Administrata në Shqipëri - ping-pongu i pandërprerë i politikës
2 Nëntor 2013Çdo katër ose tetë vjet një tufan politik i tipit “si ti mua edhe unë ty“ e trondit administratën publike në Shqipëri. Ndryshimi politik që kanë sjellë zgjedhjet parlamentare në 23 vite demokraci gjithmonë është shoqëruar nga ky tufan që ka kaluar së pari nga administrata, duke bërë largime e zëvendësime politike që nga nivelet më të larta të saj deri në ato më të ultat. Ndërsa ankthi për atë që do të ndodhë e paralizon administratën muaj para zgjedhjeve, me pasoja për funksionimin normal të shtetit shqiptar. Një përvojë, të cilën shqiptarët e kanë bërë me të dyja partitë që kanë pasur pushtetin, si socialistët ashtu edhe demokratët.
Një përvojë, të cilën së fundmi e përjetoi edhe drejtorja e Arkivit të Shtetit, Nevila Nika, e shkarkuar nga detyra në muajin tetor, një shkarkim, i cili u shoqërua me reagime të shumta, si nga politika ashtu edhe nga media në Shqipëri. Posti i drejtorit të Arkivit të Shtetit është kompetencë e kryeministrit shqiptar, megjithëse nëpunësi më pas gëzon statusin e nëpunësit civil. Nevila Nika, e cila e merr lajmin e shkarkimit përmes letrës që ia sjellin në zyrë dy punonjës të kryeministrisë, shprehet se zëvendësimi i saj është politik dhe pa asnjë argument profesional. “Nuk kam qenë mbështetëse e askujt, nuk kam milituar në asnjë parti, po jam munduar me përgjegjësi të lartë t'i shërbej Arkivit të Shqipërisë. Ndërsa ai që më zëvendësoi ishte një kryetar partie. Këtu bëhet fjalë për shkeljen e dinjitetit të njeriut, të shtetit dhe përdhosjen e nëpunësit. Kjo më hidhëron”, shprehet Nevila Nika për Deutsche Welle-n, duke theksuar se ajo është rritur në karrierë në Arkivin e Shtetit, si punonjëse nga viti 1974.
Kritika dhe reagime
Njoftimet dhe reagimet për zëvendësimet në administatë ka ditë që kanë mbushur faqet e shtypit shqiptar dhe debatet televizive. Opozita e re, Partia Demokratike ka protestuar disa herë publikisht duke i cilësuar këto ndryshime një valë spastrimi politik. Opozita demokrate ka hapur edhe një portal në faqen zyrtare online, përmes të cilit ajo u bën thirrje qytetarëve të denoncojnë largimet e padrejta nga administrata.
Oerd Bylykbashi, deputet i Partisë Demokratike në parlamentin e ri shprehet për Deutsche Wellen se kanë ardhur me qindra ankesa në portalin e Partisë Demokratike.„Ne e paralajmëruam këtë, ndërkohë tani kanë filluar shkarkimet masive në institucione të ndryshme, kërcënimet për dorëheqje, se nëse nuk bëhen dorëheqje do të merren masa disiplinore të rënda. Pritet që vala e shkarkimeve të vazhdojë dhe zëvendësimet po bëhen me njerëz që i kanë shërbyer konkretisht Partisë Socialiste.”
E përballur me akuzën e opozitës së re, ministrja për Inovacionin dhe Administratën Publike, Milena Harito shprehet se ajo përpiqet për një administratë profesioniste. Për momentin ajo nuk konstaton asnjë parregullsi. “Në përgjithësi barra e akuzës është e atij që akuzon, do të ishte shumë mirë që opozita të nxirrte emra, shifra, të fliste për atë çfarë ndodh. Unë vetë kërkoj personalisht një raportim javor për ndryshimet në administratë, dhe janë rreth 20 veta që janë larguar duke dhënë dorëheqjen. Nuk ka parregullsi të tjera. Opozita e gjykon me kutin e saj, le të themi me mënyrën si është sjellë vetë më parë dhe na akuzon ne për gjëra që ka bërë gjatë gjithë viteve të qeverisjes, por në mënyrë më masive në muajt e fundit.”
Një mollë e re sherri
Një debat i ndezur politik për një administratë që me kërkesë të vazhdueshme të Bashkimit Europian duhej të ishte e depolitizuar, e pavarur, profesioniste dhe stabël. Në progresraportin e fundit të Komisionit Europian ky ishte një ndër kriteret kryesore për hapat e tjerë të integrimit të Shqipërisë në BE. Në realitet administrata shqiptare është peng i politikës që me shumë vështirësi e gjen konsensusin për të miratuar ligje që do ta mbronin atë nga arbitrariteti. Një ligj i tillë, i njohur si “Ligji për statusin e nëpunësit civil” u miratua me konsensusin e forcave kryesore politike më 30 maj të këtij viti - Një shpresë e vërtetë për mbrojtjen e nëpunësit civil në të ardhmen dhe krijimin e administratës stabël, pasi ligji i vjetër i vitit 1999 gjithmonë ishte kritikuar në progresraportet e BE-së për Shqipërinë.
Por ky ligj, i cili vetëm teorikisht hyri në fuqi më 1 tetor, sepse efektet e veprimit të tij nisin më 1 prill është kthyer në mollën e re të sherrit mes mazhorancës dhe opozitës. Me një akt normativ, qeveria e re Rama e shtyu ligjin për gjashtë muaj me qëllim të plotësimit të tij me amendamente të reja të nevojshme. Për Oerd Bylykbashin nga Partia Demokratike shtyrja e ligjit është lojë e qëllimshme: “Ligji i ri ashtu si ishte jepte shumë garanci dhe e mbronte administratën nga humoret e politikës. Ndërsa tani ndodhemi para çudirash juridike. Ligji hyri në fuqi më 1 tetor, por efektet i fillon më 1 prill, kjo është antikushtetuese, e do të thotë që kemi në të njëjtin ligjin e ri që nuk vepron, dhe ligjin e vjetër juridik, pra ndodhemi përpara një kaosi juridik, i cili i shërben Partisë Socialiste vetëm për një gjë, spastrimin e administratës.”
Ministrja për Administratën, Milena Harito i cilëson akuzat e opozitës si zhurmë politike: “Ligji hyri në fuqi më 1 tetor, ashtu siç ishte parashikuar. Nga 30 maji deri më 1 tetor nuk ishte përgatitur asgjë që do ta bënte këtë ligj të zbatueshëm nga ana juridike. Çështja është një teknikalitet, efektet e ligjit u shtynë për pak muaj që të përgatiten aktet nënligjore. Opozita e sotme kishte 3 muaj e gjysmë kohë që të përgatiste këto akte nënligjore. Ndërkohë kur u bënë zgjedhjet ne nuk i dinim votat që do të kishim në kuvend dhe nuk kishim si të imagjinonim asnjë skenar nga ato që thotë opozita.”
Eksperti gjerman: Mosbesim i thellë
Përplasja e parë e fortë e qeverisë së re me një opozitë që e kushtëzon dialogun e mëtejshëm me ligjin për administratën. Në mes të të dyja palëve qëndron administrata shqiptare në një ping-pong të bërë tashmë traditë, edhe që ende nuk dihet se kur do të shpëtojë nga dara e politikës. Eksperti gjerman për Ballkanin Franz-Lothar Altmann sheh një lidhje mes antagonizmit të ashpër të partive në Shqipëri dhe zëvendësimeve në administratë. “Në Shqipëri palët politike kanë një mosbesim të jashtëzakonshëm ndaj njëra-tjetrës, në të njëjtën kohë ato duan të shpërblejnë edhe përkrahësit e tyre. Qeveria e re Ramës e merr si të mirëqenë që përkrahësit e PD-së do të punonin kundër saj, prandaj “spastrimi” shihet si një mënyrë për t'i dhënë orientim të ri politikës. Por një orientim i ri i vërtetë, në kuptimin cilësor do të ishte, po qe se punësimet e reja vërtet do të bëheshin me njerëz të zotë dhe jo nga libreza e partisë. Edi Rama mund të jepte kështu një sinjal të rëndësishëm brenda vendit, por do të rrezikonte që të humbiste përkrahës brenda radhëve të veta. Megjithatë në plan afatmesëm kjo do të sillte një përmirësim cilësor të administratës dhe këtë qytetarët do ta respektonin e në zgjedhjet e tjera do ta shpërblenin.”
Ndërkohë Nevila Nika nga drejtoreshë e Arkivit të Shtetit është sot një e papunë. Ajo shprehet se do ta ndjekë rrugën ligjore, por sipas saj: „Asnjë dëmshpërblim në pagë nuk e zhdëmton mënyrën e largimit tim nga posti.“ Avokati i Popullit, Igli Totozani megjithatë i inkurajon të gjithë ata që ndjehen të keqtrajtuar padrejtësisht në këto kohë t'i drejtohen gjykatave. “Ka zëra se ka sprastrime në administratë dhe ne po e ndjekim këtë çështje nga afër. Ne i ftojmë dhe u bëjmë apel të gjithëve të vijnë, ne i presim ankesat e tyre.”