1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Airbus shkurton 10.000 vende pune

1 Mars 2007

Tema më e komentuar në shtypin e sotëm janë planet për reformën financiare të koncernit evropian të avionëve Airbus. Temë tjetër që tërheq vëmendjen e analistëve është edhe tronditja e bursës në Kinë.

https://p.dw.com/p/ArlN
Airbus A380 ulet në Düsseldorf
Airbus A380 ulet në DüsseldorfFotografi: AP

Në artikullin e "Berliner Zeitung" lexojmë:

"Airbus-i do të shkurtojë mijëra vende pune për të përtërirë financat. Kjo tingëllon logjike në aspektin e politikës ekonomike. Por në të vërtetë nuk është kështu. Librat e porosive për avionin e ri të tipit A380 janë plot e për plot. Airbus-i megjithatë nuk është në gjendje të bëjë furnizimin. Çdo ekonomist në këto rrethana do të rekomandonte që të rritej tempoja e prodhimit për të përmbushur kërkesën. Nëse ka shkurtime kjo bëhet me kokëshkretësi. Tek Airbusi u vihet shqelmi fabrikave supermoderne dhe me efektivitet të lartë, siç është ajo në Saksoninë e Poshtme. Mos vallë ndodh kështu për shkak të burokracisë së madhe, ndërhyrjes masive të shtetit dhe mungesës së frymës së biznesit?"


Gazeta "Pforzheimer Zeitung" komenton:

"Të paktën nuk do të ketë ngurrim sa i përket ndarjes proporcionale të barrës. Nëse në Gjermani do të shkurtohet një vend, atëherë edhe në Francë do të shkurtohet një vend, kjo ishte direktiva politike dhe kështu ndodhi. Ata që janë përgjegjës kanë mundur kësisoj të ruajnë fytyrën. Pro kjo s´ndryshon asgjë për 10.000 punëtorët dhe nëpunësit që së shpejti do të mbeten pa punë dhe për të tjerë që e kanë të pasigurt të ardhmen."

Edhe komentatori i "Main Echo", gazeta e Ashafenburgut, i gjen shkaqet e problemit tek politika:

"Problemet tek Airbus dhe veçanërisht lidhur me projektin prestigjoz A380 nuk janë krijuar kryesisht prej kostove të larta të prodhimit, por për shkak të mangësive në menaxhim, gabimeve logjistike dhe ndërhyrjes së gjithanshme politike. Kjo e fundit madje është ajo që po ia vështirëson të ardhmen Airbus-it. E pra nuk do të ketë asnjëherë bashkëpunim paqësor dhe harmonik mes Gjermanisë dhe Francës. Ka ardhur koha, që politika të tërhiqet prej ndërmarrjeve të përbashkëta evropiane. Për aq kohë sa nuk do të ndodhë kjo, vështirë se mund të ketë efekt edhe reforma më radikale e rikuperimit të financave."

Mbi këtë temë edhe një citat nga komenti i "Kölnische Rundschau":

"Kjo reformë është e dhimbshme, por e domosdoshme. Ajo megjithatë përbën vetëm një hap të parë, sepse Airbus-i më në fund duhet që të shndërrohet në një ndërmarrje normale, e cila të jetë e detyruar kundrejt aksionerëve, të punësuarve dhe klientëve dhe jo ndaj politikës. Vetëm në këtë mënyrë koncerni do të mund të reagojë me dinamikë dhe vendosmëri në tregun e konkurencës me Boing dhe me pretendentët e tjerë nga Rusia dhe Kina. Nëse nuk ndodh kjo atëherë fiton peshë motoja që pas reformës ndodhemi para reformës."

Lidhur me goditjen që pësoi të martën bursa në Shangai me humbje të kurseve gazeta "Allgemeine Zeitung" e Maincit komenton:

"Mos vallë botën e zë rrufa kur Kina teshtin? Kështu mund të mendosh po të kesh parasysh valën e shokut që shkaktoi në botë rënia masive e kurseve të martën në bursën e Shangait. Bursianët me përvojë megjithatë janë të qetë, sepse në sfondin e ekonomisë botërore në bum s´ka rrezik për një tërmet global në bursa. Ajo që ndodhi jashtë Kinës, ishte vetëm marrje e fitimeve që u kish kaluar afati me kohë dhe asgjë tjetër. Por kjo nuk vlen për vet Kinën. Në këtë vend niveli i shumë ndërmarrjeve kurrësesi nuk i përgjgjet kursit marramendës të tyre, sepse 70 përqind e këtyre ndërmarrjeve sipas normave të një tregtari korrekt as që duhet të shkelin në parketin e bursës."

Ja se si komenton gazeta e Frankfurtit mbi Oder "Märkische Oderzeitung": "Eshtë e pasigurt nëse minigoditja në tregun e aksioneve në Kinë sinjalizon fundin e bumit në Evropë, Amerikë apo në Japoni. Korrektura në Lindjen e largët bazohet në faktorët e brendshëm kinezë. ... Por sidoqoftë ngjarja në Azi mund të shërbejë si paralajmërim për trazira të reja. Kjo atëherë kur të rritet ndërgjegja për rrezikun në tregjet financiare - pavarësisht nga hopi që po përjeton ekonomia botërore. ... Por nëse ndjekim një urtësi të vjetër të bursës, sipas së cilës nga perspektiva e tregut afatgjatë sërish do të ecë mbarë, atëherë Gjermania s´ka përse të shqetësohet tani për tani. Kapërcimi së fundi i vlerës së 7.000 pikëve i indeksit gjerman të aksioneve, DAX, ka pasur një bazë reale, fitimet e jashtëzakonshme të firmave, që janë shoqëruar me rritjen e kursit."