1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Assadi si partner i Perëndimit?

Diana Hodali / exh24 Gusht 2014

"Shteti Islamik" po lufton edhe në Siri. Edhe pse Presidenti Assad tani është duke luftuar një luftë të rrezikshme kundër terroristëve, ai mund të jetë i sigurt se nuk është më armiku publik numër një në Perëndim.

https://p.dw.com/p/1CzpO
Bashar al-Assad
Fotografi: Reuters/Syria TV

Prej më shumë se tri vjetësh në Siri zhvillohet luftë. Më shumë se 190.000 njerëz janë vrarë, shumë qytete dhe lokalitete janë shkatërruar. Lufta ndërkohë ndërkombëtare kundër grupit terrorist "Shteti Islamik" (IS) në Irak i ka lënë në hije ngjarjet dhe zhvillimet në vendin fqinj. Ndërkohë IS-i, i cili fillimisht u krijua si një degëzim në Irak i grupit terrorist Al-Kaida, ka marrë forcë dhe rritje të re pas luftimeve në qytetin sirian Rakka. Bashar al-Assad fillimisht nuk bënte diferencime në luftimet kundër armiqve të tij: për të ishin të gjithë "terroristë". Në një intervistë me agjencinë e lajmeve AFP ai deklaroi se kanë qenë vetëm "terroristët" ata që kanë kryer masakra kundër popullit sirian. Për pyetjen përse në fillim të vitit 2012 ai liroi qindra islamistë nga burgu Saidnaja në Damask, pjesa më e madhe të cilëve drejtues të grupeve salafiste, vetëm mund të spekulohet. Ekspertët për Sirinë e akuzojnë se regjimi synonte me këtë të theksonte pamjen e tmerrit të artikuluar vazhdimisht për sundimin e islamistëve.

IS kundër regjimit

Grupet opozitare siriane janë pajisur vetëm pak muaj më parë me armë nga Franca, siç bëri të ditur Presidenti francez François Hollande. Megjithatë kundërshtarët e moderuar të regjimit janë duke u zmbrapsur, pasi iu duhet të luftojnë njëkohësisht kundër regjimit dhe ekstremistëve. Në fillim xhihadistët nuk luftonin kundër ushtrisë së Asadit, por për sundimin në zonat e çliruara më parë nga rebelët sirianë. Qendresa kundër Assadit kështu u dobësua, gjë që i përshtatej mjaft mirë regjimit.

ISIS Kämpfer in Rakka Syrien
Milicë të IS-it në RakkaFotografi: Reuters

"Ushtarakisht IS është ndërkohë kërcënimi më i rrezikshëm për Assadin", tha politologu Jochen Hippler nga Universiteti Duisburg në një intervistë në Deutschlandfunk. Në Aleppo për shembull kundërshtarët më të moderuar të regjimit janë gjithnjë e më shumë në pozicion mbrojtjeje. Pak ditë më parë luftëtarët e IS-it përparuan në Aleppo. Grupi terrorist kontrollon në veri dhe lindje të Sirisë rreth një të tretën e sipërfaqes së vendit. Ekstremistët e IS-it dhe ushtarët e regjimit sirian të premten zhvilluan luftime të ashpra për një aeroport ushtarak me rëndësi strategjike në lindje të vendit. Ai është bastioni i fundit i regjimit në provincën lindore siriane Al-Rakka. Nëse ekstremistët do të marrin aeroportin mund të sundojnë të pashqetësuar rajonin. Përparimet në territor të IS-it i shkaktojnë mjaft vështirësi regjimit: për këtë arsye arma ajrore siriane bombardoi për herë të parë me vendosmëri "Shtetin islamik". Edhe SHBA bënë të ditur se nuk përjashtohen më sulmet kundër IS-it në Siri. Ekspertët janë të mendimit se përparimi i milicisë terroriste mund ta bënte Assadin një partner të Perëndimit, edhe pse të padëshiruar. Megjithëse Britania e Madhe e përjashton bashkëpunimin me të.

Partner i mundshëm i padëshiruar

Jo më larg se javën e kaluar Presidenti Barack Obama e cilësoi asgjesimin e arsenalit të armëve kimike të Sirisë një etapë të rëndësishme. Në të njëjtën kohë ai i tërhoqi vëmendjen Assadit të mos kryejë akte mizorie kundër popullit të tij. Në deklaratën e Obamës nuk përmendej më largimi i Assadit. "Sulmet verbale kundër Assadit në Perëndim duket se janë pakësuar pasi tashmë ai nuk konsiderohet si problemi kryesor. Vëmendja është përqendruar më shumë tek IS-i", tha Jochen Hippler.

Ndërkohë që Perëndimi mbështet kurdët në Irak dhe SHBA kryen sulme ajrore, në luftën në Siri nuk pati ndërhyrje ushtarake. Shumë sirianë për këtë arsye ndihen të braktisur. "Ndërkohë edhe shumë sirianë nuk e shohin Assadin si të keqen më të madhe, por si të keqen më të vogël", tha Jochen Hippler. Veçanërisht kur sheh videot e shumta brutale të IS-it, shtoi Hippler, edhe pse regjimi i Assadit mund të jetë i keq. Për shkak të xhihadistëve duket se regjimi i Assadit nuk shihet më si kundërshtar jo vetëm nga një pjesë e popullsisë siriane por ndoshta edhe Perëndimi.