1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Ai është sërish dikush

6 Korrik 2018

Kryeministri hungarez Viktor Orban nuk i eleminoi dallimet e tij në politikën ndaj refugjatëve me kancelaren Angela Merkel. Por ndërkohë shumica e kryetarëve të qeverive të Evropës janë në anën e tij.

https://p.dw.com/p/30xz8
Deutschland Berlin Viktor Orban und Angela Merkel
Fotografi: Reuters/A. Schmidt

Për rreth tre vjet nuk ka qenë më Viktor Orbani te Angela Merkeli. Te Horst Seehoferi, kundërlojtari i saj brendapartiak në çështjet e migrimit ai është një mysafir i mirëpritur. CDU-ja e Merkelit dhe partia Fidesz e Orbanit janë pjesë e të njëjtit grup parlamentar në Parlamentin Evropian. Por përfytyrimet për politikat ndaj refugjatëve të të dy kryetarëve të qeverive që prej vjeshtës 2015 u distancuan thuajse diametralisht.

Këto ndryshime thelbësore kanë mbetur deri më sot. Në konferencën e përbashkët të shtypit të enjten, Merkeli tha "se duhet të mendojmë gjithmonë, që bëhet fjalë për njerëz, të cilët duan të vijnë tek ne". Për një kohë të gjatë Merkeli luftoi për një ndarje të drejtë të refugjatëve në të gjithë BE, madje kërcënoi edhe me pasoja financiare, po të mos merrnin pjesë të tjerët. Por qeveritë e të ashtuquajturit Grup i Vishegradit  - Hungaria, Polonia, Çekia dhe Sllovakia - e kundërshtojnë këtë deri sot në mënyrë kategorike.

Orbani ndihet i trajtuar në mënyrë të padrejtë. "Na lëndon, kur Gjermania na akuzon që nuk tregojmë solidaritet", tha ai në Berlin. Solidariteti sipas tij konsiston në faktin që policët hungarezë dëbojnë në kufi mijëra migrantë, që përndryshe do të vinin në Gjermani.

Era e ka ndryshuar drejtimin

Në përgjithësi Orbani dhe kryetarët e tjerë të qeverive të shteteve të Vishegradit ndërkohë ndihen të konfirmuar në çështjen e migrimit, më e vonta që prej samitit më të fundit javën e kaluar. Atje u bë fjalë thuajse vetëm për izolim. Orbani foli pas takimit për një "sukses madhështor" të tezave të tij. "Evropa po orbanizohet", ishte titulli në revistën "Der Spiegel". "Era në Evropë e kthehu drejtimin", shkruante me gëzim gazeta e afërt me qeverinë "Magyar Idök".

Kai-Olaf Lang i Fondacionit Shkenca dhe Politika në Berlin e konfirmon këtë përshtypje të ndryshimit të kohëve: "Disa nga shtetet e Evropës Qendrore u duk se në fillim qendronin në periferi, tani ata përfaqësojnë Mainstream (tendencën kryesore). Në fillim ata qenë minoritet, tani në thelb ata prezantojnë atë që mendon ndoshta shumica e shteteve anëtare."

Këtë të premte "Magyar Idök" konstaton e kënaqur: "Fakti që Merkeli e ka ftuar në Berlin Orbanin, është shumë qartësisht shprehje e pranimit të fitores politike (në mosmarrëveshjen për shpërndarjen e refugjatëve). Askush nuk do t'ua vërë gjermanëve në diskutim të drejtën që të pranojnë migrantë. Ne e respektojmë mënyrën liberale të të menduarit të Berlinit.(...) Ajo që kërkojmë ne është vetëm kaq, që edhe në Berlin të respektojnë përfytyrimet tona."

Më pak interes për sundimin e ligjit në Hungari

Ndryshimi i gjendjes politike në Evropë mund të lërë gjurmë edhe në fusha të tjera. Hungaria dhe Polonia ndodhen në bankën e të akuzuarve në Bruksel për shkak të politikës së tyre ndaj medieve dhe të drejtësisë. Komisioni i BE sheh këtu deficite të shtetit juridik. Historiani hungarez György Dalos i njohu Orbanit të enjten në televizionin WDR "aftësi nuhatëse taktike", sepse "Orbani e di se BE nuk do të ishte i interesuar sot që të kishte ndonjë konflikt të hapur me shumë vende të tjera." Edhe në këtë pikë Orbani mund të mbështetet me sa duket te Seehoferi, i cili thotë për kryeministrin hungarez "Unë nuk mund të njoftoj për dyshime, se ai nuk qëndron mbi tabanin e parimeve bazë të shtetit juridik".

Gjermania duhet t'i mbajë të gjithë bashkë

Kështu që Evropa ndahet jo vetëm për migrimin, por edhe në përfytyrimet e përgjithshme politike. Sipas vlerësimit të Langut, shtetet e Vishegradit përsa i përket politikës duan të kthehen "pas te rrënjët, kjo do të thotë tek një themel ekonomik që funksionon mirë, por më tepër në një drejtim të De Gaulle-t, në një "Evropë të atdheve", jo në një bashkim politik."

Por Langu beson se kundërpolet, pavarësisht refugjatëve, nuk janë patjetër "Evropa e Merkelit" dhe "Evropa e Orbanit", por më tepër "Evropa e Macronit" dhe "Europa e Orbanit". Në një kohë kur Presidenti francez kërkon ta drejtojë BE drejt Eurogrupit dhe kërkon ta mbrojë tregun francez të punës nga konkurenca e lirë e Evropës Qendrore Lindore, për shkak të "pozicionit të saj qendror" Gjermania gjithmonë i ka sytë edhe nga Lindja. Roli i Gjermanisë vërtet nuk duhet të jetë ai i ndërmjetësuesit, thotë Lang, por "rol i një aktori, i cili garanton kohezionin, që është në gjendje që të flasë me të gjithë dhe t'i marrë me vete të gjithë, edhe kur situata vështirësohet". Këtë duket se e ka përvetësuar kancelarja, megjithë dallimet në mendime me Orbanin.

 

Hasselbach Christoph Kommentarbild App
Christoph Hasselbach Analist, korrespondent dhe komentues i politikave ndërkombëtare