1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Austria dhe raporti me Hitlerin

Eliana Xhani11 Mars 2013

75 vjet pas të ashtuquajturit "bashkim" me Gjermaninë e Hitlerit, Austria diskuton për përgjegjësinë e saj historike. Kjo ka rëndësi të veçantë në sfondin e tendencës për "lënie pas" të së kaluarës.

https://p.dw.com/p/17v0u
Hyrja e Vehrmahtit në Vjenë
Hyrja e Vehrmahtit në VjenëFotografi: picture-alliance/dpa

11 mars 1938, ora 19:47: Kurt Schuschnigg mban fjalimin e tij të fundit si kancelar i Austrisë. "Zoti e mbrojttë Austrinë", ishin fjalët e tij të fundit. Hitleri kishte bërë shantazh ndaj Austrisë: ose qeveria do të jepte dorëheqjen ose trupat gjermane do të pushtonin Austrinë. Presidenti austriak Miklas dhe kancelari Schuschnigg e dinin se qendresa ishte e kotë.

E nesërmja, 12 mars 1938 do të shënonte fundin e shtetit të Austrisë. Në orën tetë të mëngjesit në Austri marshuan trupat e ushtrisë së tetë të Vermahtit (Wehrmacht) gjerman. Pak para orës 16, autovetura e Adolf Hitlerit kalonte kufirin në Braunau am Inn, ku ai kishte lindur në 1889. Qendresë nuk pati, por në këmbim shumë brohoritje.

Adolf Hitleri duke hyrë në Braunau
Adolf Hitleri duke hyrë në BraunauFotografi: picture-alliance/akg-images

Vullnetarisht, apo me detyrim?

Pyetjet, të cilat trazojnë që prej fundit të luftës historianë, politikanë dhe shoqërinë, para së gjithash brenda, por edhe jashtë Austrisë, janë: a ndodhi i ashtuquajturi "bashkim" i republikës së Alpeve me Rajhun gjerman vullnetarisht apo me detyrim? Ishte Austria viktimë apo bashkëfajtore?

Ari Rath, vjenez me besim hebre, ishte asokohe 13 vjeç. Atij i kujtohet mirë 12 marsi 1938: "Unë dhe vëllai im po shkonim të vizitonim gjyshen. Donim të shihnim nëse ishte gjithçka në rregull. Që mbi shtëpi ishin ngritur flamuj me kryqin e thyer, e prisnim. Por ajo që na tronditi ishte që atë të shtunë, 12 mars, e gjithë policia e Vjenës ishte pajisur me shirita me kryqin e thyer në krah. Kjo duhet të ketë e qenë e parapërgatitur." Dhe kështu ishte, pa dyshim.

Ari Rath u arratis më 1938 në Palestinë
Ari Rath u arratis më 1938 në PalestinëFotografi: Leonhard Hilzensauer

Që një muaj më parë, 12 shkurt 1938, Hitleri i kishte diktuar një marrëveshje kancelarit të Austrisë, Schuschnigg: mbi bazën e saj  njeriu i Hitlerit, Seyß-Inquart, u bë ministër i Brendshëm i Austrisë dhe mori kështu kontrollin mbi policinë. Veç kësaj Hitleri kërkoi me anë të shantazhit heqjen e ndalimit të NSDAP-së në Austri. Tashmë rruga ishte e lirë për përgatitjen e "bashkimit" nga brenda, pasi në të vërtetë nacionalsocialistët austriakë kishin infiltruar prej kohësh në ekzekutiv dhe administratë.

Brohoritje në Vjenë

Adolf Hitler mban fjalim në Sheshin e Heronjve në Vjenë, 1938
Adolf Hitleri mban fjalim në Sheshin e Heronjve në Vjenë, 1938Fotografi: Getty Images

Një ditë pas marshimit të Vermahtit në Austri, më 13 mars, në Berlin në fletoren zyrtare të Rajhut botohej "Ligji për ribashkimin e Austrisë me Rajhun gjerman", nënshkruar nga fyhreri dhe kancelari i Rajhut, Adolf Hitler.

Dy ditë më vonë ai u brohorit nga 250.000 vetë në sheshin e heronjve në Vjenë. Me zërin e tij piskatës Hitleri nënvizoi fatin e përbashkët gjermano-austriak, historinë dhe misionin e përbashkët: "Territori më i vjetër i perandorisë gjermane do të jetë tani fishekzjarri më i ri në kombin dhe në Rajhun gjerman". Armikun e përbashkët Hitleri e lokalizoi në Lindjen komuniste. Fjalia e fundit e fjalimit të tij u mbyt nga brohoritjet dhe duartrokitjet: "Si fyhrer dhe kancelar i kombit dhe Rajhut gjerman, shpall tani para historisë hyrjen e atdheut tim në Rajhun gjerman."

Kthimi i shtetit të pavarur austriak në një territor të Rajhut gjerman nuk u votua në parlament, por nga populli austriak. Në 10 prill 99,7 për qind e austriakëve me të drejtë vote votuan për bashkimin, një rezultat i arritur në një mënyrë tipike për nacionalsocializmin: përmes influencimit, propagandës dhe terrorit. Megjithatë nuk duhet harruar se patriotizmi austriak pas shpërbërjes së Perandorisë së Habsburgëve më 1918, ishte i dobët dhe dëshira për një bashkim me Rajhun gjerman shumë e përhapur në pjesë të gjera të popullsisë.

Gjeneza e tezës së viktimës

Që gjatë luftës aleatët janë marrë me rolin e Austrisë në kohën e nazizmit. Në tetor 1943 ministrat e jashtëm të SHBA-së, Britanisë së Madhe dhe Bashkimit Sovjetik u mblodhën në Moskë. Ata hartuan të ashtuquajturën "deklaratë të Moskës", në të cilën thuhet: "Austria është vendi i parë i lirë, që ra viktimë e agresionit hitlerian...". Ky paragraf u bë baza e së ashtuquajturës "tezë e viktimës" dhe pas luftës u kthye në doktrinën e shtetit në Austri.

Shtëpia ku lindi Hitleri në Braunau
Shtëpia ku lindi Hitleri në BraunauFotografi: picture-alliance/dpa

Me qëllim ose jo, u injorua fakti që deklarata nuk mbaronte me kaq: aleatët i bënin thirrje austriakëve për qendresë kundër regjimit nazist dhe i kujtonin Austrisë bashkëpërgjegjësinë për luftën në krah të Gjermanisë hitleriane.

Largimi nga roli komod i viktimës

Kjo perspektivë ndryshoi në fund të viteve 1970: qysh atëherë në radhët e historianëve austriakë mbizotëron konsensusi se ka pasur një shtysë të fortë nga brenda për bashkimin. Veç kësaj bashkëpunimi dhe bashkëautorësia kanë qenë mjaft të përhapura, thotë Oliver Rathkolb, profesor për historinë bashkëkohore në Universitetin e Vjenës. "Për ekseset pjesërisht brutale pas bashkimit, kundër hebrenjve, ka pasur shumë publikime. Ajo që ka ndryshuar është qendrimi publik ndaj 'bashkimit'".´

Rathkolb thekson se ka parasysh para së gjithash qendrimin e elitave politike, me përjashtim të partisë populiste FPÖ. Partia e Lirë e Austrisë (FPÖ) nuk do të bëjë shumë zhurmë në përvjetorin e 75-të, beson historiani vjenez. Në të kaluarën ajo ka rënë vazhdimisht në sy me deklarata raciste, homofobe dhe armiqësore ndaj fesë islame.

Brez i ri, qasje të reja

Historiani Rathkolb shqetësohet para së gjithash për të dhënat që rezultojnë nga sondazhe të kohëve të fundit në Austri dhe Gjermani. Ato tregojnë vërtet se në të dy vendet nacionalsocializmi dhe antisemitizmi shihen me sy kritik, por tek brezi i ri ekziston edhe një tendencë e fortë për ta lënë pas të shkuarën. Ai arrin në konkluzionin se historia duhet diskutuar nga e para çdo dhjetë vjet dhe duhet të pregatitet për brezat e ardhshëm. Për këtë arsye 75-vjetori është një rast i përshtatshëm për një diskutim të ri publik të rolit të Austrisë dhe për të penguar ringjalljen e doktrinës së viktimës.

Ari Rath është shumë i bindur se Austria do ta përkujtojë këtë vit me dinjitet 12 marsin. Me atdheun të cilit i ktheu shpinën në moshën 13-vjeçare, ai ka bërë paqe. "U desh shumë kohë derisa isha i gatshëm të merrja përsëri shtetësinë austriake." Por tani, 75 vjet më vonë, ai sërish ka "një valixhe në Vjenë".

Autor: Birgit Görtz/ Eliana Xhani

Redaktoi: Auron Dodi