1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Austri-Sllovaki:Asnjë gjurmë në kufirin dikur perde e hekurt

Danko Handrick
8 Maj 2019

Meqënëse Bratislava si kryeqytet është kthyer në qendrën ekonomike të Sllovakisë, qiratë e çmimet e imobiljeve janë bërë të papërballueshme për familjet sllovake. Ndaj tendenca është tani për shpërngulje drejt Austrisë.

https://p.dw.com/p/3I5Xl
Slowakei Martinsdom in Bratislava
Fotografi: picture-alliance/blickwinkel/K. Thomas

Apartamente bosh pothuajse nuk ka më në Bratislavë. Edhe nëse gjendet ndonjë i tillë sekserja Beata Farkasova e jep atë menjëherë me qira. Një apartament p.sh. 60 metra katror kushton 750 Euro në muaj. Por nëse do të blesh një apartament ai kushton rreth 3000 Euro metri katror. Praktikisht askush me të ardhura mesatare nuk mund ta përballojë një çmim mbi 1000€ për metër katror në kryeqytetin sllovak. Sekserja Farkasova: „Kur njerëzit blejnë këtu një apartament, përpiqen ta kenë atë për të gjithë jetën. Të paktën për 30 vjet. Ata lidhen me një hipotekë, pavarësisht riskut që sjell ajo me vete. Këtu në Bratislavë pagat janë disi më të larta, por megjithatë nëse ndokush do të marrë me qira apo të blejë një apartament në qendër, i duhet një kombinim me dy rroga mujore, disa qiraxhinj e ndajnë bashkë një apartament, në varësi se sa e lejon vetë qiradhënësi."

Bratislava është në bum dhe shumë sllovakë për këtë arsye preferojnë të shpërngulen në Austrinë fqinjë. Për vetëm dhjetë minuta kalon përtej kufirit nga Bratislava në Burgenlandin e Austrisë. Sa shkel në këtë hapësirë rurale menjëherë të bien në sy targat sllovake. Mijëra sllovakë janë shpërngulur dekadën e fundit në këtë zonë kufitare, ku dikur kalonte perdja e hekurt.

Familja Sloboda e realizoi piëkrisht këtu në vitin 2013 ëndrrën për një shtëpi më oborr. Sona punon si mësuese në Bratislavë – i shoqi Martin është sipërmarrës në degën e turizmit. Të dy janë tani austriakë të rinj. Ishte edhe çmimi që i bindi ata për jetën në Austri. Ndonëse kur vjen nga kryeqyteti, një qytet i madh si Bratilava, këtu në Kittsee, të duket sikur vjen në fund të botës, thotë Martin Sloboda, ata ndihen mirë këtu.

Shumë banorë këtu nuk kanë problem me sllovakët - por disa të tjerë i shqetëson rritja e shpejtë e komunës. Gerhard Heiret tregon, se dikur këtu vinin të huaj në këtë rajon vetëm në kohën e të vjelave të kajsive. „Hapësira rurale po humbet gjithnjë e më shumë. Integrimi është natyrisht i vështirë nëse me 1900 banorë të Kittsee-së do të integrosh edhe rreth 1500 sllovakë. Kjo funksionon, por ngadalë, ecën disi."

Funksionon shumë mirë na thonë në klubin e futbollit, ku luan edhe Heinrich - djali i familjes Sloboda. Sllovakët marrin pjesë në jetën e fshatit e kështu ata po zhvillohen së bashku në Kittsee. "Sporti është një rrugë për integrimin. Që fëmijët luajnë me njeri-tjetrin, kjo tregon, se për brezin e ri as që do të shtrohet një debat i tillë", thotë Sona Sloboda.

Edhe traineri Roland Tauch nuk ka përse të shqetësohet për brezat pasues. Se sa sllovakë saktësisht luajnë në ekip, ai nuk e di, sepse kjo as që është temë për ta. „Natyrisht është një avantazh i madh, sepse ka shumë fëmijë dhe shumë të talentuar. Klubi është zgjeruar. Ka më shumë ekipe, më shumë fëmijë dhe ky është avantazh jo vetëm për klubin, pro edhe për komunën". 

E kësisoj Europa po forcohet në Kittsee-në e vogël, mendon Sona Sloboda. Nga kufiri, që dikur ka qenë perde e hekurt mes Austrisë dhe Sllovakisë tani nuk gjen më asnjë gjurmë.