Arrestimi i Honeckerit para 25 vjetësh
29 Korrik 2017Qysh në moshën dhjetë vjeç Erich Honecker u bë komunist. Asokohe, në vitin 1922, ai i ndikuar nga i ati që ishte socialist, hyri në organizatën komuniste të fëmijëve "Lidhja e djemve Spartakus". Që nga viti 1929 ai ishte anëtar i Partisë Komuniste të Gjermanisë (KPD). Kur nën Adolf Hitlerin komunistët përndiqeshin, Honecker përdori pseudonimin "Martin Tjaden", punonte në ilegalitet dhe organizonte takime të rinisë komuniste. Por ky pseudonim nuk e mbrojti atë nga Gestapoja. Më 4 dhjetor 1935 atë e arrestuan dhe dy vjet më pas gjyqtarët nazistë e dënuan me dhjetë vjet burg - për shkak të gjoja përgatitjeve për tradhëti të lartë.
Pushtet deri në rënien e murit të Berlinit
Por qendrimi në burg nuk ishte fundi i jetës së tij dinamike, madje pas Luftës së Dytë Botërore nisi faza e pushtetshme për të: Honecker bëri karrierë në RDGJ (Republika Demokratike e Gjermansië) derisa në vitin 1971 ai u bë kryetari i Partisë së Bashkuar Socialiste (SED) dhe më 1976 u ngjit edhe në postin e kreut të shtetit të RDGJ-së.
Një pushtet që ai e mbajti deri në rrëzimin e Murit të Berlinit në nëntor 1989. Regjimi i tij dështoi, pasi ai e pati neglizhuar orientimin e vendit nga kursi i reformave në Bllokun Lindor. Honecker u shfuqizua në tetor 1989, më 9 nëntor ra muri dhe një vit më pas dy shtete gjermane u ribashkuan. I sëmurë rëndë, Honeckeri vuante nga kanceri në veshka, dhe pa banesë ish-pushtetari dhe bashkëshortja e tij Margot u strehuan te familja e një prifti në Brandenburg.
Një situatë e çuditshme, sepse kisha në RDGJ shtypej dhe fëmjíjët e priftërinjve nuk lejoheshin të studionin. Të tërhequr në mbrojtjen prej kishës çifti Honecker ndiqte në televizion zhvillimet e vrullshme në shtetin e tyre të dështuar deri më 3 tetor 1990, kur u shpall ribashkimi i Gjermanisë. Kësisoj RDGJ-ja i përkiste së shkuarës. Edhe në Lindje të Gjermanisë hyri në fuqi e drejta e RFGJ-së. Vetëm pak javë më pas drejtësisa, më 30 nëntor 1990 dha urdhër-arresti kundër Erich Honeckerit për shkak të vrasjeve në kufirin gjermano-gjerman.
Për t'i shpëtuar procesit Erich dhe Margot Honecker u arratisën fshehurazi përmes një aeroporti ushtarak sovjetik për në Moskë. Por qeveria federale donte që ta shihte Honeckerin në gjyq e ushtroi presion ndaj Rusisë për t'i ekstraduar dy azilantët.
Çifti vazhdoi arratinë më tej, kësaj here në ambasadën e Kilit në Moskë. Një mbështetje miqësore kjo, sepse ambasadori Clodomiro Almeyda gjatë diktaturës së Pinoçetit kishte gëzuar vet azil politik në RDGJ. Por qeveria federale nuk u tërhoq dhe më në fund arriti që Erich Honecker të ekstradohej dhe të përballej me akuzën në Gjermani. Bashkëshortja e tij Margot shkoi nga Moska për në Kili, ku kërkoi azil dhe ku e priste e bija, Sonja.
Burgu i tretë
Më 29 korrik 1992 Honeckeri me grushtin lart, përshëndetjen komuniste, u largua nga ambasada e Kilit në Moskë dhe u soll në Gjermani, ku me të mbërritur në Berlin u arrestua. Gjatë rrugës për në burgun Moabit kalimtarët e shoqëruan atë me thirrjet: "Vrasës, vrasës".
Ndonëse ishte i sëmurë dhe u bënë shumë ekspertiza për verifikimin e gjendjes së tij shëndetësore, gjykata e qarkut në Berlin e hapi procesin kundër Erich Honeckerit dhe katër të bashkëakuzuarve të tjerë. Akuza ishte: vrasje dhe tentativë për vrasaje në 68 raaste në kufirin e brendshëm gjerman, që gjatë kohë si kreu i shtetit në RDGJ, Honecker e kishte fortifikuar atë duke e kthyer vijën kufitare në brezin e vdekjes.
Testamenti politik i Honecker-it
"Vdekja e panatyrshme e secilit njeri në vendin tonë na ka prekur gjithmonë ne," kështu u mbrojt Honecker më 3 dhjetor 1992. "Vdekja në murin e Berlinit jo vetëm na ka prekur ne nga ana humane, por edhe na ka dëmtuar politikisht. Para të gjithëve që nga mai 1971 unë mbaj përgjegjësinë kryesore politike për këtë."
Krahas këtij çasti të pranimit të përgjegjësisë, Erich Honecker nga ana tjetër insistonte, që ndërtimi i murit dhe armatimi për mbrojtjen e tij "ishte i drejtë dhe mbetii tillë derisa mori fund konfrontimi mes SHBA-së dhe Bashkimit Sovjetik".
"Situata ime në këtë proces nuk është e pazakontë. Shteti ligjor gjerman ka akuzuar dhe dënuar edhe Karl Marksin, August Bebelin, Karl Liebknechtin dhe shumë socialistë e komunistë të tjerë", u shpreh Honecker në një deklaratë për 70 minuta para gjyqit.
Procesi ndaj tij megjithatë nuk vazhdoi, sepse vazhdimisht gjendja shëndetësore e tij përkeqësohej. Gjatë kësaj kohe qarkullonin edhe teza, se ai nuk vuante vërtetë nga kanceri në veshka, madje një nga përfaqësuesit e padisë ngriti edhe dyshimin, se në bankën e të akuzuarve nuk ishte vet Honeckeri, por një sozi e tij.
Kur edhe njëri nga gjyqtarët, Hansgeorg Bräutigam, i kërkoi Honeckerit të nënshkruajë, procesi doli jashtë kontrollit. Gjyqtari Bräutigam u shkarkua për anshmëri dhe pak ditë më vonë, Gjykata e Qarkut në Berlin e mbylli procesin me argumentimin, se Honecker është i sëmurë dhe procesi cënon dinjitetin e tij njerëzor. Një ndër proeceset më spektakolare të historisë gjermane të pasluftës përfundoi pa shqiptim vendimi.
Një ditë më pas Erich Honecker hipi në avion për t'u bashkuar me familjen e tij në Kili. Ai jetoi atje me gruan Margot dhe vajzën Sonja me një pension të vogël nga RFGJ-ja dhe me donacionet nga "solidariteti ndërkombëtar". Më 29 maj 1994 njeriu më i pushtetshëm i RDGJ-së ndërroi jetë në azil në Santiago të Kilit.