1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

A do të ketë zgjedhje para zgjedhjeve në Serbi?

10 Mars 2021

Ka kohë që në Serbi po flitet për zgjedhjet opozitare para zgjedhjeve zyrtare, të cilat i ka inicuar organizata joformale e Kuvendit të Serbisë së Lirë. Po çfarë do të thotë kjo?

https://p.dw.com/p/3qO43
Serbien Wahl 2020 | Belgrad
Fotografi: Getty Images/AFP/A. Isakovic

Ithtarët e idesë besojnë se me këto zgjedhje opozita do të arrinte një komunikim më të mirë me votuesit dhe do të zgjonte interesimin e tyre për pjesëmarrje në jetën politike. Paraardhësit e kësaj ideje i gjejnë në zgjedhjet paraprake amerikane (primaries), por më afër Serbisë është veprimi i opozitës në Hungari, e cila arriti të fitojë kryeqytetin hungarez Budapestit, pasi u dakordua për një kandidat të përbashkët. Në Serbi, ideja e zgjedhjeve para zgjedhjeve është përqendruar tek kandidati për kryetarin e bashkisë në Beograd, megjithëse po flitet edhe për një kandidat të përbashkët të opozitës për zgjedhjet e ardhshme presidenciale.

Ide e mirë por vështirë e realizueshme

Opozita është ende mjaft e heshtur për këtë ide. Shumica e të interesuarve pajtohen se kjo është një ide e mirë, por nga ana tjetër ka zëra që thonë se opozita duhet të merret më shumë me kushtet e zgjedhjeve, sesa me këtë ide. Megjithëse rasti i Hungarisë është një shembull i mirë, vëmendja tërhiqet gjithashtu nga ndryshime të rëndësishme: kryetari i bashkisë së Budapestit u zgjodh drejtpërdrejt dhe partitë e opozitës që nuk ishin të kënaqur me kandidatin e atëhershëm nuk emëruan kandidatin e tyre.

"Gjëja kryesore është se kundërshtari i kandidatit opozitar në zgjedhjet e Beogradit do të jetë në fakt vet presidenti Aleksandar Vuçiq, i cili do të jetë bartësi i listës, e jo kandidati për kryetar bashkie i Beogradit, Goran Vesiq, Zoran Radojiçiq apo dikush tjetër nga Partia Përparimmtare Serbe (SNS)", thotë për DW, politologu Boban Stojanoviq.

Serbien Diskriminierung von jungen Menschen
Politologu Boban StojanoviqFotografi: DW/Jelena Djukic Pejic

Shumë analistë nënvizojnë se pjesëmarrja në zgjedhjet para zgjedhjeve në Hungari ka qenë shumë e ulët. Por opozita serbe mund të mësojë nga ky shembull dhe duhet të kuptojë sa i rëndësishëm është bashkimi. "Unë mendoj se në vend të bashkimit ekziston rreziku që opozita të përçahet edhe më shumë, sepse për suksesin e një ideje të tillë është e nevojshme të punojmë së bashku, të bëjmë një marrëveshje për mos-sulmime, e në këtë moment nuk e shoh opozitën të jetë e aftë ta bëjë këtë", thotë Boban Stojanoviq.

Promovimi i kandidatëve të rinj

Drejtori ekzekutiv i CESID-it Bojan Klaçar beson se përpjekja për të gjetur një kandidat të përbashkët të opozitës mund të çojë vetëm në ndarje edhe më të mëdha brenda opozitës. "Në vend të kësaj, nëse realizohet kjo ide, ato duhet të përdoren për të promovuar disa njerëz të rinj. Pra, po flas për shumicën. Përveç kësaj, këto zgjedhje duhet të shërbejnë për të motivuar dhe mobilizuar votuesit. Por, gjëja më e rëndësishme është që këto zgjedhje duhet të jenë të organizuara në mënyrë të shkëlqyeshme. Nëse nuk është kështu, kjo vetëm mund të dekurajojë edhe më shumë votuesit e opozitës dhe të çojë në një rezultat edhe më të keq të opozitës", thotë Klaçar.

Dallime e (pa)kalueshme

Mundësia që disa parti të opozitës të mos pranojnë rezultatet e zgjedhjeve paraprake të kandidatëve, me shpjegime të ndryshme, përmendet edhe si një rrezik i mundshëm. "Specifika e skenës politike serbe, dhe një rrezik shtesë, është se këtu ka parti të cilat zyrtarisht i takojnë opozitës, por janë të afërta me pushtetin", thotë Klaçar.

Serbien Wahlen | Feier an der Parteizentrale der SNS
Fotografi: Imago Images/Xinhua/P. Milosavljevic

"Kur flasim për opozitën serbe, kemi në mendje të paktën njëzet, në mos më shumë parti, të cilat kanë dallime shumë të mëdha mes tyre në raport me qeverinë. Ne kemi parti që janë më të përcaktuara për nivelin nacional e patriotik, si dhe parti me orientim evropian. Ndaj zgjedhje të tilla para zgjedhjeve janë një sfidë shumë e madhe", tërheq vëmendjen drejtori ekzekutiv i CESID.

Sabotimi i pushtetit

Shtrohen po ashtu disa pyetje teknike, si për shembull, nëse listat zyrtare të votuesve mund të përdoren për zgjedhje të tilla joformale dhe cilat janë aftësitë logjistike të opozitës për të organizuar vendvotime për përcaktimin e kandidatëve. Për më tepër, është mjaft e sigurt që qeveria sigurisht nuk do të rrinte duarkryq dhe me qetësi të vëzhgonte parazgjedhjet e opozitës. Vetëm mund të paramendosh, se cilat janë metodat për sabotimin e zgjedhjeve të tilla nga ky pushtet, i cili reagon madje edhe ndaj mesazheve në Twitter, e të mos flasim për zgjedhje që mund ta rrezikojnë pushtetin".

Bashkëbiseduesi ynë beson se pjesëmarrja në zgjedhje të tilla do të ishte shumë e vogël. Sipas tij, në Beograd nuk do të votonin as 5.000 njerëz, e në të gjithë Serbinë ndoshta 6.000 më shumë. Ideja është me të vërtetë e mirë, pohon Stojanoviq. "Por në një situatë, kur ju keni një parti hegjemonike, kur opozitës i mungon ideja e unitetit si në Hungari, në një vend ku më i sigurt është të jesh kriminel sesa aktivist i opozitës, unë me të vërtetë mendoj se kjo ide është e parealizueshme. Mendoj se opozitën do ta dëmtonte më shumë sesa do t'i sillte dobi".