Ashpërsim i retorikës politike Beograd-Prishtinë
12 Prill 2019Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj, nuk ka ndonjë parashikim nëse nga takimi i 29 prillit në Berlin, do të ketë ndonjë marrëveshje Kosovë-Serbi, por, gjithësesi ai këtë takim e sheh shumë të rëndësishëm për vendin. Haradinaj tha se këtë takim që drejtohet nga Kancelarja e Gjermanisë, Angela Merkel dhe Presidenti francez Emanuel Macron, do ta shfrytëzojë për ta shtyrë përpara çështjen e liberalizimit të vizave.
"Është një nder që në emër të Kosovës e përfaqësojmë Kosovën në këtë takim. Është një takim me peshë dhe është mirë që ky takim do të drejtohet nga kancelarja Merkel dhe presidenti Macron. Takimi i 29 prillit është një mundësi që të ecim përpara edhe me liberalizimin e vizave", tha Haradinaj.
Ashpërsim i retorikës politike
Por para këtij takimi, ku do të marrin pjesë udhëheqësit e vendeve të rajonit të Ballkanit dhe ku do të flitet edhe për dialogun Kosovë-Serbi dhe normalizimin e marrëdhnëieve, është ashpërsuar retorika politike ndërmjet udhëheqësve kosovarë dhe atyre ne Serbi. Udhëheqësit politik të Kosovës reaguan ashpër pas një deklarate të Presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuciq, i cili tha se është e vërtetë një deklaratë e një ministri serb të Kosovës Ivan Teodosijeviq, i shkarkuar nga qeveria Haradinaj ku tha se "masakra e Recakut në Kosovë në vitin 99 ishte trillim i shqiptarëve”.
Për këtë deklaratë të Vuciqit, u shpreh i tronditur Presidenti i Kosovës, Hashim Thaci, që e cilësoi deklaratë fyese për Kosovën. "Shpreh brengën time për këto deklarata ofenduese që vijnë nga zyrtarët në Beograd, duke mohuar në këtë kohë, masakrat mbi civilët e pafajshëm të bëra nga forcat e qeverisë serbe në vitet '98-'99. Duke mohuar Reçakun dhe qindra masakra të tjera, kjo është thellësisht shqetësuese dhe nuk jep një sinjal për pajtim”, thotë në reagimin e tij, Presidenti Thaçi.
Edhe partitë politike opozitare në Kosovë në raport me këto deklarime të zyrtarëve në Beograd, janë në një linjë me Presidentin Thaçi. Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, thotë se "Kosova nuk guxon të hyjë në aventura për marrëveshjen gjithëpërfshirëse me Serbinë derisa kjo e fundit të mos e njohë shtetin e Kosovës”.
"Si mund të negociohet me dikë që e quan fabrikim masakrën e Reçakut?! Kështu ka deklaruar presidenti serb. Kjo është sikur të mohohet holokausti. Duhet të jemi unik dhe të kërkojmë reagim të fuqishëm nga e gjithë bota demokratike kundër këtyre deklarimeve të Beogradit. Është e qartë se do të na duhen vite dhe ndërrim të disa qeverive në Beograd para se atje politikanët t'i thërrasin ndërgjegjes për krimet e bëra në Kosovë nga shteti serb”, thotë Avdullah Hoti, duke shtuar se "vetëm atëherë Serbia mund të bëjë hapin e madh për njohjen e shtetit të Kosovës dhe normalizim të marrëdhënieve.
BE kërkon dalje nga rrethi vicioz
Në muajt e fundit, sidomos që nga ndërprerja e dialogut Kosovë-Serbi dhe vendosja e taksës për mallrat serbe, ka pasur ashpërsim të tonit ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, me akuza dhe kundër akuza. Serbia thotë se pa u hequr taksa, nuk rifillon dialogun me Kosovën, ndërsa, Prishtina zyrtare thotë se taksa mund të hiqet vetëm kur Serbia ta njohë pavarësnë e Kosovës. E kjo situatë nuk po i pëlqen komisionerit të BE-së për zgjerim Johannes Hahn dhe ministrave të jashtëm të vendeve anëtare të BE-së. Në një letër kembim që po e publikojnë mediet në Prishtinë, thuhet se, "Bashkimi Evropian ka kërkuar nga Prishtina dhe Beogradi të dalin prej rrethit vicioz dhe t'i ndalojnë provokimet e ndërsjella”.
"Bashkëpunimi rajonal, paqja dhe pajtimi varen nga përkushtimi që tregojnë të gjitha palët, guximi dhe lidershipi politik. Fatkeqësisht, ajo që kemi parë së fundi është e kundërta e kësaj, veçanërisht spiralja e veprimeve në muajt e fundit mes Prishtinës dhe Beogradit, duke reaguar me provokime ndaj njëri-tjetrit”, publikojnë mediet në Prishtinë, një pjesë të letrës së Johanes Hahn.
Haradinaj kritika Mogherinit
Në të njëjtën linjë u shprehen edhe Ministrat e Punëve të Jashtme të vendeve anëtare të Grupit të shtatë vendeve më të zhvilluara, G7, në takimin e tri dite më parë që u mbajt në Francë, ku ftuan Serbinë dhe Kosovën që të angazhohen në mënyrë konstruktive për normalizimin e marrëdhënieve përmes marrëveshjes gjithëpërfshirëse e ligjërisht të detyrueshme. "Pa normalizimin efikas e gjithëpërfshirës të marrëdhënieve ndërmjet Serbisë e Kosovës përmes dialogut me ndërmjetësim të BE-së, nuk mund të ketë stabilitet afatgjatë në rajon”. Por, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj vazhdon ta drejtojë gishtin e akuzës pikërisht tek Bashkimi Evropian, përkatësisht te shefja e diplomacisë evropiane, Federika Mogerini, për atë që ai e quan "devijim të dialogut Kosovë-Serbi. Zyrtarët e BE-së në Prishtinë, thonë se "taksa e vendosur ndaj produkteve serbe ka vashtirësuar zbatimin e plotë të Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit (MSA). Por, kryeministri Ramush Haradinaj, thotë se taksa nuk e pengon dialogun, ndërsa, përfaqësuesja e lartë për politikë të jashtme të BE-së Federika Mogherini, sipas tij "ka shkaktuar trauma me diskutimet për shkëmbim territoresh”.
"Pse agjenda evropiane ka pengesa për t'u zbatuar. Po, një vështirësi të madhe e kemi nga komisionerja Federica Mogherini, për faktin se e ka devijuar dialogun me diskutimet për ndërrim të territorit, dhe na ka shkaktuar trauma politike të brendshme dhe në rajon. Fatkeqësisht, një pjesë e energjisë time dhe Qeverisë time ka shkuar për të kundërshtuar një temë si kjo," ka thënë kryeministri Haradinaj në një konferenë në Prishtinë ku u fol për reformat në Kosovë dhe zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit (MSA).