Andreas Ernst: Pushtetmbajtësit po provokojnë me qëllim
17 Janar 2017Intervistë me Andreas Ernst, korrespodent i "Neue Zürcher Zeitung" nga Beogradi për gjendjen në Kosovë. "Tensionet në rajon shkojnë në favor të strukturave politike", thotë ai në bisedë me DW.
Deutsche Welle: Si i shihni tensionet e fundit në raportet mes Serbisë dhe Kosovës, pas ndërtimit të murit në Mitrovicë, arrestimit të Haradinajt dhe nisjes së trenit? Ka rrezik nga një konflikt i ri, apo këto janë vetëm për përdorim të brendshëm politik në Beograd apo Prishtinë?
Andresas Enrst: Mendoj se pushtetmbajtësit janë duke shkaktuar tendosje për shkak të kalkulimeve gjeostrategjike dhe interesave të brendshme politike. Në aspektin gjeopolitik, ata janë duke shfrytëzuar dobësitë e Bashkimit Evropian dhe paqartësitë rreth presidencës së ardhshme të Trumpit, me qëllim që të zgjerojnë hapësirën e veprimit të tyre. Ata po shikojnë se deri ku mund të shkojnë me retorikën e tyre. Dodiku flet për secesionin nga Bosnje-Hercegovina, Vuçiqi dërgon në mënyrë provokative një tren të ngjyrosur në Kosovë, ndërsa nga zyra e Isa Mustafës thuhet se kryeministri është takuar dhe ka biseduar me përfaqësuesit e "Kosovës Lindore" (Luginës së Preshevës në Serbi). Sa i përket qëllimeve të brendshme politike, këtu kemi një shabllon të njohur të nxitjes së tensioneve mes fqinjëve me qëllim të unifikimit të konsensusit të brendshëm.
DW: Në Kosovë flitet për mundësinë e provokimit të gjendjes nga ana e Serbisë për të justifikuar ndërhyrjen dhe aneksionin e pjesës veriore të Kosovës nga ana e Serbisë. Mendoni se kjo është reale?
Ernst: Jo, sepse në këtë mënyrë Serbia me një gjest do të asgjësonte të gjithë kapitalin e saj politik, që e ka krijuar kohët e fundit në Evropë. Ky kapital shihet në rolin e Serbisë si faktor stabiliteti në rajon. Beogradi nuk ka kurfarë interesi ta humbasë një imazh të tillë - në veçanti kur dihet se veriu i Kosovë gati në tërësi kontrollohet nga Serbia – me përjashtim të pikëkalimeve kufitare, që ka dëshmuar ndalja e trenit.
DW: Po çfarë duhet të bëjnë Bashkimi Evropian dhe Perëndimi për parandalimin e tensioneve të mëtejshme?
Ernst: Mendoj se do të ishte kontraproduktive në qoftë se BE-ja reagon ndaj secilit provokim. Në këtë mënyrë zhvlerësohen këto aksione dhe politikanët që qëndrojnë pas tyre. Brukseli duhet të reagojë vetëm në rast të ndonjë shkeljeje të rregullave. Por reagimi duhet të jetë i qartë dhe konseguent.