"America is back"- Biden shpall politikën e jashtme
5 Shkurt 2021Nëse fjalimet e Donald Trumpit sundoheshin nga lajtmotivi "America first", presidenti i ri, Joe Biden distancohet nga kjo politikë. Ai i sheh aleancat ndërkombëtare si gjënë më të mirë për Shtetet e Bashkuara, sidomos në kohë, në të cilat bota ndodhet "para sfidave si kurrë më parë". Për mposhtjen e pandemisë është tejet i rëndësishëm bashkëpunimi ndërkombëtar, tha ai. Por edhe sfida si ndryshimi i klimës dhe fluksi i migracionit janë tema, që mund të zgjidhen vetëm së bashku, tha Biden në një vizitë në Departamentin e Shtetit në Uashington.
"SHBA duhet të rifitojë besueshmërinë dhe autoritetin moral për të cilin njihet", deklaroi Biden. "Nevojitet kohë për të riparuar dëmin shkatërrimtar të paraardhësit, por kjo është pikërisht ajo që duam të bëjmë." Biden njoftoi për hapa konkretë, se si do t'i japë një profil të ri politikës së jashtme amerikane.
"Kjo luftë duhet të ndalë"
E para, administrata e Bidenit do të ndalë përfundimisht mbështetjen për aleancën me Arabinë Saudite në Jemen. Me këtë marrin fund operacionet ushtarake të SHBA në Jemen. "Kjo luftë duhet të ndalë", tha Biden.
Edhe në lidhje me Gjermaninë, Biden bëri të ditur verifikimin e planit ushtarak të paraardhësit të tij. Tërheqja e 12.000 trupave ushtarake nga Republika Federale do të pezullohet ndërkohë. Në fillim ministri i Mbrojtjes, Lloyd Austin do të bëjë një hulumtim të gjerë për prezencën e trupave ushtarake amerikane në botë.
"Fuqi drejtuese morale"
Ndryshe nga Trump, në politikën e jashtme të SHBA do të luajnë një rol të rëndësishëm morali dhe aspekte humanitare. "Ne kemi qenë për kaq shumë dekada një fuqi drejtuese morale", tha Biden. "Duhet sërish të dalim në krye me shembull të mirë." Biden e rriti tani kufirin maksimal të pranimit të refugjatëve në 125.000 në vit, Trump e kishte ulur atë në 15.000.
Biden e quajti Kinën dhe Rusinë si "sfidat kryesore" të politikës së jashtme. "Kursi i përkëdhelisë me Rusinë ka marrë fund." Ky është një vend që "do të shkatërrojë demokracinë tonë". Kurse Kina me "ambicie të mëdha ekonomike" është kërcënim për SHBA, tha Biden. "Ne duhet të veprojmë me vendosmëri, por me mjete diplomatike. Vetëm diçka në fjalimin e tij të kujtonte edhe Trumpin. Biden u përpoq në fjalimin e tij të bindte edhe qytetarin e thjeshtë amerikan. "Politika e jashtme është edhe politikë e brendshme", tha ai dhe theksoi se si bashkëpunimi i mirë për zhvillimin hap tregje të reja edhe për Amerikën. Apo se një politikë botërore e klimës hap vende pune në vend. Për diplomatët amerikanë, Biden kishte një mesazh: Ju jeni fytyra e Amerikës në botë. Dhe nuk është qeveria ajo që prezantoni, por populli amerikan në diversitetin e tij."