A ka nevojë Gjermania për një ligj imigracioni?
9 Janar 2015Asnjë temë tjetër nuk është kaq e debatueshme në partitë e unionit konservator të kritiandemokratëve dhe kristiansocialëve (CDU dhe CSU) sa tema e migracionit. Aq më shumë befasuese është në këtë kontekst nisma e ndërmarrë prej sekretarit të përgjithshëm të CDU-së Peter Tauber për një ligj imigracioni. "Nëse ne duam imigracion, që të mos jetë i imponuar nga tregu i punës, pra jo vetëm i përkohshëm, atëherë ne duhet të diskutojmë për një ligj imigracioni", i tha Tauber gazetës "Die Welt". Në ligj mund të përcaktohet, se "çfarë nevojash kemi për imigracionin, çfarë kriteresh duhet të plotësojë një imigrant - arsimim, aftësi dhe gatishmëri për të kontribuar këtu." Sipas Tauber, në ligj madje duhet të rregullohet edhe çështja e bashkimit familjar.
Kësisoj sekretari i përgjithshëm i CDU-së i kundërvihet me vetëdije të plotë lëvizjes islamofobe Pegida. Islami nuk duhet të dënohet në përgjithësi. "Eshtë i gabuar, përfytyrimi, se një mysliman nuk mund të jetë një qytetar i mirë gjerman", thekson Tauber. "Njerëzit jetojnë këtu, integrohen në shoqëri, kanë familje, ndërtojnë diçka, angazhohen për komunitetin - në rastin ideal ndodh kjo, por jo gjithmonë është kështu."
Vende të tjera migracioni janë më të avancuar se Gjermania, sepse ato ua komunikojnë imigrantëve të qenit pjesë e shoqërisë, mendon politikani i CDU-së: "Ti je njëri prej nesh. Ne duam që ti të identifikohesh me vendin tonë. Ne kemi nevojë për ty." Në këtë drejtim bëhet pak në Gjermani. Tauber megjithatë e ka parasysh tregun e punës. Për profesione të ndryshme ai parashikon përcaktimin e një kuote. "Ne qysh tani po diskutojmë, nëse p.sh. një mjek që vjen si refugjat, mund të qëndrojë."
Seehofer bllokon
Nisma e Tauber nuk gjen mbështetje tek partia simotër e CDU-së, CSU-ja. Kryeministri i Bavarisë dhe njëkohësisht kryetar i CSU-së, Horst Seehofer, vazhdon të jetë strikt kundër ligjit të imigracionit. "Ndryshe nga shumë shtete me një ligj migracioni, Gjermania bazuar në ligjin themelor ka të drejtën e azilit. Këtë ne nuk mund ta spostojmë me një ligj imigracioni", tha Seehofer në intervistë për gazetën "Leipziger Volkszeitung". Sipas tij kjo çështje është "diskutuar mijëra herë". Ai thotë, se nuk e kupton se pse megjithatë kjo temë vazhdimisht shtrohet sërish për diskutim. "Sa i përket imigracionit mund të rregullosh çfarë të duash me ligj, por gjithmonë e drejta e azilit do të ketë përparësi."
Krahas së drejtës për azil në Gjermani qysh nga viti 2005 ka një ligj imigracioni, që thuajse nuk u ofron mundësi për të jetuar e punuar në Gjermani të huajve, të cilët vijnë nga vende jo të BE-së. Zyrtarisht ai quhet "ligji për kontrollin dhe kufizimin e imigracionit si dhe rregullore e së drejtës së qëndrimit e integrimit për qytetarët e unionit dhe të huajt."
Socialdmeokratët kritikojnë AfD
Ndërsa CSU bllokon, partneri socialdemokrat (SPD) i koalicionit qeverisës e përshëndet propozimin e sekretarit të përgjithshëm të CDU-së për një ligj imigracioni. Nëse Tauber e propozon këtë, "SPD-ja është menjëherë e gatshme për bisedime" tha kryetari i grupit parlamentar socialdemokrat, Thomas Oppermann, në fillim të mbledhjes së grupit të tij parlamentar në Berlin. "Ne kemi në fakt nevojë për një ligj imigracioni dhe kjo temë është në qendër të mbledhjes së grupit tonë parlamentar".
Një ekspert i tregut të punës u ka bërë të qartë deputetëve në grupin parlamentar socialdemokrat, se çfarë pasojash mund të ketë nëse Gjermania heq dorë nga ligji i migracionit. "Ne duhet të zëvendësojmë çdo vit 400.000 punëmarrës, të cilët dalin në pension, duke punësuar të rinj", tha Oppermann. Ndaj SPD-aj është e gatshme të diskutojë për ligjin e migracionit dhe do të sjellë edhe propozime konkrete.
Oppermann kritikoi ashpër në këtë kontekst politikanin e partisë kundër Euros "Alternativa për Gjermaninë" (AfD) Alexander Gauland: Nëse ky mendon, se Pegida me paralajmërimet e saj për rrezikun e islamizimit të Perëndimit ka të drejtë, "atëherë ai i fut në një kallëp vrasësit e Parisit me imigrantët paqësorë myslimanë në Gjermani". Opermann tërheq vëmendjen, që Pegida dhe AfD duhet të kenë kujdes dhe "të mos nxisin urrjetje politike".
Ministri i Brendshëm: "Jo ndryshime të mëdha, por vetëm në detaje"
"Unë nuk e kundërshtoj një ligj imigrcioni, por ndërkohë ne e kemi një tillë", tha ministri i Brendshëm,Thomas de Maizière (CDU) në kuadër të mbledhjes së grupit bavarez të CSU-së në (09.01.2015) Wildbad Kreuth. "Ne kemi një ligj për të drejtën e qëndrimit", që rregullon tërheqjen e forcave të kualifikuara të punës për ekonominë ose qëndrimin për arsye humanitare. OECD e ka vlerësuar madje Gjermaninë si një vend me kushte të favorshme për imigracionin. Shumica e migrantëve vijnë në kuadër të rregullores për lëvizjen e lirë të forcave të punës brenda BE-së, tha më tej de Maiziere, duke shtuar, se në parim nuk është e nevojshme të vendosen rregulla të reja, përveç masave kundër abuzimit me lirinë e lëvizjes, të cilat ndërkohë janë përpiluar. Përmbledhtas u shpreh ministri nuk shoh "ndonjë nevojë për ndryshime të mëdha, përveçse disa detajeve". Në këtë mënyrë de Maiziere u shpreh kundër nismës së sekretarit të përgjithshëm të CDU-së Peter Tauber për një ligj imigracioni.