1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Ashtu si moti edhe statistika e papunësisë është "çmendur" ca

1 Dhjetor 2006

Mbizotërojnë komentet mbi rënien e numrit të të papunëve në Gjermani dhe mbi vizitën e papës në Turqi

https://p.dw.com/p/Armj
"Në kërkim të punës"
"Në kërkim të punës"Fotografi: AP

Tema të kësaj përmbledhjeje të shtypit gjerman janë vizita e papës Benediktit XVI në Turqi, takimet e tij me krerë të fesë myslimane dhe të asaj ortodokse si dhe rënia e numrit të të papunëve në Gjermani nën vijën magjike të katër milionve:

Për të parën herë që prej katër vjetësh numri i të papunëve në Gjermani ka rënë nën katër milion. Në nëntor u numëruan 3.995.000 të papunë; këta janë 89.000 më pak sesa në muajin tetor. Shkalla e papunësisë u ul papritur në 9,6 për qind.

Në lidhje me këtë Kölner Stadt-Anzeiger komenton:

Ashtu si moti edhe statistika e papunësisë në muajin nëntor është "çmendur" ca. Për të parën herë që prej dymbëdhjetë vjetësh këtë muaj papunësia nuk është rritur, por ka rënë. Kjo është sa sensacionale aq edhe e gëzueshme. Tani disa masa reformuese të qeverisë paskan kontribuar vërtet në rritjen e numrit të njerëzve të zënë me punë. Megjithatë arsyeja kryesore për këtë është konjunktura e mirë. Prandaj për politikën gjermane nuk ka shkak që të rrijë duarkryq. Për shembull duhen pakësuar në mënyrë më energjike pengesat burokratike. Ato i zemërojnë qytetarët dhe e frenojnë ekonominë. Shpenzimet shtesë të pagës janë një tjetër kantier ndërtimi, ku politika duhet të punojë më me vendosmëri. Nuk mjafton që të premtosh vazhdimisht uljen e kostos. Duhet të pasojnë veprat.

Po për këtë temë Financial Times Deutschland shkruan:

Fjala sensacion nuk i përket në fakt fjalorit të ekonomistëve, aq më tepër në Gjermaninë skeptike. Përballë shifrave të reja të papunësisë edhe vetë një pjesë e ekonomistëve heqin dorë nga qëndrimi i tërhequr. Për të parën herë që prej 2002-it regjistrohen më pak se katër milion të papunë. Pa dyshim hovi ekonomik e ka përfshirë tregun e punës dhe për sa kohë që të vazhdojë do të përmirësohet edhe punësimi. Nga ana tjetër çdo vend i ri pune do të thotë më shumë fuqi blerëse, kështu që hovi ekonomik stabilizohet edhe më shumë.

Ndërrojmë temë. Në lidhje me vizitën e papa Benediktit XVI në Turqi dhe takimin e tij me myftiun e madh të Stambollit, Mustafa Cagrici, dhe me patriarkun ortodoks, Bartolomeun I, lexojmë në Frankfurter Allgemeine Zeitung:

(...) Deklarata e përbashkët (...) nuk lejon asnjë interpretim tjetër, përveç atij që të dy palët janë të vendosura të eliminojnë të gjitha pengesat që i zënë rrugën rivendosjes së bashkimit të plotë fetar të Lindjes me Perëndimin. (...) Natyrisht, nuk duhet nënvlerësuar rreziku që afrimi midis Romës së "parë" dhe asaj të "dytë" të thërrasë në fushën e betejës Moskën. (...) Por Benedikti dhe Bartolomeu kanë vullnetin që për të mundshmen teologjike të krijojnë edhe hapësirën shpirtërore. Jo vetëm gjendja e të krishterëve, edhe gjendja e botës i detyron për këtë. Sikur të qe për papën dhe për patriarkun ekumenik ribashkimi i kishave nuk do të ishte çështje shekujsh, madje as dekadash.

Për të njëjtën temë gazeta Münchner Merkur:

Ishin pamje plot simbolikë ato që u transmetuan nga Stambolli në mbarë botën, edhe në atë myslimane. Papa që qëndron duke u lutur pranë myftiut në një xhami në Stamboll. Thirrje më të fuqishme për pajtim dhe paqe nuk mund të ketë. Fuqisë apeluese të këtij çasti shpresojmë të mos i shmangen dot as ata njerëz të shumtë, të cilët islamistët radikalë përpiqen t'i cytin kundër Perëndimit. Ata mundën të shihnin: Këtu nuk po vinte në kryqëzatë as një politikan i pushtetshëm, as një prijës fetar, por një njeri besimtar, i cili angazhohet për paqe dhe për pajtim.