Do të shtyhet vizita e Trumpit në Britaninë e Madhe?
12 Qershor 2017Presidenti i SHBA, Donald Trump i tha kryeministres britanike, Theresa May se ai nuk ka dëshirë ta vizitojë Britaninë e Madhe "derisa publiku britanik ta mbështesë ardhjen e tij", bëri të ditur gazeta e përditshme britanike The Guardian. Sipas burimit, Trump ka thënë në një bisedë telefonike me May-n se nuk dëshiron të bëjë një vizitë zyrtare, nëse kundër tij do të ketë protesta masive.
Pak pasi u bë i ditur ky lajm, qeveria britanike u përgjigj duke thënë se planet për vizitën shtetërore të Trumpit nuk kanë ndryshuar.
"Nuk do të komentojmë spekulimet për përmbajtjen e bisedave private telefonike. Mbretëresha i ka dërguar një ftesë Presidentit Trump për ta vizituar Mbretërinë e Bashkuar dhe këto plane nuk kanë ndryshuar," tha zëdhënësja e May-it.
Theresa May ishte udhëheqësja e parë që e takoi Trumpin pas ardhjes së tij në pushtet në janar. Gjatë vizitës së saj zyrtare, ajo i bëri Trumpit një ftesë zyrtare për të vizituar Britaninë e Madhe.
Një vizitë që nuk mirëpritet?
Që prej ardhjes në pushtet të Trumpit, shumë vetë në Mbretërinë e Bashkuar e kanë kundërshtuar vizitën e tij potenciale në këtë vend. Në janar, një peticion kundër vizitës shtetërore të Trumpit arriti të mbledhë më shumë se një milion nënshkrime, disa ditë pas dorëzimit të ftesës zyrtare Trumpit.
"Donald Trumpi duhet të lejohet të hyjë në Mbretërinë e Bashkuar në kapacitetin e tij si kryetar i qeverisë së SHBA, por ai nuk duhet të ftohet për një vizitë zyrtare shtetërore, sepse do ta vinte në pozitë të vështirë madhërinë e saj Mbretëreshën", thuhej në peticion.
Në qershor, si reagim ndaj komenteve nënçmuese të Presidentit të SHBA për një atentat terrorist vdekjeprurës, kryetari i Bashkisë së Londrës, Sadiq Khan i bëri thirrje qeverisë britanike që ta anulojë vizitën e Trumpit. "Politikat e tij shkojnë përtej gjithçkaje që mbështesim ne", tha kryetari i Bashkisë së Londrës. Megjithatë, ministri i Jashtëm britanik, Boris Johnson konfirmoi se vizita do të bëhet, megjithë konfliktin me publikun. AUD