1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Orientimi ekonomik i Gjermanisë drejt Indisë

Srivinas Mazumdaru
27 Tetor 2024

Kompanitë gjermane janë fokusuar prej kohësh në tregun kinez. Por India tani po bëhet gjithnjë e më e rëndësishme pas tensioneve midis Pekinit dhe Perëndimit.

https://p.dw.com/p/4mDab
Kancelari Olaf Scholz dhe kryeministri Narendra Modi shtrëngojnë duart mes vete para flamujve të Gjermanisë dhe Indisë
Kancelari Olaf Scholz dhe kryeministri Narendra ModiFotografi: Marvin Ibo Güngör/dpa/picture alliance

Udhëheqësit kryesorë të biznesit dhe politikanët gjermanë kanë shkuar në Indikëtë javë për një mbledhje të madhe ku do të kërkojnë mënyra për të forcuar më tej lidhjet ekonomike midis Gjermanisë dhekëtij rajoni të Azisë.

"Rajoni po bëhet gjithnjë e më i rëndësishëm për Gjermaninë dhe BE-në për shkak të ndryshimeve gjeopolitike dhe dëshirës në rritje për të diversifikuar”, tha për DW Friedolin Strack, kreu i tregjeve ndërkombëtare në Shoqatën e Industrive Gjermane (BDI). "Rëndësia në rritje është e dukshme në vlerën e eksporteve nga Gjermania në këtë rajon, sepse eksporti arriti në 214.6 miliardë euro (231.9 miliardë dollarë) në 2023," thotë ai.

Konferenca Azi-Paqësore e Ekonomisë Gjermane u hap zyrtarisht të enjten (24 tetor) në Nju Delhi. Ngjarja përkon këtë vit me konsultimet ndërqeveritare midis Gjermanisë dhe Indisë, të cilat do të bashkëkryesohen nga kancelari gjerman Olaf Scholz dhe kryeministri indian Narendra Modi.

Rritja e fokusit në Indi

Duke nënvizuar rëndësinë në rritje të Indisë për Gjermaninë, qeveria Scholz miratoi javën e kaluar një dokument të quajtur "Fokus në Indi", me qëllim forcimin e mëtejshëm të partneritetit strategjik midis dy palëve që mbulon të gjitha fushat e lidhjeve, duke përfshirë tregtinë, migracionin, klimën dhe politikën e jashtme.

Kancelari Olaf Scholz dhe kryeministri Narendra Modi duke ecur së bashku
Kancelari Olaf Scholz dhe kryeministri Narendra ModiFotografi: Marvin Ibo Güngör/dpa/picture alliance

Berlini miratoi gjithashtu një seri prej 30 masash për të inkurajuar imigracionin nga India në një përpjekje për të tërhequr punëtorë të kualifikuar për të mbushur boshllëqet në tregun gjerman të punës. Të premten, Scholz dhe Modi do t'u drejtohen qindra drejtuesve të biznesit që marrin pjesë në një konferencë biznesi në Nju Delhi. Mbledhja dyvjeçare vjen në një kohë kur ekonomia e Gjermanisë është në rënie dhe ka probleme me bizneset dhe kompanitë. Por kompanitë gjermane mbeten optimiste për perspektivat e tyre në Paqësorit aziatik.

Një sondazh i fundit nga Dhoma Gjermane e Tregtisë së Jashtme (AHK) dhe Dhoma Gjermane e Tregtisë dhe Industrisë (DIHK) tregoi një ndjenjë pozitive midis kompanive gjermane që operojnë në rajon, ndonëse optimizmi në Kinë nuk është si përpara.

Zvoglimi i varësisë nga Kina

Kina ka qenë prej kohësh fokusi kryesor i kompanive gjermane në Azi. Kompanitë gjermane të industrisë, veçanërisht në sektorët e automjeteve, makinerive dhe industrisë kimike, janë mbështetur tek kërkesat e gjigandit aziatik, që ka ndihmuar prodhimin dhe punësimin e mijëra punëtorëve të paguar mirë. Por ngadalësimi i zhvillimit ekonomik të Kinës i ka goditur rëndë këto kompani, duke i detyruar ato të ristrukturohen dhe të ulin kostot.

Rritja e tensioneve gjeopolitike midis Pekinit dhe Perëndimit ka rritur gjithashtu thirrjet për kompanitë që të zvoglojnë varësinë nga Kina dhe të diversifikojnë investimet dhe prodhimet e tyre. Si përgjigje, shumë kompani gjermane kanë filluar përpjekjet për të pushtuar tregje të reja.

"Gjatë 40 viteve të fundit, ekonomia gjermane është vendosur në tregun kinez dhe ka ndërtuar një rrjet kompleks dhe mirëfunksionues të zinxhirëve të furnizimit, rrugëve të prodhimit dhe kanaleve të shpërndarjes së prodhimeve," tha për DW Volker Treier, drejtues i DIHK.

Ministri Habeck në indi në bisedë me disa persona
Ministri Habeck në indiFotografi: Britta Pedersen/dpa/picture alliance

"Ky rrjet nuk mund të transferohet me lehtësi në tregje të tjera. Është gjithashtu e rëndësishme që rreth 90% e kompanive gjermane në Kinë prodhojnë për tregun kinez — kështu që ka një lidhje të ngushtë me tregun e brendshëm kinez," shtoi ai.

India paraqet mundësi dhe sfida

Megjithatë India po bëhet gjithnjë e më e rëndësishme për kompanitë gjermane, pasi ekonomia e saj po rritet me shpejtësi. Njëkohësisht tregtia midis dy palëve po rritet, duke arritur një rekord prej 30.8 miliardë euro në 2023.

Kompanitë gjermane planifikojnë të zgjerojnë investimet e tyre në Indi në vitet e ardhshme, të tërhequr nga kostot e ulëta të punës në këtë vend, stabiliteti politik dhe numri i mjaftueshëm i punëtorëve të kualifikuar", thuhet në studimin me titull "Perspektiva e biznesit Gjermani-Indi 2024".

Por kompanitë përballen edhe me sfida në tregun indian, thuhet në raport, duke përmendur ndër tjerash pengesat burokratike, korrupsionin dhe një sistem kompleks tatimor. "Pavarësisht këtyre sfidave, kompanitë gjermane janë të sigurta për perspektivat e tyre afatgjata në Indi. Ekonomia e Indisë pritet të rritet fuqishëm në vitet e ardhshme, ndërsa kompanitë gjermane janë të pozicionuara mirë për të përfituar nga rritja," thuhet në raport.

Friedolin Strack i BDI beson se India është një "treg jashtëzakonisht i rëndësishëm në rritje për industrinë gjermane". Kushtet e investimeve atje janë përmirësuar ndjeshëm vitet e fundit, për shkak të zgjerimit të infrastrukturës, disponueshmërisë së fuqisë punëtore të kualifikuar dhe adoptimit të shpejtë të teknologjive digjitale. Kompanitë gjermane janë shumë të interesuara të thellojnë përfshirjen e tyre atje”.

Ekspertët thonë se India nuk duhet të bëhet "Kina e re" për biznesin gjerman. "Nuk është asnjëherë ose/ose - tregtia globale nuk funksionon kështu". Bizneset gjermane duhet të promovojnë lidhje të forta ekonomike midis Gjermanisë dhe Indisë, por edhe Gjermanisë dhe Kinës.

Ministr i Punës Heil mban një fjalim në Indi
Ministr i Punës Heil është i interesuar për fuqinë punëtore nga IndiaFotografi: Christophe Gateau/dpa/picture alliance

Në anketat e kompanive gjermane të kryera nga DIHK thuhet se ato janë të vetëdijshme për rreziqet dhe përfitimet që lidhen me aktivitetet e tyre të biznesit në Kinë dhe Indi. "Por - të paktën tani për tani - rreziqet nuk duket se peshojnë më shumë se përfitimet," vuri në dukje Treier.

Vende të tjera tërheqëse në Azi dhe Paqësor

Shumica e kompanive gjermane që kërkojnë të zhvendosen jashtë Kinës zgjedhin të zhvendosin aktivitetet e tyre në vende të tjera të Azisë. "India, Japonia dhe Koreja e Jugut po përfitojnë veçanërisht nga ky trend. Në Azinë Juglindore, janë Tajlanda, Singapori dhe Vietnami," tha Treier.

"Megjithatë, zhvendosja reale e prodhimit nuk ka ndodhur ende", thotë ai duke shtuar se barrierat për zhvendosje, si kërkesat rregullatore, kostot e larta dhe vështirësitë në gjetjen e partnerëve të përshtatshëm të biznesit.

Strack tha se madhësia e tregut është e rëndësishme për kompanitë gjermane që kërkojnë tregje shtesë, së bashku me potencialin e tyre të rritjes. "Duke parë këta faktorë, Japonia, Koreja e Jugut dhe vendet e ASEAN-it janë veçanërisht tërheqëse për kompanitë gjermane”.