1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Adidas, Nike, Puma: Kush do ta fitojë Botërorin?

Pandeli Pani14 Qershor 2014

Kampionati Botëror në Brazil nuk ka rëndësi vetëm për ekipet dhe lojtarët në fushë, por sidomos për prodhuesit e artikujve sportivë.

https://p.dw.com/p/1CI7U
Fotografi: picture-alliance/dpa

"Sigurisht Kupa e Botës ka një rëndësi shumë të madhe për ne dhe ne e përdorim këtë ngjarje për të tërhequr vëmendjen për produktet tona, qoftë me reklamat në anë të fushave apo në uniformat e sportistëve nga e gjithë bota" tha për DW-në zëdhënësi i Adidas Mangels. Ngjarjet e mëdha të futbollit si Kampionati Evropian apo tani Kupa e Botës në Brazil janë gjithmonë platforma të mëdha për artikujt sportivë, thotë edhe zëdhënësi i koncernit konkurrent nga SHBA, Nike, Olaf Markhoff: "këtë vit madje edhe më shumë për shkak se Nike ka pajisur ekipin brazilian dhe për këtë arsye, natyrisht fiton një vëmendje shumë të veçantë."

Nike është furnizuesi zyrtar i dhjetë prej ekipeve që marrin pjesë në kampionat. Përveç Brazilit në to bëjnë pjesë edhe Anglia, Holanda apo SHBA. Prodhuesi gjerman Adidas është furnizuesi i nëntë ekipeve, si Gjermania, Argjentina dhe Spanja. Si sponsor zyrtar dhe partner i FIFA-s Adidasi ka prodhuar edhe këtë herë topin zyrtar të ndeshjeve dhe pajis të gjithë gjyqtarët, fëmijët që dalin në fushë kur hyjnë ekipet si dhe ndihmësit vullnetarë.

Kombëtarja gjermane në Botërorin 2014
Kombëtarja gjermane në Botërorin 2014Fotografi: picture-alliance/dpa

Puma, gjithashtu nga Gjermania, e cila në botën artikujve sportivë renditet e treta, ka nën kontratë tetë ekipe. Ekipi më i spikatur është kampionia aktuale e botës Italia. Por në listën e pajisjeve mbizotërojnë ekipet afrikane. Kjo ka "arsye historike" shpjegon zëdhënësi i Pumës Ulf Santjer. "Ne jemi prej 15 vjetësh aktivë në kontinentin afrikan dhe furnizojmë atje dhjetë ekipe." Për Kampionatin në Brazil janë kualifikuar këtë herë Kameruni, Algjeria, Bregu i Fildishtë dhe Gana." Fanelat do të jetë shumë interesante," thotë Santjer, sepse për dizajnin kemi përdorur elemente specifike të vendeve. P.sh. në fanelat e ekipit të Bregut të Fildishtë kemi përfshirë elefantë.

Shpenzimet mbeten sekret

Për kostot e marketingut, të sponsorizimeve dhe të reklamave koncernet nuk flasin. Vetëm shefi i Adidas-it Herbert Hainer tha se kemi të bëjmë me një shumë dyshifrore që shkon në miliona. Por nëse këto shpenzime në fund ia vlejnë, natyrisht kjo nuk dihet , thotë në këtë kontekst Markus Voeth, profesor për marketingun në Universitetin e Hohenheimit. Prandaj shumë gjëra bëhen thjesht në mënyrë që t'i pritet rruga konkurrencës, thotë ai. Nike p.sh. i është kundërvënë vitet e fundit më fort dominimit të Adidas-it në futboll. "Për këtë shkak Adidas-it i lindi nevoja që për Kampionatin Botëror të Futbollit në Brazil të shpenzojë shumë për reklamat dhe marketingun," thekson eksperti.

Fanellat e Boterorit 2014 të Ganës, Rusisë, Japonisë dhe Bosnjes.
Fanellat e Boterorit 2014 të Ganës, Rusisë, Japonisë dhe Bosnjes.Fotografi: picture-alliance/dpa

Shumica e këtyre shpenzimeve bëhen për reklama në internet. "Ne nuk shpenzojmë pothuajse fare para për reklama të shtypura," thotë shefi i Adidas-it Hainer. Facebook, Twitter, YouTube dhe Instagram janë fushat ku zhvillohen sot beteja të nxehta për të tërhequr sa më shumë klientë.