1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Armë kundër IS-it për kurdët në Irak

PP (dpa afp, rtr)1 Shtator 2014

Merkel premton edhe një shtim të numrit të refugjatëve që pritet të pranohen në Gjermani nga Iraku.

https://p.dw.com/p/1D52J
Fotografi: picture-alliance/dpa/K. Schneider/Bundeswehr

Kancelarja gjermane Angela Merkel e justifikoi furnizimin e planifikuar me armë të kurdëve në Irak me kërcënimin që vjen nga milicia terroriste Shteti Islamik (IS). IS-i ka kryer javët e kaluara "mizori të pakonceptueshme," tha Merkel në një deklaratë qeveritare para Bundestagut. "Çdo gjë që nuk përshtatet me pikëpamjet e tyre për botën, ata i zhdukin mizorisht nga rruga. Këtu po abuzohet në mënyrë të tmerrshme me një fe për të legjitimuar vrasje, terror dhe tirani."

Furnizimin me armë ajo e justifikoi edhe me rrezikun që i vjen nga milicia terroriste IS Gjermanisë dhe Evropës. Konflikti destabilizon vendet fqinje si Jordania dhe Turqia. "Një destabilizimi i tillë me ndikim kaq të gjerë i një rajoni të tërë ka gjithashtu ndikim edhe në Gjermani dhe në Evropë." - tha Merkel. Po ashtu ajo premtoi edhe një shtim të numrit të refugjatëve që pritet të pranohen nga Iraku: "Kur njerëzit janë në nevojë, ne do t'u ndihmojmë duke pranuar refugjatë shtesë."

Bundeswehr Ausrüstung Merkel
Fotografi: picture-alliance/ dpa

Armë me vlerë 70 milionë euro

Nën drejtimin e kancelares Merkel të dielën në mbrëmje gjatë një takimi ministror u mor vendimi për t'i pajisur kurdët në luftën e tyre kundër milicisë terroriste Shteti Islamik (IS) me armë nga rezervat e Bundeswehr-it. Por dërgimi i armëve në një zonë krize duhet të mbetet një përjashtim. Armët kanë një vlerë të përgjithshme prej rreth 70 millionë euro.

Kryetari i grupit parlamentar të SPD-së Thomas Oppermann nuk sheh tek eksportet e armëve një ndryshim në politikën e jashtme: "Kjo nuk është thyerje e një tabuje. IS-i është është një kërcënim vdekjeprurës për miliona njerëz në Irakun verior. Unë jam i mendimit se ne nuk mund t'i shikojmë në mënyrë pasive këto sjellje çnjerëzore." Zëvendëskryetari i grupit parlamentar CDU / CSU Thomas Strobl tha: "Ne kemi një detyrim njerëzor për të bërë diçka kundër vrasjeve brutale." Ai shtoi se "ajo që po ndodh sot në Siri, nesër është një rrezik për të Shtutgartin." Ai iu referua në këtë mënyrë frikës se IS-i mund të kryejnë sulme edhe në Republikën Federale Gjermane. Sipas vlerësimeve rreth 400 luftëtarë të IS-it kanë pasaportë gjermane.

Furnizimet pritet të dërgohen që këtë muaj

Qeveria gjermane e përjashton mundësinë e dërgimit të trupave ushtarake në Irak. Por dërgimi i pajisjeve ushtarake dhe i armëve pritet të bëhet që këtäë muaj. Ndër to armë antitanke, automatikë dhe granata. Po ashtu edhe kurdët do të furnizohen me automatikë dhe 4000 xhaketa antiplumb. Me armët do të pajisen rreth 4000 nga më tepër se 10.000 ushtarët e ushtrisë Peshmerga.

Irak Treffen im Kanzleramt Waffenlieferung
Fotografi: picture-alliance/dpa

Si deputetët edhe qeveria gjermane janë të ndërgjegjshme për rrezikun që armët mund të bien në duart e gabuara. MPJ Frank-Walter Steinmeier premtoi se do të kujdeset që në Kurdistan të mos ngrihen depo armësh. Në Erbil kanë arritur ushtarët e parë të Bundeswehrit për të organizuar shpërndarjen e amrmëve.

Edhe disa shtete të tjera kanë vendosur tashmë për ta mbështetur luftën kundër IS-it me armë. SHBA dhe Irani janë duke i furnizuar kurdët prej disa kohësh. Në radhtë e BE-së, vendim të tilla kanë miratuar Franca, Britania e Madhe dhe Italia.