"Alibaba" trazon tregun e tregtisë online
24 Mars 2014"Kam frikë se do të kenë sukses", thotë për Deutsche Welle studiuesi i tregtisë Kai Hudetz nga Instituti për Studime të Tregtisë në Këln. Nëse gjiganti kinez i tregtisë në internet, Alibaba, do të hyjë në bursë sivjet, tregu mund të trazohet. "Frika lind nga fakti që për strategjitë afatmesme dhe afatgjata të Alibabës dihet shumë pak", thotë Hudetz. Kjo e bën të paqetë tregun.
Sipërmarrja e themeluar nga ish-mësuesi i anglishtes Jack Ma, nuk kishte treguar asgjë as për planet për të hyrë në bursë. Por ajo që njihet për sipërmarrjen tërheq vëmendjen: analistët e vlerësojnë koncernin në 120 deri 180 miliardë dollarë amerikanë. Vitin e kaluar Alibaba shiti mallra për një vlerë totale më shumë se 170 miliardë dollarë, më shumë se sipërmarrjet perëndimore të tregtisë online Amazon dhe Ebay të marra së bashku. Dhe kjo, thotë për DW eksperti për tregtinë online, Alexander Graf, e dallon Alibabën nga konkurrenca: "Sipërmarrja është një lloj kombinimi i Ebay, Amazon dhe shërbimit të pagesave Paypal."
Shumë shërbime të ofruara nga e njëjta dorë
Grupi Alibaba përfshin shërbime si Taobao, një shtëpi ankandi online që largoi nga tregu konkurrentin e ngjashëm me Ebay. Në faqen Aliexpress.com klientët gjejnë, ngjashëm si tek Amazon, mallra nga tregtarët. "Atje ka edhe një shërbim sigurie, i cili garanton që klientët të mos i humbasin paratë e tyre", thotë Alexander Graf. Ky shërbim i quajtur Alipay, është njëlloj si shërbimi perëndimor Paypal.
Në platformat e tij grupi Alibaba ofron vetëm mallra nga ofrues të tretë. Kosto, ndryshe nga Ebay, nuk ka as për shitësit dhe as për blerësin. Alibaba financohet vetëm nga të ardhurat nga reklamat. Një koncept që në periudhë afatgjatë mund ta vinte në pozitë të vështirë Ebay-in.
Sinjali i fillimit për tregjet perëndimore
Pas spekulimesh për disa muaj, nëse Alibaba do të hyjë apo jo në bursë, një zëdhënëse e firmës më në fund konfirmoi se kompania synon një emetim të parë aksionesh në Shtetet e Bashkuara: "Hyrja në bursë do të na bëjë një firmë më globale", tha ajo. Alexander Graf shpjegon: "Alibaba është ende një sipërmarrje shumë e re, e cila deri tani në Kinë është rritur aq shpejt sa nuk ka pasur kohë të internacionalizohet."
Kai Hudetz nga Instituti për Studime të Tregtisë në Këln, beson se grupi Alibaba me hyrjen në bursë synon para së gjithash të tërheqë vëmendjen, për ta bërë këtë markë më të njohur në Perëndim. "Një sinjal i parë për një ekspansion të planifikuar në hapësirën evropiane është që dëgjohet sërish për një aeroport në Hungari, të cilin duan ta blejnë kinezët." Dhe Alexander Graf plotëson: "Nëse qeveria kineze subvencionon një aeroport hungarez, për artikujt e blerë tek Alibaba pjesërisht nuk ka kosto spedicioni."
Kontakt direkt me klientët përmes rritjes së shkallës së njohjes
Rritja e shkallës së njohjes në Perëndim mund të ndihmojë për krijimin e një kontakti direkt të klientëve me tregjet kineze. "Prodhuesit kinezë mund të kapërcenin një etapë. Ata nuk kanë më nevojë për tregtarë ndërmjetës", shpjegon Alexander Graf. Marzhin e kursyer prej rreth 15 për qind Alibaba mund t'ua kalonte klientëve, duke u bërë për ta më i lirë dhe tërheqës. "Nëse Alibaba nxjerr në treg një portal për klientë finalë, i cili funksionon mirë, ka shumë gjasa që çmimet të bien edhe më shumë."
Alibaba u bën konkurrencë amerikanëve
Që tani Alibaba ka rentabilitet më të lartë se konkurenca amerikane. Amazon në tremujorin e tretë 2013 shënoi një humbje prej rreth 40 milionë dollarësh. Në të njëjtën hapësirë kohore fitimi neto tek Alibaba u rrit me 45 për qind në nivelin 784 milionë dollarë. Volumi tregtar nga ekspertët vlerësohet edhe më i lartë se ai i platformës Facebook me 15 miliardë dollarë. "Kjo tregon se çfarë potenciali i madh shihet tek Alibaba", beson Kai Hudetz.
"Që Alibaba hyn në bursë në Nju Jork tregon që koncerni përpiqet të etablohet fillimisht në SHBA", beson eksperti i tregtisë online Alexander Graf. Në SHBA megjithatë Amazon dhe Ebay luajnë në fushën e tyre.
Ndryshe qendron puna në Evropë. Deri tani Amazon në Gjermani ka "thuajse monopol në tregtinë në internet", thotë Graf. "Ata furnizojnë një të tretën e tregut gjerman dhe tani letrat do të përzihen sërish". Interesante është para së gjithash pyetja se në ç'masë kinezët do t'ia dalin të luajnë në një nivel me konkurrentët perëndimorë në tregjet kryesore. "Këtë e konsideroj me siguri të mundshme pesë vitet e ardhshme", thotë Hudetz.