A janë në disfavor të Kosovës emrat e rinj drejtues në BE?
4 Korrik 2019Kosova i mirëpret emrat e rinj që do të drejtojnë Bashkimin Evropian. Megjithatë që tani në Prishtinë shihet një lloj skepticizmi, sidomos për rolin që mund të ketë në dialogun Kosovë-Serbi, shefi i ri i diplomacisë evropiane, ministri i Jashtëm Spanjoll Josep Borrell, që pritet të konfirmohet nga Parlamenti Evropian. Josep Borrell, 72 vjeç, pritet të rikthehet në krye të politikës së jashtme të BE-së, pasi ka shërbyer si president i Parlamentit Evropian nga viti 2004 deri më 2007.
Spanja nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, ndërsa, vetë zoti Borrell që pason italianen, Federica Mogherini, do duhet të lehtësojë dialogun Kosovë-Serbi në kuadër të një procesi ndërmjetësues nga Bashkimi Evropian. Ministri i Punëve të jashtme i Kosovës, Behxhet Pacolli, thotë se qeveria e Kosovës nuk beson që politika e jashtme e BE-së të varet nga origjina kombëtare e një vendi të BE.
Shpresa se politika e BE ndaj Kosovës nuk ndryshon
"Ne besojmë se nuk varet nga origjina kombëtare roli që dikush do të luajë në Bashkimin Evropian dhe politika e jashtme e Bashkimit Evropian varet nga shtetet anëtare, nga të cilat shumica e kanë njohur Kosovën. Presim që ne të vazhdojmë të forcojmë marrëdhëniet me BE edhe pse BE po kalon momente të vështira. Çelësi i marrëdhënieve tona mbetet liberalizimi i vizave, ku presim që BE të marrë vendimin, të vazhdojë dialogun me Serbinë dhe procesi i zgjerimit të mos ndalet”, tha Pacolli.
Kreu i diplomacisë kosovare megjithatë në reagimin e tij përmend Spanjën, vendin nga vjen Josep Borrell, e që nuk e njeh pavarësinë e Kosovës dhe madje në disa raste. Shembull është Samiti i Sofjes për Ballkanin Perëndimor, ku vetë Borell nuk ka pranuar të ulet në një tavolinë, ku ishte i ftuar edhe Presidenti i Kosovës.
"Kosova është një vend që synon të ketë marrëdhënie të mira me të gjitha vendet, përfshirë Spanjën. Ne i kemi kërkuar qeverisë spanjolle të njohë Kosovën dhe të mbështesë rrugën e Kosovës drejt konsolidimit ndërkombëtar dhe integrimit evropian. Fatkeqësisht, për shkak të arsyeve që nuk kanë të bëjnë me Kosovën, pozicioni spanjoll ka qenë një vijë e ashpër ndaj Kosovës. Ne presim dhe po punojmë me të gjithë aktorët dhe vendet për të forcuar marrëdhëniet e Kosovës me ta”, thotë Behxhet Pacolli.
Serbia e përshëndet ardhjen e Borrell
Në Serbi është pritur si lajm i mirë propozimi që ministri i Jashtëm i Spanjes Josep Borrell, të drejtojë diplomacinë evropiane e që rrjedhimisht do ta ndërmjetësojë edhe dialogun Kosovë-Serbi. Për presidentin serb, Aleksandar Vuçiq "emërimi i spanjollit, Josep Borrell si përfaqësues i lartë i BE-së për politikën e jashtme dhe sigurinë është një lajm i mirë për ne, por situata mbetet e vështirë. Nuk zgjidhet çështja e Kosovës me atë që keni një ose dy njerëz në anën tuaj", deklaroi Vuçiq në Beograd.
Në fillim të këtij viti, Josep Borrell ka qëndruar për një vizitë në Beograd, ku pati thënë se Spanja ka qenë kundër "shpalljes së njëanshme të pavarësisë së Kosovës” dhe se ajo "nuk do ta ndryshojë politikën ndaj Serbisë, kur bëhet fjalë për Kosovën”. Megjithatë, Borrell, tha, se u ka përsëritur udhëheqësve në Beograd që "vetëm përmes dialogut mund të arrihet tek zgjidhja e përhershme e kompromisit për çështjen e Kosovës”. Po një vit më parë Borrell është shprehur kundër shkëmbimit të territoreve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në vija etnike.
Ndryshim i boshtit në BE
Analistët politik në Prishtinë për emrat e rinj drejtues të Bashkimit Evropian japin vlerësime të ndryshme. Armend Muja, analist i tha DW-së, se "nominimet e reja për pozicionet kyçe të institucioneve të BE-së, reflektojnë ndryshim të boshtit të influencës në BE. "Spanja ka zënë vendin e Italisë krahas Francës dhe Gjermanisë”.
"Këto vende kanë qëllime të ndryshme në raport me Ballkanin, politikën e zgjerimit dhe çështjen e Kosovës. Qëndrimi francez kundër zgjerimit dhe qëndrimi spanjoll kundër pavarësisë së Kosovës e zbehin skajshmërisht influencën e BE-së në përgjithësi dhe në dialogun Prishtinë-Beograd në veçanti”, thotë Armend Muja. Sipas tij, për Serbinë është një gjë pozitive sepse, Josep Borrell, ka autoritet dhe është i mirëpritur në Serbi.
"Z.Borrel ka autoritet në Serbi që mund të jetë pozitive. Megjithatë, një përfaqësues nga një vend që nuk njeh dhe ashpërsisht është kundër pavarësisë së Kosovës, vetëm do ta zbehë edhe më tutje dyshimet e politikës kosovare ndaj BE-së. Influenca e BE-së është pothuajse jorelevante për të imponuar një zgjidhje Kosovë-Serbi. Kësaj i ka kontribuar luhatja e fjalëve në lidhje me liberalizimin e vizave. Në këtë situatë, zërat kosovarë në favor të SHBA-së do të rriten e dyshimet në raport me BE-në do të thellohen”, thotë Armend Muja.
Shpresat tek Ursula von der Leyen
Me shpresa shihet ardhja e mundshme në krye të Komisionit Evropian, e një gjermaneje, Ursula von Der Leyen. Muja shprehet se ajo është një figurë shumë adekuate në këtë kohë. "Von Der Leyen është një nga figurat me adekuate në këtë kohë. Ajo e njeh mirë Kosovën dhe rëndësinë e aleancës Perëndimore. Roli i saj mund të jetë vendimtar për të siguruar një urë lidhëse në çarjen evidente transatlantike, e cila manifestohet edhe në Kosovë”, shprehet analisti Muja.
Bisedimet Kosovë-Serbi me ndërmjetësimin e BE-së kanë nisur qysh në vitin 2011. Janë nënshkruar një sërë marrëveshjesh por, shumica nga to kanë mbetur pa zbatim, vetëm në letër. Së fundi BE-ja dhe SHBA-së po kërkojnë një marrëveshje gjithpërfshirëse Kosovë-Serbi ligjërisht të obligueshme në mënyrë që të dyja vendet të normalizojnë raportet. Por taksa e vendosur nga qeveria e Kosovës për produktet serbe, si kundërmasë e Prishtinës ndaj politikës agresive të Serbisë në raport me Kosovën ka bërë që dialogu të ndërpritet tash e më shumë se një vit.