1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kosovë: Kuvendi pa vendim për ligjin e rimëkëmbjes ekonomike

Bekim Shehu
1 Tetor 2020

Për ambasadorin gjerman në Kosovë Jörn Rohde, mosmiratimi i ligjit për rimëkëmbje ekonomike për shkak të moskonsensusit politik, është rast unik në Evropë.

https://p.dw.com/p/3jIAy
Kosovo Pristina | Parlament des Kosovo stimmt über neue Regierung ab: Albin Kurti
Fotografi: picture-alliance/AP Photo/V. Kryeziu

Pesë herë radhazi në dy javët e fundit u provua që në parlamentin e Kosovës të miratohet ligji për rimëkëmbje ekonomike, por pa sukses. Kjo për faktin që partitë në pushtet nuk po arrijnë të sigurjnë numrin e mjaftueshëm të votave, shumicën e thjeshtë për ta kaluar ligjin, i cili do të ndihmonte bizneset dhe qytetarët që të kalojnë krizën dhe rënien ekonomike që ka shkaktuar pandemia Covid-19. Moskalimi i ligjit për rimëkëmbje ekonomike ku do të përfitonin të gjithë qytetarët e Kosovës pa dallim, e ka befasuar tej mase ambasadorin e ri gjerman në Kosovë Jörn Rohde. Ai bëri thirrje që ligji të votohet në Kuvend, duke shtuar se "lufta kundër efekteve negative në ekonomi të shkaktuara nga pandemia është përgjegjësi e përbashkët dhe kërkon angazhim të përbashkët”.

"Në këtë aspekt është mjaft dëshpëruese dhe sipas njohurive të mia edhe rast unik në Evropë se për herë të 5-të në Kuvendin e Kosovës nuk është arritur marrëveshje për draft-ligjin e Rimëkëmbjes Ekonomike. Ajo që duhet urgjentisht nga të gjithë përgjegjësit është fryma e kompromisit. Qytetarët e Kosovës me të drejtë e presin këtë”, shkroi në twitter ambasadori Jorn Rohde.

Ekspertët e ekonomisë rimëkëmbjen ekonomike e shohin shumë të domosdoshme në mënyrë që siç thonë "të rritet efikasiteti për menaxhimin e ekonomisë në kohën e pandemisë. Sipas kryetarit të Odës Ekonomike të Kosovës Berat Rukiqi, "miratimi i këtij ligji në Kuvend, është nevojë që do të ndryshojë mirëqenien sociale të qytetarëve.

"Nëse ne dëshirojmë të arrijmë më shpejt një cikël të ri ekonomik shumë të domosdoshëm që i hap rrugë rimëkëmbjes ekonomike, është momenti që gjatë muajit tetor më së largu, pjesa më e madhe e mjeteve të Pakos së Rimëkëmbjes të futet në qarkullim. Pra, është kjo nevoja që të ketë masë monetare në treg në mënyrë që të mund të funksionojnë, ta ruajnë punësimin, t'i ruajnë raportet furnitor-shitës-blerës, raportet me banka e kështu me radhë”, thotë Berat Rukiqi.

Një pikë shumë e rëndësishme që vazhdimisht po dështon të futet në projektligjin për rimëkëmbjen ekonomike, sipas Rukiqit është pika e lehtësimit të qasjes në kredi për ndërmarrjet private, të cilat do të financonin projektet në investime dhe vazhdimin e operimit. Qeveria në ligjin e saj që nukpo arrin ta kalojë në kuvend parashikon "Lehtësimin e qasjes në kredi për ndërmarrjet private, për të financuar projekte investimi dhe vazhdimin e operimit, në vlerë prej 100 milionë euro”. Shumica e kompanive sipas Odës Ekonomike të Kosovës i kanë ndërprerë investimet”.

"Nuk është se futën vetëm 100 milionë por edhe mund të krijohen efekte financiare në vlerë prej 300 milionëve (me garancione në sistemin bankar). Kjo është shumë me rëndësi për shkak se e kemi këtë hendekun dhe mungesën që është krijuar edhe gjatë muajve të masave kufizuese edhe gjatë muajve të verës kur kemi pasur një ulje të aktivitetit ekonomik në përgjithësi, edhe si pasojë e kufizimeve edhe si pasojë e frikës nga infeksioni edhe si pasojë e mosardhjes së diasporës”, thotë kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës Berat Rukqi.

Rënie të ekonomisë prej 5% në Kosovë gjatë vitit 2020 për shkak të pandemisë konstatoi në një raport të saj edhe Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) në publikimin e saj vjetor për Kosovën. Sipas BERZH-it, "ngadalësimi ekonomik erdhi kryesisht si pasojë e rënies së investimeve”.

"Me fillimin e pandemisë COVID-19, shkalla e rritjes së Prodhimit të Brendshëm Bruto në Kosovë në tremujorin e parë të vitit 2020 u ul me 1.3 për qind nga 4.2 për qind që ishte në vitin 2019. Ngadalësimi erdhi kryesisht si pasojë e rënies së investimeve, poshtë nivelit prej 9 për qind nga viti në vit dhe ndërtimeve, poshtë nivelit 12 për qind. Eksportet e shërbimeve, të cilat lidhen kryesisht me diasporën dhe vizitat e tyre në vend, në gjysmën e parë të vitit 2020, regjistruan një rënie prej 35 për qind nga viti në vit”, thuhet në raportin e BERZH-it. Megjithatë "pas një tkurrje të Prodhimit të Brendshëm Bruto prej 5 për qind në vitin 2020 pritet një kthim prej 4 për qind në vitin 2021”.

Edhe Banka Botërore në Raportin e Rregullt Ekonomik, kontaton se ekonomia e Kosovës pësoi rënie prej 4.5 për qind në vitin 2020, por që do të pasohet me rikthim në rritje në vitin 2021. Banka Botërore thotë se "është duke finalizuar një program aktivitetesh, që mund të tejkalojë 120 milionë euro, për të mbështetur Kosovën në menaxhimin dhe zbutjen e ndikimit të COVID-19.

"Ky program përfshin një projekt të ri me procedura të përshpejtuara për t'iu përgjigjur prioriteteve urgjente të sektorit të shëndetësisë dhe për të mbrojtur të ardhurat e ekonomive familjare. Përfshin ristrukturimin e projekteve tashmë të aprovuara për të mobilizuar fondet në mbështetje të NVM-ve, si dhe mbështetje buxhetore për rimëkëmbjen ekonomike dhe për t'i ndihmuar autoritetet që të plotësojnë nevojat e tyre të financimit”, thuhet në Raportin e Rregullt Ekonomik të Bankës Botërore.