theksoi ambasadori Tichy duke shtuar se deklaratën nuk e ka kundërshtuar asnjë organ i OKB-së. Ai rikujtoi se Kosovën e kanë njohur 63 vende, ndër to edhe Austria, të cilat kanë vendosur edhe raporte diplomatike me këtë vend. Kosova ndërkohë është bërë anëtare e institucioneve ndërkombëtare si FMN, apo Banka Botërore.

Ambasadori i Azerbajxhanit në Holandë, Agshin Mahdiyev, ishte i mendimit të kundërt. Ai tha se pavarësia e Kosovës është shpallur në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare. Në radhë të parë ai theksoi paprekshmërinë e integritetit territorial dhe sovranitetit të shteteve të njohura ndërkombëtarisht si dhe mosndërhyrjen në punët e brendëshme të shteteve.

"Drejtësia është më e rëndësishme se forca," - theksoi Mahdijev. Sipas tij prej vitit 1945 deri më sot asnjë shtet nuk është krijuar duke e shpallur pavarësinë me deklaratë të njëanshme.

Ambasadorja e Bjellorusisë në Holandë, Elena Gritsenko po ashtu e kundërshtoi pavarësinë e Kosovës duke theksuar paprekshmërinë e integritetit territorial dhe të drejtën e vetvendosjes së popujve dhe jo të pakicave. Bjellorusia është e mendimit se për vlerësimin e këtij procesi duhen shikuar disa dokumente të rëndësishme, siç janë Karta e OKB-së, dokumenti final i Helsinkit, rezoluta 1244 të KS të OKB-së etj.

Gritsenko theksoi se e drejta ndërkombtare parashikon vetvendosjen e brendshme dhe eksterne. Kosova sipas saj mund të ketë vetëm të drejtën e autonomisë brenda Serbisë. "Kosova nuk e ka të drejtën e ndarjes nga Republika e Serbisë," - theksoi ajo duke shtuar se rezoluta 1244 konifirmon ruajtjen e integritetit territorial të Serbisë.

Autor: Bahri Cani
Redaktor: Pandeli Pani