Atmosfera para zgjedhjeve lokale në veri të Kosovës
18 Maj 2019„Arsyeja përse marr një vendim të tillë, është vendosja e taksës 100 përqind për mallrat, që vijnë nga Serbia, dhe sulmi i njësisë speciale ROSU, arrestimi i bashkëqytetarëve tanë dhe përpjekja për të vrarë nënkryetarin e listës sonë, Milan Radoiҫiq", deklaroi ish-kryetari i bashkisë së Mitrovicës Veriore dhe kryetar i Listës Serbe (LS), Goran Rakiҫ, në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës me 27 nëntor të vitit të kaluar.
Atë ditë të njëjtën deklaratë e nënshkruan edhe kolegët e partisë së tij në tri komunat e tjera në veri, si edhe anëtarët e Këshillit bashkiak të LS. Siҫ pohuan, me këtë hap ata pushuan së ekzistuari si institucione të Kosovës në Veri. Pak më shumë se katër muaj më vonë Presidenti i Kosovës, Hashim Thaҫi, shpalli zgjedhje të jashtëzakonshme lokale në këto komuna.
Megjithëse taksat për mallrat nga Serbia dhe Bosnje-Hercegovina nuk janë hequr dhe të dyshuarit për vrasjen e Oliver Ivanoviҫit nuk janë liruar, LS pas konsultimeve me Vuҫiҫin vendosi të dalë në zgjedhje. Sipas Goran Rakiҫ ky vendim atëherë është marrë, me qëllim që të mos u merrte drejtimin e komunës „ndonjë shqiptar apo marionetë serbe".
Opozita është mbytur jo vetëm në kuptimin metaforik të fjalës
Në këto zgjedhje do të kandidojnë nga tre kandidatë në secilën komunë, respektivisht kandidatë nga LS, Vetëvendosja dhe PDK. Me përjashtim të komunës së Zubin Potokut kandidatët e LS janë ish-kryetarë bashkish, që kanë dhënë dorëheqjen në shenjë proteste.
Për Sanja Sovrliҫ, redaktore e portalit Bota bardh e zi, përshtypja kryesore nga këto zgjedhje është fakti se në komunat me shumicë serbe ka vetëm një kandidat nga komuniteti serb, që vjen nga një parti e vetme politike. „Opozita në veri të Kosovës është vrarë, e ҫfarë është më e keqja, kjo nuk është metaforë, por është vërtetë kështu", thotë Sovrliҫ për DW, duke kujtuar vrasjen e dy kandidatëve për kryetar komune në Mitrovicën Veriore, Dimitrije Janićijeviҫ në vitin 2014 dhe Oliver Ivanoviҫ në vitin 2018.
Vrasja e këtyre dy kandidatëve është edhe njëra prej arsyeve, përse blloku opozitar, të quajtur "Aleanca për Serbinë", "Aleanca për Kosovën dhe Metohinë", vendosën të mos marrin pjesë në zgjedhje. Njëra nga anëtaret e këtij blloku, e quajtur Lëvizja popullore e serbëve të Kosovës dhe Metohisë „Otadžbina“ (Atdheu), shkoi edhe një hap më tej duke i bërë thirrje qytetarëve që të bojkotojnë „zgjedhjet separatiste“.
Megjithatë pjesëmarrja e lartë në zgjedhje është një nga qëllimet kryesore të fushatës së LS, thotë Sovrliҫ. „Për Listën Serbe ka rëndësi që të ketë numër të madh votash dhe mendoj që ajo do të bëjë gjithҫka që dalja në zgjedhje të jetë së paku e njëjtë, nëse jo më e madhe se në zgjedhjet e kaluara, sepse kjo i jep mbështetje LS. Atyre u duhet konfirmimi se kanë mbështetje për politikën e presidentit Vuҫiҫ ndaj Kosovës“, pohon Sovrliҫ për DW. Lëvizja Otadžbina ka akuzuar LS se ushtron presion ndaj të punësuarve në sektorin publik, që të dalin në zgjedhje.
Shpend Emini, drejtor ekzekutiv i organizatës Demokracia për Zhvillim në Prishtinë, e cila është pjesë e koalicionit "Demokracia në aksion", që monitoron vazhdimisht proceset zgjedhore në Kosovë, është megjithatë i mendimit se kërcënimet do të kenë ndikim negativ në pjesëmarrjen në zgjedhje. „Kërcënimet ndaj atyre, që nuk i ndjekin politikat e Beogradit dhe atyre, që janë përfaqësues të „vërtetë“ të serbëve të Kosovës, do të rezultojnë në uljen e pjesëmarrjes ne zgjedhje dhe shtimin e ndjenjës së deziluzionit ndaj besueshmërisë së procesit zgjedhor në veri të Kosovës“, thekson Emini. Nga ana tjetër LS ashtu si edhe vitet e mëparshme fushatën e ka bazuar te uniteti. „Vetëm serbe (Srpska)“ është slogani i kësaj fushate dhe kandidatët dërgojnë mesazhin se zgjedhjet përfaqësojnë „një referendum për ekzistencën e serbëve në Kosovë“.
Kritika nga Prishtina
Vërejtjet më të mëdha nga Prishtina në llogari të LS vijnë për shkak të njoftimeve për mundësinë e një bllokade institucionale. Me fjalë të tjera, në të njëjtën ditë, kur njoftuan se do të dalin në zgjedhje, nga LS u la të kuptohet se ka mundësi që pas „fitores bindëse“ të japin përsëri dorëheqje. Një deklaratë e tillë të LS në Prishtinë shumë e kanë konsideruar si sabotazh të institucioneve të Kosovës dhe shkelje të së drejtës së qytetarëve për të patur shërbimet e qeverisjes lokale.
„Pritet që Lista Serbe të fitojë zgjedhjet në katër komunat, megjithatë, ata përfaqësojnë interesat e Beogradit në Kosovë, jo interesat e atyre që do të duhej të përfaqësonin. Periudha pas zgjedhjeve ka për të qenë kritike, atëherë kemi për të parë nëse kryetarët e bashkive do të respektojnë funksionet e tyre, apo do t‘i rrëzojnë plotësisht rezultatet e zgjedhjeve“, shpjegon Shpend Emini opinionin në Prishtinë.
Shqetësimin e Prishtinës, se Beogradi përmes Listës Serbe synon të ndikojë në proceset e brendshme në Kosovë, e konfirmoi të premten Vuҫiҫ me fjalët se nuk ka turp të thotë, se Beogradi përmes Listës Serbe ruan ndikimin në Kosovë. „Kosova dhe Metohia është me kushtetutë territor i yni, do të gjejmë mënyrat më të mira të mundshme se si të veprojmë në rrethanat e dhëna, shumë të vështira“, tha Vuҫiҫ.
Dita e zgjedhjeve nuk ka për të kaluar e qetë?
Njoftimet për incidente të sigurisë në Veri janë shpesh temë e faqeve kryesore të tabloideve të Beogradit. Kësaj rradhe, ditën e premte, të fundit të fushatës,Vuҫiҫ e shfrytëzoi jo vetëm për të ftuar qytetarët që të dalin sa më shumë të jetë e mundur në zgjedhje dhe të votojnë për LS, por edhe për të paralajmëruar se dita e zgjedhjeve nuk do të kalojë e qetë. Duhen pritur provokime të Prishtinës, e cila për destabilizim do të përdorë edhe policinë, dhe „serbët e saj“, bëri të ditur ai.
„Më frikëson fakti, që presidenti flet për tensione pa u përgjigjur se nga i ka informacionet dhe në ҫfarë baze e thotë një gjë të tillë. Ne na sugjeron se është fjala për kriza të krijuara nga politika“, thotë Sovrliҫ. Kurse Shpend Emini vlerëson se rrezikun më të madh për procesin e përbën mungesa e pluralizmit. „Ndërsa nuk pres që të ketë incidente që do të mund të vinin në pikëpyetje procesin zgjedhor, theksoj se pjesëmarrja e një force të vetme politike, që përfaqëson serbët e Kosovës, është e dëmshme për pjesëmarrjen e barabartë në procesin zgjedhor“, thotë ai për DW.
Këto janë zgjedhjet e treta për kryetarë komunash, që shpallen në komunat veriore sipas ligjeve të Kosovës. Zgjedhjet e mëparshme janë mbajtur në vitin 2012 dhe 2017. Të drejtë vote kanë rreth 58 000 zgjedhës. Në zgjedhjet e fundit për kryetarë të komunave në Mitrovicën e Veriut, Leposaviҫ, Zveҫan dhe Zubin Potok morën pjesë rreth 25 000 votues.