1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Amnesty kritikon nikoqirin e Kampionatit Botëror 2022

det/rb (afp, dpa, sid) / Esat Ahmeti18 Nëntor 2013

Amnesty International ka shtuar presionin ndaj Katarit si nikoqir i Kamionatit Botëror në Futboll. Në një raport të saj, organiazata dokumenton kushtet e mjerueshme të punës në shtetin e Gjirit.

https://p.dw.com/p/1AJKT
Fotografi: Karim Jaafar/AFP/Getty Images

Në një studim prej 153 faqesh organizata Amnesty International ka dokumentuar abuzimet në kantieret e ndërtimit për Kampionatin Botëror të Futbollit që do të mbahet në vitin 2022 në Katar. "Është thjesht e pafalshme që në një nga vendet më të pasura në botë, kaq shumë punëtorë emigrantë të shfrytëzohen pa mëshirë, të privohen nga pagat e tyre dhe të lihen në dorë të luftës për mbijetesë", kritikoi sekretari i Përgjithshëm i Amnesty International, Salil Shetty në Doha gjatë prezantimit të raportit.

Protesta kundër kushteve të punës në Katar ka pasur edhe në Zvicër
Protesta kundër kushteve të punës në Katar ka pasur edhe në ZvicërFotografi: Reuters

Në përgjithësi në Emiratin e Gjirit ekziston "një nivel alarmant i shfrytëzimit të punëtorëve deri tek puna e detyruar", konkludon Amnesty në raport. Aktivistët e të drejtave të njeriut kanë dokumentuar raste të shumta të jetesës dhe kushteve të punës katastrofike. Në ndërtesat e strehimit masiv të punëtorëve migrantë shpesh nuk ka energji elektrike. Po ashtu kushtet higjienike janë të papranueshme.

Premtohen përmirësime

Ekspertë nga organizata për mbrojtjen e të drejtave të njeriut kanë qenë dy herë për hetime në Katar, në tetor të vitit 2012 dhe në mars të vitit 2013. Atje ata kanë biseduar me 210 punëtorë, jo vetëm me ata që janë të përfshirë për ndërtimin e stadiumit, por edhe në ndërtimin e hoteleve, linjave hekurudhore dhe rrugëve. Rezultatet e hetimeve shtojnë tani presionin mbi Organizatën Botërore të Futbollit - FIFA. "Tani ka ardhur koha për të vepruar", tha James Lynch, përgjegjës i studimit pranë Amnesty International.

Pamje nga një kantier ndërtimi në Katar
Pamje nga një kantier ndërtimi në KatarFotografi: Karim Jaafar/AFP/Getty Images

FIFA njoftoi në një deklaratë fillestare, se Katari si nikoqir i Kampionatit Botëror duhet të respektojë të drejtat e njeriut dhe të pranojë normat dhe vlerat ndërkombëtare. Shoqata Botërore e Futbollit iu referua një takimi të Presidentit Joseph Blatter me Sheik Tamim bin Hamad bin Khalifa Al Thani më 9 Nëntor të vitit të kaluar. Me atë rast, kreu i shtetit të Katarit kishte premtuar përmbushjen e standardeve të FIFA-s. Që atëherë ka filluar përmirësimi i kushteve të punës.