Arhusi, kryeqyteti kulturor danez i Evropës 2017
31 Dhjetor 2016Arhusi ka rreth 250,000 banorë dhe është qyteti i dytë më i madh i Danimarkës dhe madje edhe qyteti më i vjetër i vendit. Nga gërmimet është zbuluar se qyteti është themeluar nga vikingët në shekullin e 8-të. Qyteti, i cili shtrihet në grykëderdhjen e një lumi quhej në të kaluarën Aros, që do të thotë deltë lumi dhe lidhet me vendndodhjen e tij në lumin "Aarhus Å".
Edhe pse një qytet i rëndësishëm universitar dhe kulturor Arhusi është gjithmonë nën hijen e Kopenhagës. Por viti i ri pritet të sjellë ndryshimin e madh. Kryeqyteti kulturor danez i Evropës pret gjatë vitit 2017 deri në 10 milionë vizitorë.
Arhusi e ndan titullin kryeqytetet kulturor i Evropës për vitin 2017 me Pafosin në Qipro.
Motoja e Arhusit si kryeqytet kulturor 2017 është: "Let's rethink!" - "Le të mendojmë edhe një herë!" Artistë nga e gjithë bota janë ftuar për t'iu përgjigjur sfidave të së ardhmes. "Arti mund të ndryshojë botën", Olafur Eliasson, artist instalimesh, është i bindur për këtë. Ai është bërë së fundi i njohur me aksionin e tij me blloqet e akullit nga akullnaja Vatnajëkull e Islandës të cilat i vendosi që të shkriheshin në sheshin para ndërtesës ku zhvillohej Samiti Botëror i Klimës në Paris.
Tema të tjetra që do të trajtohen prej artistëve dhe shkrimtarëve në Aarhus janë shtëpitë verore, rëndësia e qyteteve, hapësirat e jetesës, muzika popullore dhe madje edhe garat me makina.
Edhe feja do të luajë një rol në aktivitetet e vitit 2017 në kryeqytetin kulturor danez të Evropës. Teatri Svalegangen do të ofrojë projektin artistik "Çliroje liturgjinë fetare!" Ideatorë të këtij projekti janë peshkopi luterian i Arhusit, Poul Henning Bartholin dhe drejtori artistik i teatrit, Per Smeedegaard.
Fjala është për modernizimin e meshave, gjatë të cilave në vend të këngëve fetare do të këndohen këngë të muzikës së lehtë. Një nga shfaqjet do të jepet në katedralen e Arhusit. Në këngët e përzgjedhura nuk do të ketë asnjë këngë dashurie, por vetëm këngë tekstet e të cilave konsiderohen si "ekzistenciale", sikurse thotë Per Smeedegaard.