1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Zypern Teilung

11 Janar 2011

Kancelarja gjermane Angela Merkel po zhvillon sot për herë të parë një vizitë në Qipro. Në qendër të bisedimeve në Nikosia është konflikti mes banorëve turq dhe grekë të këtij ishulli. A do të mbetet Qiproja e ndarë apo

https://p.dw.com/p/zwFf
Hartë e Qipros
Hartë e QiprosFotografi: AP

Qiproja është e ndarë në dy pjesë në Qipron e Veriut dhe Republikën e Qipros në jug që prej vitit 1974. Asokohe trupat turke zbarkuan në pjesën veriore të Qipros për të mbrojtur - sikurse pretendonte qeveria e Ankarasë- popullsinë turke prej nacionalistëve greko-qipriotas.

"Në botën e jashtme njerëzit nuk e kuptojnë se ç'mendojmë ne kur themi "Qiproja Veriore," - thotë Ceren Kayıkcı, 21 vjeç, studente e psikologjisë në Middle East Technical University në pjesën veriore të Qipros.

"Jashtë vendit Qipron e perceptojnë veëtm nga perspektiva e pjesës jugore. Kur jam jashtë vendit dhe them se jam turke qipriote njerëzit me pyesin shpesh të habitur, pse jetojnë edhe turq atje?" - shton Ceren Kayıkci.

Situata nuk do të ndryshojë shpejt

Udhëtimi jashtë vendit nuk është i lehtë, sepse nga i ashtuquajturi aeroport ndërkombëtar i Qipros së Veriut ka fluturime vetëm për në Turqi. Për këtë shkak Ceren Kayıkci përdor aeroportet e pjesës jugore. Meqenëse prindërit e saj kanë lindur në Qipro, ajo përveç letrës së njoftimit të Qipros së Veriut ka edhe një pasaportë të Republikës së Qipros, e cila është anëtare e BE-së.

"Ndonjëherë një gjë e tillë, pra të përdorësh herë njërin dhe herë tjetrin dokument është tepër e vështirë, të duket sikur nuk ke identitet, sikur nuk i takon vërtet ndonjë shteti.“

Me sa duket situata e ndërlikuar e Qirpos së ndarë nuk do të ndryshojë shpejt, edhe pse përfaqësuesit e të dy grupeve etnike kanë rifilluar bisedimet që prej dy vjetësh.

Pyla, njëri nga pak fshatat e përzier etnikisht në Qipro
Pyla, njëri nga pak fshatat e përzier etnikisht në QiproFotografi: AP

Problemi është që shumë të rinj qipriotë shpesh nuk mund ta përfytyrojnë dot një jetë të përbashkët në një komb të përbashkët, sepse ata e njohin Qipron vetëm si ishull të ndarë. Gazetari turko-qipriot Aral Moral ka kohë që merret me këtë fenomen:

"Mes të rinjve të të dy anëve ka ndonjëherë edhe këmbime, por këto janë përjashtime. Unë mendoj se përpara zgjidhjes politike kemi patjetër nevojë për një zgjidhje sociale, për masa të krijimit të besimit reciprok. Zgjidhja politike më duket pjesa më e lehtë.“

Ngjashëm mendon edhe 38-vjeçari Doğu Erdener, asistent-profesor në Middle East Technical University në Güzelyurt të Qipros Veriore nuk besoj se konflikti në Qipro do të zgjidhet shpejt.

"Dikur mendoja se do ta përjetoja ribashkimin para se të bëhesha 40. Po realiste më duket, të themi ... 140!“

Autor: Steffen Wurzel/Pandeli Pani

Redaktoi: Auron Dodi