1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

AfD: Udhëheqje e re, luftëra të vjetra

Kay-Alexander Scholz
30 Nëntor 2019

"Alternativa për Gjermaninë" mblidhet në fundjavë në Braunschweig për Kongresin Federal të partisë. Më vëmendje priten vendimet të rëndësishme për partinë. Disa duan të heqin qafe fantazmat, që i kanë thirrur vetë.

https://p.dw.com/p/3TyQm
Deutschland AfD Parteitag in Magdeburg
Fotografi: Getty Images/R. Hartmann

Disa javë më parë, kryesia federale e partisë populiste të djathtë "Alternativa për Gjermaninë" (AfD) miratoi një dokument strategjik për të tërhequr shtresa të reja të votuesve. Sepse sukseset me mbi 20 përqind të votave, në zgjedhjet e fundit për lande, nuk mund ta fshehin faktin që mbështetja në mbarë vendin për këtë parti ka ngecur në rreth 15 përqind. AfD-ja gjen këtë shpjegim për këtë fakt: sepse partia nuk është "e distancuar sa duhet nga ekstremi politik i krahut të djathtë" shkruhet në dokumentin e strategjisë. Prandaj, është e nevojshme të punohet më intensivisht për një imazh më të moderuar. Në përputhje me këtë, AfD kohët e fundit e quan veten "të shtresës së mesme". A do të funksionojë kjo, do të dalë në pah edhe në Kongresin Federal të partisë në Braunschweig. Këtu do të rizgjidhen kryesia dhe bordi drejtues.

Në këtë rast, përballja me të djathtën nuk është vetëm veprim strategjik për AfD, por edhe një çështje ekzistenciale. Në fakt, që nga fillimi i vitit, pjesë të AFD-së po vëzhgohen më fort nga Shërbimi Informativ i brendshëm, Mbrojtja e Kushtetutës. Shqetësimi në parti është i madh që së shpejti mund të vëzhgohen të gjitha degët e partisë.

Tradita e krahut të djathtë

Po të shohësh historinë e partisë së themeluar në vitin 2013, fytyrat e reja në udhëheqjen e partisë kanë pasur gjithmonë të njëjtin efekt: partia është zhvendosur më tej në të djathtë në spektrin politik. Për AfD-në kjo nuk ka qenë problem - përkundrazi. Sepse në të njëjtin hap janë rritur edhe vlerat në sondazhe dhe rezultatet e zgjedhjeve; partia arriti të hyjë në parlamente.

Nën kryetarin e saj të parë, Bernd Lucke, AfD e shihte veten kryesisht si parti të ekonomisë, si kritike e politikës së atëhershme të shpëtimit të euros. Pastaj Frauke Petry e rrëzoi Lucken nga drejtimi - dhe mori përsipër udhëheqjen e partisë. Petry dihej se kishte më pak probleme sesa Lucke për kontakte me "skajin e djathtë". Por kur ajo deshi ta bënte partinë të aftë për koalicion, d.m.th., më të moderuar, nuk i eci. Alexander Gauland mori përsipër drejtimin. Petry u largua nga partia.

Gaulandi u tregua edhe më i hapur për "krahun" e djathtë, tashmë të konsoliduar të partisë. Vlerësohet se 30 deri 40 përqind e anëtarëve të partisë tani simpatizojnë me "krahun" nacionalist-patriot. Por shifra zyrtare nuk ekzistojnë.

Në fakt Gauland-i dëshironte të hiqte dorë nga posti i tij në kongresin federal të partisë dy vjet më parë. Bashkëthemeluesi i partisë, atëherë në moshën 76-vjeçare rikandidoi vetëm sepse donte të parandalonte një kandidate edhe më të djathtë, e cila arriti të mbledhë papritur simpatinë e delegatëve me një fjalim të sajin.

Pasardhës për Alexander Gauland-in

Tani përpjekja e dytë: Tino Chrupalla sipas planit do të pasojë Gaulandin. Ai është kandidati i tij i preferuar dhe për më shumë se një vit është përgatitur për këtë post. Shanset janë të mira. 44-vjeçari ka mbështetjen e "Krahut", pa bërë pjesë atje, siç thotë ai. Në zgjedhjet e Bundestag-ut Chrupalla fitoi një mandat të drejtpërdrejtë kundër kryeministrit të Saksonisë, Michael Kretschmer, të CDU-së konservatore. Në grupin parlamentar, ai ka postin e zëvëndësit dhe një reputacion të mirë.

Chrupalla bën pjesë në një brez të ri politikanësh të AfD-së nga Gjermania Lindore, të cilët - të forcuar nga rezultatet e mira të zgjedhjeve - ndihen shumë të sigurt dhe janë agresivë në zgjedhjen e fjalëve. Në fjalimin e tij në Bundestag me rastin e 30 vjetorit të rënies së Murit të Berlinit, ai e akuzoi Angela Merkel për aplikimin e "strategjive të dekompozimit" të mësuara në RDGJ. Merkelit sipas tij gjithashtu i mungon "dhembshuria dhe dashuria" për njerëzit e saj. Në vend të kësaj ekzistojnë tani "mikroagresione kundër gjithçkaje gjermane", kështu që sipas tij, një mur "anti-gjerman" e ndan Gjermaninë.

Padyshim që zgjedhja e tij nuk është punë e vendosur. Janë regjistruar edhe kundërkandidatë. Midis tyre është Gottfried Curio, "ylli i AfD në youtube", siç e quajnë mediat gjermane. Fjalimet e tij kryesisht kundër migrantëve prekin me sukses një nerv të bazës së AfD-së dhe sjellin trafik të lartë në mediat sociale.