1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kurti: Në Kosovë nuk mund të ketë asociacion mbi baza etnike

Bekim Shehu
7 Nëntor 2021

Kryeministri i Kosovës flet në një intervistë ekskluzive për DW për Asociacionin e Komunave Serbe, rrezikun e bosnjëzimit të Kosovës, dialogun me Serbinë dhe për “Open Balkan” ndaj të cilit është kategorisht kundër.

https://p.dw.com/p/42gfg
Kosovo Albin Kurti  DW Interview
Fotografi: Bekim Shehu/DW

DW: Zoti Kurti, ju keni disa muaj në qeveri si kryeministër i Kosovës me një mandat të fituar me mbi 50% të votave në zgjedhjet e 14 shkurtit të këtij viti. Sa ja keni dalë që të përmbushni përgjegjësitë tuaja karshi gjithë asaj mbështetjeje që keni marrë. Opozita ju kritikon vazhdimisht për mospërmbushje të premtimeve.

Kurti: Unë besoj që kemi qenë të sukseshëm gjatë këtyre tetë muajve të qeverisjes sonë, kemi fituar një mandat të qartë dhe tre kandidatët në listën tonë zgjedhore të shkurtit, sot drejtojnë tri institucionet kryesore të vendit, por edhe kam një kabinet ministrash shumë të përgatitur mirë, të edukuar dhe profesionistë të aftë, ndërsa në anën tjetër njihen si qytetarë të përgjegjshëm në shoqëri, njërëz që janë të pakorruptueshëm. Gjatë këtyre tetë muajve ne kemi arritur të luftojmë korrupsionin si asnjë qeveri më parë. Kemi pasur 437 operacione policore, kemi bërë 746 bastisje dhe kemi shkatërruar 31 grupe kriminale dhe kemi përgatitur projekt-dokumentin për vetingun në drejtësi në mënyrë që gjyqësori dhe prokuroria jonë të bëhen me integritet dhe të jenë eficiente dhe shumë aktive. Në anën tjetër kemi arritje ekonomike shumë të mira. Rritja ekonomike në vitin 2021 sipas Bankës Qendrore do të jetë së paku 9.9 përqind të produktit vendor bruto dhe me këtë rast vlen të theksohet se eksporti është rritur me 68 përqind, ndërsa administrata tatimore ka rritur të ardhura prej 34 përqind krahasuar me vitin e kaluar. Na kritikuan që po krahasohemi me vitin 2019 me pandeminë, ndonëse edhe ky është vit i pandemisë, të hyrat tatimore krahasuar me vitin 2019 janë 21 përqind më të larta gjithnjë pa i ndryshuar politikat fiskale. Buxheti për vitin 2022 do të jetë mbi 2.7 miliard euro apo 8.7 përqind më i lartë sesa rishikimi i tij në mesvit dhe mbi të gjitha jemi të lumtur për menaxhimin e mirë të pandemisë. E kemi gjetur me zero vaksina, zero kontrata për vaksina, ndërkaq sot që po flasim i kemi përdorur 1.6 milion doza vaksine.       

Në zgjedhjet lokale të 17 tetorit nuk arritët nivel të kënaqshëm votash, sikurse prisnit, e keni thënë edhe vetë edhe këtë. Çfarë ndodhi, pse kjo rënie në nivel të përgjithshëm të votave, ndonëse po flasim për zgjedhje lokale?

Kurti: Së pari besoj se ka një dallim të madh ndërmjet zgjedhjeve lokale dhe atyre parlamentare dhe duket që tek zgjedhjet lokale ne jemi një raund zgjedhjesh prapa zgjedhjeve parlamentare. Kur kemi hyrë në institucionet e Kosovës si një organizatë civile politike siҫ ishim, ne këtë e bëmë së pari në parlament dhe nëse e shikoni rezultatin e zgjedhjeve, kjo i përngjan Vetëvendosjes së vitit 2019 dhe nuk e kemi Vetëvendosjen e zgjedhjeve parlamentare të vitit 2021. Jemi të parët në nivel republike edhe në këto zgjedhje mirëpo, kemi pritur që të jemi në më shumë komuna në balotazh, jemi në 12 sosh, por këto janë tejet të rëndësishme dhe shpresojmë e urojmë më të mirën për balotazhin e së dieles.      

Vendosja e reciprocitetit në targat e veturave solli një situatë të tensionuar në raport me Serbinë, në veri pati bllokada rrugësh nga serbët lokalë, bllokim të pikave kufitare me Serbinë. Dërgimi i njësisë speciale atje u kritikua nga shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrel, por jo nga vendet e QUINT. Kishte edhe një aksion të policisë antikontrabandë në veri. Partitë opozitare thanë se aksioni ishte për të fituar politikisht pikë para zgjedhjeve. Tani kur aty situata është e qetë, si i gjykoni këto veprime në veri?

Kurti: Besoj që kemi vepruar ashtu siҫ na ka kërkuar kushtetuta e vendit dhe ligjet në fuqi. Me datë 15 shtator ka skaduar marrëveshja dhe ne kemi vendosur për reciprocitet jo për inat të ndokujt ose për t'u hakmarrë ndaj dikujt, por besojmë se ishte një obligim i yni dhe një e drejtë e qytetarit. Për më shumë se 10 vite kur qytetarët tanë dëshirojnë të shkojnë në Serbi, detyrohen të paguajnë pesë euro dhe të vendosin targa të përkohshme të Serbisë, ndërkohë që kjo nuk vlente kur automjetet nga Serbia hynin në Kosovë. Ne ndërmorëm këtë masë reciprociteti dhe filluam ta zbatojmë atë, por menjëherë filluan dhe u bllokuan rrugët nga pjesëtarë të strukturave ilegale të Serbisë në Kosovë dhe ne u detyruam ta dërgojmë njësinë speciale për t'i mbrojtur policiët tanë kufitarë, meqenëse bllokimi ishte jo i zakonshëm ishte me maune dhe buldozer. Kur kësaj i shtojmë faktin që u dogj qendra e regjistrimit të automjeteve në Zubin Potok, ndërkaq, për fat të mirë nuk eksploduan granatat e dorës, atëherë është e qartë se bëhet fjalë për sulm të organizuar mbi institucionet e vendit tonë. Kur ministri i Mbrojtjes së Serbisë së bashku me ambasadorin rus në Beograd u shfaqën në pikën kufitare në Jarinje me ҫrats po inspektonin grumbullimin e forcave ushtarake të Serbisë ku kishte edhe automjete të blinduara, ndërkaq sipër tyre e ngritën aeroplanin ushtarak Mig-29 që e kishin marrë nga federate ruse, me siguri që tensionet u ngritën shumë, por jo për shkak tonin. Ata dëshironin të na frikësonin, të na kërcenonin por ne nuk u zmbrapsem dhe në fund gjithçka përfundoi në Bruksel dhe sot jam i lumtur që kemi masën e reciprocitetit në targa.  Pra ne e konsiderojmë veten të pavarur, Serbia nuk na njeh, por ajo nuk mund të kërkojë prej nesh që ne të mos njohim veten tonë. Ne dëshirojmë që mos të kemi fare barriera, por përderisa Serbia insiston tek ato, do të na duhet edhe neve të përgjigjemi në bazë të ligjit.      

Megjithatë këto veprime stagnuan dialogun me Serbinë, flas për nivelin politik?

Kurti: Besoj që stagnimi i dialogut me Serbinë ka ndodhur ngahera, ka shumë vite që s'po ecën dhe kjo për fajin e Serbisë e cila qartazi dëshiron që ta bosnjizojë Kosovën. E para ata nuk duan zgjidhje për serbët e Kosovës, por duan kompensim për Serbinë, kompensim për humbjet që ka shkaktuar regjimi i Millosheviqit nga pikpamja e tyre. Unë nuk besoj që Kosova u ka takuar kurrë atyre mirëpo, ata e konsiderojnë që Millosheviqi e humbi dhe tash na paska ardhur një lider i ri që do ta kompensojë atë humbje. Pra nuk mund të bashkëpunojmë kështu, ne duhet të bashkëpunojmë si të integrohemi në Bashkimin Evropian në aleancën veriatlantike, të kemi fqinjësi të mirë, të adresojmë të shkuarën, të kemi demokratizim dhe sundim të ligjit, mirëpo jo duke vajtuar për humbjet e Serbisë nga koha e Millosheviqit. Andaj dialogu politik ka kohë që nuk po ecën, ndërkaq, ky dialogu le të themi për çështjen e të pagjeturve, as ky nuk është që ka pasur ndonjë sukses por po vazhdon. Edhe dialogu për shembull për disa ҫështje për punën e targave që megjithatë e ka një dimension politik, por nuk është për atë marrëveshjen gjithpërfshirëse e cila do t'i normalizojë raportet midis nesh. Ka pasur arritje, por dialogu politik është e vërtetë që ka ngecje, por unë besoj për shkak të synimit dhe qasjes së Serbisë.   

Sa jeni i bindur për një marrëveshje finale Kosovë-Serbi së shpejti aq shumë të kërkuar nga faktori ndërkombëtar, dhe si e shihni rolin amerikan dhe sidomos atë evropian si ndërmjetës në këtë proces?

Kurti: Padyshim që Kosova dhe Serbia nuk kanë mundësi të bëjnë marrëveshje jashtë kornizës së  BE-së. Bashkimi Evropian duhet të jetë ndërmjetësuesi dhe lehtësuesi i kësaj marrëveshje dhe kjo marrëveshje duhet të ketë në qendër njohjen reciproke. Aktualisht kemi mosnjohje reciproke, Serbia nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, Kosova si Republikë nuk e njeh Serbinë dhe kjo është një marrëdhënie që ne e kemi tash e 13 vjet, e paqëndrueshme, por që ka të bëjë me luftën e fundit në Kosovë për të cilën Serbia nuk dëshiron ta marrë përgjegjësinë. Pra mosnjohja e krimeve në Kosovë dhe mosnjohja e pavarësisë, nuk janë dy gjëra fort të ndryshme, pra njëra është e shkaktuar nga tjetra. Duke mos i pranuar krimet e kryera në Kosovë, krime kundër njerëzimit, krimet e luftës dhe gjenocidin, Serbia nuk e pranon pavarësinë e Kosovës, sepse e konsideron si rezultat të luftës tonë ҫlirimare por edhe harron që është rezultat i krimeve të saj që e detyruan NATO-n të ndërhyjë në Evrope kundër një shteti i cili me forcat e veta nuk zgjidhte mjete për të dëbuar popullsinë, për ta vrarë e dhunuar.

Kosovo Albin Kurti  DW Interview
Fotografi: Bekim Shehu/DW

Ky besoj që është thelbi i çështjes. Tani ka pasur gabime në të kaluarën meqenëse është menduar që njohja e Serbisë vjen në fund të procesit dhe Serbia është përpjekur që të marrë sa më shumë drejt fundit që nuk duhet të vijë, ndërsa për Kosovën nuk shtrohet çështja në aspektin kohor por në aspektin parimor dhe në qendër duhet të jetë njohja reciproke. Ka edhe shumë elemente të tjera, reparacionet e luftës, të pagjeturit, pastaj raportet ndërfqinjësore e të tjera e të tjera, por në qendër të marrëveshjes si parim që e organizon marrëveshjen, duhet të jetë njohja reciproke, nëse mungon kjo qendër, gjithçka tjetër është e paqëndrueshme, andaj edhe tash e kemi aeroplanin serb Mig-29 në ajër për çështje bukur teknike të reciprocitetit si targat.     

Sa ka vend në këtë marrëveshje që po flisni, Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe. Pala evropiane  po kërkon që Prishtina ta themelojë Asociacionin bazuar në marrëveshjen e vitit 2013. A po i shmangeni ju këtij obligimi?

Kurti: Në vitin 2013 duhet ta keni parasysh që ka pasur një trysni të jashtëzakonshme mbi deputetët për ta kaluar shpejt e shpejt atë marrëveshje parimore dhe ka munguar transparenca, nuk ka pasur informim të duhur. Sot i keni në krye të institucioneve njerëzit të cilët në vitin 2013 kanë qenë kundër asaj marrëveshje, ndërsa sot ata tre vetë, Vjosa Osmani, Glauk Konjufca dhe Albin Kurti më 14 shkurt të vitit 2021 kanë arritur fitore plebishitare. E dyta, aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese i dhjetorit të vitit 2015 Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe e ka shfaqur në dritën e së vërtetës, që është i paintegrueshëm në sistemin tonë juridik dhe kushtetues. Ajo nuk e ka trajtuar marrëveshjen e vitit 2013, mirëpo goditja që i ka bërë përmbajtjes së vitit 2015 kur marrëveshja e 2013 u zbërthye në konkretësinë e saj, në detajet e saj dhe në shpirtin e saj praktikisht e ka goditur edhe marrëveshjen e vitit 2013. Me fjalë të tjera ky aktgjykim i Gjykatës Kushtetuese nuk ka thënë që vetëm germa e Asociacionit është problematike, por ka konstatuar që 23 nene të kushtetutës po shkelen me të dhe secili nga shtatë kapitujt e Asociacionit nuk janë në përputhje me kushtetutën, por në të njëjtën kohë ka goditur edhe frymën e këtij Asociacioni. Nuk mund të ketë me Kushtetuën e Kosovës asociacion mbi  baza etnike. Kjo është bërë në Dejton ku është ndërtuar një ngrehinë që sot quhet Republika Serbe dhe e cila është aty për Beogradin dhe jo për serbët. Ngjajshëm po e dëshirojnë edhe në Kosovë. Shikoni në Bosnje dhe Hercegovinë kemi një shtet që nuk është republikë, e brenda e ka një republikë që nuk është shtet. Pra, Beogradi dëshiron ngjashëm edhe në Kosovë që të ketë një shtet që nuk do të quhet republikë por Asociacion dhe kjo të jetë brenda Kosovës që quhet Republikë por nuk do të jetë shtet. Pra në kemi nxjerrë mësime nga e kaluara dhe e kemi studiuar dhe analizuar saktë Beogradin përveҫ se e njohim mirë nga përvoja jonë.         

Situata politike në Bosnje dhe Hercegovinë nuk duket mirë të paktën sipas përfaqësuesit ndërkombëtar atje, me shqetësime të shfaqura deri në rrezikun e shpërbërjes. Ndihet Kosova e rrezikuar nga zhvillimet në Bosnje e Hercegovinë, flas për ndonjë skenar, si ndarja e veriut?

Kurti: Kemi dy lavjerrësa të ҫuditshëm që e përshkruajnë situatën sesi po lëviz në Ballkanin Perendimor. Së pari kemi lavjerrësin që së pari na sulmojnë me Asociacionin e Komunave me Shumicë serbe dhe kur kjo nuk ecën atëherë dalin tek ajo që vërtetë duan, tek ndarja e Kosovës. Pra kemi disa javë asociacionin dhe disa javë çështjen e shkëmbimit të teritoreve që është ndarja e Kosovës dhe e kemi lavjerrësin tjetër ku Beogradi disa javë sulmon Sarajevën e disa javë sulmon Prishtinën. Pra, disa javë sulmon integritetin territorial të Bosnjes e Hercegovinës  e disa javë këtë ja bën Republikës së Kosovës. Pra këta janë dy lavjerrësat që i kemi aktualisht në Ballkanin Perendimor e të dy e kanë shkakun e tyre në Beograd. Në anën tjetër situata në Ballkanin Perendimor është një situatë në miniaturë e rrethanës së Federatës Ruse. Gjithçka e më shumë po tregon se Serbia në Ballkanin Perendimor po sillet sikurse Federate Ruse ku Republika Serbe në Bosnje po tenton të bëhet një Bjellorusi, ndërsa Malin e Zi dëshirojnë ta shndërrojnë në Ukrainë. Pra thelbi i ҫështjes është se Serbia nuk i pranon si shtete të vërteta shtetet që nuk janë në Bashkimin Evropian, pra Bosnjen e Hercegovinën, Malin e Zi, Kosovën e madje edhe Maqedoninë e Veriut, pra Serbia i konsideron si shtete të përkohshme dhe angazhohet me gjithë kapacitetin e saj për këtë.      

Ndikimi i Rusisë në rajonin e Ballkanit apo lufta e saj hibride tashmë është evidente jo vetëm në Ballkan por edhe në disa vende të Evropës siç kanë deklaruar vetë zyrtarë të lartë të NATO-s dhe BE-së. Sa është e përgatitur Kosova ta përballojë ndikimin e Rusisë, apo tashmë veçse është viktimë?

Kurti: Ne i kemi shpallur persona non grata dy zyrtarë rus në Kosovë dhe Kosova është shumë e mbrojtur nga  federata ruse për shkak të popullsisë së vendit tonë. Meqenëse populli i Kosovës është populli më kundërshtues i politikave dhe qajes së Federatës Ruse, nga të gjitha vendet tjera të Ballkanit. Edhe si institucione të shtetit po bëjmë maksimumin tonë gjithnjë në bashkëpunim me partnerët tanë ndërkombëtarë në veҫanti me BE-në NATO-n dhe SHBA-në. Ne konsiderojmë që Evropa është kontinenti ynë, BE-ja është fati ynë, ndërkohë që nga Federate Ruse ekzistojnë tendenca të vazhdueshme për ta dobësuar drejt rrënimit Bashkimin Evropian, për faktin që ashtu sikurse Serbia është nostalgike për Jugosllavinë kur e dominonte krejt këtë zonë dhe ku e kishte në vitet e 90-ta në krye Millosheviqin e armatën Jugosllave në dorë, edhe presidenti i Rusisë është nostalgjik për kohën e Bashkimit Sovjetik, kur forcat e tyre ndodheshin në Evropën Lindore dhe dirigjonin me qeveritë. Pra, ka një lloj hidhërimi, idhtësie të atyre që kanë shumë fuqi teksa janë nostalgjikë dhe këtu është një ngjashmëri tjetër, e cila natyrisht që e rrit rrezikun për Ballkanin Peredimor, mirëpo unë besoj që përpjekjet e tyre do të jenë të dështuara ne i njohim mirë, ne po përgatitemi dhe aleancat dhe partneritetet tona me perendimin janë të palëkundshme.           

Dy ditë më parë në Beograd u mbajt takimi i "Open Balkan”, me pjesëmarrjen e vetëm tri vendeve, Serbisë, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut. Kryeministri shqiptar, Edi Rama, duket shumë këmbëngulës në këtë ide. Pse jeni kaq kategorik, kundër "Open Balkan”. Çfarë të keqe ka për Kosovën lëvizja e lirë e njerëzve dhe e mallrave, duke e ditur se veçse qytetarët e Kosovës përballen me një izolim të lirisë së lëvizjes në Zonën Shengen?

Kurti: Ka një dallim themelor në këtë situatë meqenëse Serbia e pranon Shqipërinë si shtet, por nuk e pranon Kosovën dhe ky mospranim i Kosovës nga ana e Serbisë kthehet në diskriminim gjithandej për qytetarët tanë. Pra ndërsa një qytetar i Shqipërisë mund të udhëtojë me pasaportë në Serbi, kjo nuk vlen për një qytetar të Kosovës meqenëse neve nuk na pranohen dokumentet tona në Serbi. Pra, për t'u bërë Ballkani i hapur dhe i lirëduhet të ndryshojë njëherë Serbia. Nëse ne bashkëpunojmë me një Serbi, e cila nuk po ndryshon, kjo nuk do ta ndihmojë ndryshimin e Serbisë, përkundrazi inkurajimin e saj. Unë nuk i preferoj iniciativat që nuk i kanë brenda dhe tërë kohën Bashkimin Evropian. Ne i pamë aty tri shtete, tre përfaqësues të shteteve të Ballkanit Perendimor, mirëpo aty nuk qe askush nga Bashkimi Evropian. Ne e mbështesim procesin e Berlinit dhe tregun e përbashkët rajonal që ka dalë nga procesi i Berlinit e për të cilin nevojiten padyshim liritë e qarkullimit dhe kualifikimeve dhe të njohjes së diplomave profesionale e akademike, por është serish Serbia që nuk po e pranon një gjë të tillë për Kosovën. Në anën tjetër kur thuhet Ballkani i Hapur, i hapur për kë? Sepse ne do të duhej të ishim me Bashkimin Evropian, por jo të hapur për Federatën Ruse dhe Kinën. Në një farë mënyre kur thuhet i hapur, nga pikëpamja e Serbisë synohet që ashtu siҫ Serbia është e hapur për Federaten Ruse dhe Kinën, të bëhen edhe të tjerët në Ballkanin Perendimor. Pra ne kundërshtojmë një tendencë të tillë dhe në fund më duhet t'ju them që edhe personalisht si orientim politik dhe si ndjeshmëri kulturore, nuk jam në mesin e atyre liderve që besojnë në vetmjaftueshmërinë e Ballkanit. Po e ritheksoj që Evropa është kontinenti ynë, ndërsa Bashkimi Evropian është fati ynë.          

Cilat janë marrëdhëniet  e qeverisë suaj me qeverinë gjermane, kur mund të zhvilloni një vizitë zyrtare në Gjermani?       

Kurti:  Unë jam i interesuar që sa më parë kur të formohet qeveria e re gjermane të kem një vizitë atje. Gjermania është partneri ynë tregtar kryesor, po i shton investimet në Kosovë dhe Gjermania është vendi ku e kemi mergatën më të madhe dhe që sjell sasinë më të madhe të remitancave. Mbi 42 përqind e remitancave që vijnë në Kosovë në baza vjetore, vijnë nga bashkatdhetarët tanë në Gjermani. Kur kemi parasysh që Gjermania paraqet motorin e ekonomisë evropiane, padyshim që intensifikimi i bashkëpunimit tonë  mund të sjellë veҫse gjëra të mira. Me këtë rast nuk duhet harruar që kancelarja Merkel që tashmë ndodhet në fund të mandatit dhe të karrierës së saj politike siҫ e ka paralajmëruar, është mbase politikania kryesore e cila i ka kundërshtuar sukseshëm tendencat për ndarje të Kosovës nën petkun e të ashtuquajturit shkëmbim territorial dhe ka dhënë një kontribut të ҫmuar në vitet 2017-2018 dhe 2019.