1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

A është Bundeswehri tërheqës për ekstremistët e djathtë?

5 Maj 2017

Rasti i togerit të dyshuarit si ekstremist i djathtë, Franco A, ka prishur qetësinë në politikën dhe ushtrinë gjermane. A është ushtria gjermane e infektueshme nga ideologjia e djathtë?

https://p.dw.com/p/2cOrk
Frankreich  Illkirch-Graffenstaden Bundeswehr Soldaten vom Jägerbataillon 291
Fotografi: Getty Images/AFP/F. Florin

Ministrja gjermane e Mbrojtjes, Ursula von der Leyen po vepron në mënyrë shumë ofensive për sqarimin e rastit të oficerit Franco A. i cili planifikonte të kryente një atentat, duke u maskuar si refugjat. Mënyrën si po vepron ministrja, shumë vëzhgues e quajnë veprim me vend. Por ndaj mënyrës së saj të veprimit ka edhe kritika . Për shembull Rainer Arnold, zëdhënës për politikën e Mbrojtes i Grupit Parlamentar të SPD në Bundestag. "Një epror nuk duhet ta sulmojë në mënyrë masive aparatin e tij", thotë ai.

Imazhi që Bundeswehri është i infektueshëm nga orientimet politike të djathta nuk i ndahet ushtrisë gjermane, që prej themelimit, në vitin 1955. Dhe kjo nuk është për t'u çuditur: edhe në fund të viteve 50, u punësuan 300 oficerë të SS-ve, të trupës së partisë së Hitlerit. Më shumë se 12.000 oficerë të Wehrmachtit qenë oficerë aktivë në ushtrinë e re gjermane që mori emrin Bundeswehr. Kjo vlen edhe për më shumë se 40 gjeneralë, që më parë kishin qenë pjesë e ushtrisë së Hitlerit. 

Trashëgimia naziste

Mbi Bundeswehrin rëndoi pra që në krye trashëgimia naziste. Prandaj edhe koncepti i ri për ushtarin, si "qytetar në uniformë" qe një koncept me të cilin njerëzit nuk ndiheshin rehat. Nën ministrin e Mbrojtjes, Franz-Josef Strauß (CSU, 1956-1962) kazermat morën emra të personaliteteve naziste. Përfaqësuesit e rezistencës kundër Hitlerit të 20 korrikut 1944 konsideroheshin "tradhëtarë".

Bundeswehr Soldaten in Tarnanzug
Fotografi: Getty Images/P. Guelland

Çështja e krimeve të luftës ishte një temë në masën më të madhe tabu. Në vitet 1960, "përmbushja me ndërgjegje e detyrimit" konsiderohej si virtyti më i lartë për të gjithë ushtarët. I ngarkuari për Arsimin i Forcave Tokësore të Bundeswehrit, gjenerali Heinz Kast, deklaronte ende në këtë kohë se "liria dhe demokracia" nuk janë vlert përfundimtare. Me këtë përshtatej kritika në rritje për "kontrollin parlamentar" të tepruar të ushtrisë.

Ishin shkollat e larta të Bundeswehrit ato që patën detyrën që në vitet 1970 për ta frenuar frymën e vjetër ende të gjallë. Por brezi i parë i oficerëve ende të rinj i kundërshtoi reformat dhe zhvillonte diskutime polemike kundër politikës së shtensionimit të Kancelarit Willy Brandt (SPD).

A ka një rrjet ekstremist të djathtë në ushtri?

Me sa duket, Bundeswehri mbetet deri sot tërheqës për ekstremistët e djathtë. Herë pas here zbulohen raste. Në shumicën dërrmuese të rasteve bëhet fjalë për të ashtuquajtura vepra penale propagandistike: thirrje "Heil-Fitore" ose vizatime të kryqit të thyer nazist. Sipas Zyrës së Kundërzbulimit Ushtarak, MAD, mendësia e djathtë është e përhapur në trupa më tepër midis 18-25 vjeçarëve. Ata i tërheq para së gjithash përdorimi i armëve dhe struktura e drejtimit në ushtri. Por neonazistët që bien në sy nuk mund të përjashtohen pa e zgjatur nga ushtria. Ekstremizmin e djathtë të tyre duhet ta konfirmojnë gjykatat.

Por tani, shuma e të gjitha "zbulimeve" ka bërë që eprorja më e lartë e Bundeswehrit, ministrja gjermane e Mbrojtjes, Ursula von der Leyen, të anulojë vizitën e saj në SHBA. Një reagim i pazakontë dhe sinjal për seriozitetin e gjendjes. Ndërkohë nuk përjashtohet më që në ushtrinë gjermane të ketë depërtuar një rrjet ekstremist i djathtë. Tani ministrja do të merret energjikisht me këtë problem në trupa.