1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

800 vetë në Festën e Tetorit, festën tradicionale bavareze të birrës, në Tiranë

4 Tetor 2010

Gjermanë dhe shqiptarë e shohin atë si një mundësi shumë të mirë për të njohur kulturën e njëri-tjetrit dhe rritur bashkëpunimin. Tetori Gjerman në Tiranë u organizua nga Dhoma Gjermane e tregtisë dhe Industrisë, DIHA

https://p.dw.com/p/PTkh
Gjermanë e shqiptarë argëtohen në festën e birrës në Tiranë.Fotografi: DW

Ritmet e këngës së famshme popullore ”Rosemunde”, që njihet ndryshe edhe si “Polka e fuçisë së birrës”, elektrizuan ambientin, edhe pse në Tiranë, për fat të keq nuk kishte një fuçi birre prej druri, që të rrokuliset si në Bavari. Ky është i dyti vit që Dhoma Gjermane e Tregtisë dhe Industrisë në Shqipëri, (DIHA) organizon Festën e Tetorit. Anette Kassten, Sekretare e DIHA-s, ndihet shumë e lumtur, kur thotë se këtë vit numri i pjesëmarrësve është dyfishuar. Ajo tregon, se si lindi ideja për të bërë traditë organizimin e Festës së Tetorit në Tiranë.

Oktoberfest in Tirana Albanien
Në botë zhvillohen 2000 festa si kjo.Fotografi: DW

“Festa e Tetorit ështe tani një nga produktet më të mira të eksportit të Gjermanisë. Në të shkuarën ka qënë një festë lokalë në Bavari dhe në Mynih, por me kalimin e kohës u bë një festë për gjithë Gjermaninë, që mban gjallë traditën bavareze. Është një rast që Dhomat Gjermane të Industrisë dhe të Tregëtisë në të gjithë botën të promovojnë shërbimet e tyre dhe çfarë u ofrojnë njërëzve. Këtë vit, që përkon edhe me 20 vjetorin e bashkimit të Gjermanisë, në botë zhvillohen 2000 festa si kjo këtu në Tiranë. Shqiptarët e pëlqejnë, vijnë me miq, familjet e tyre, partnerë në biznes, argëtohen dhe krijojnë lidhje të reja. Ky është edhe thelbi i Festës së Tetorit, October fest.” Bashkë me argëtimin-kontakte për biznes.

Një djalë i ri merr pjesë për të dytën herë në Octoberfest. “Më pëlqen, sepse këtu mund të njohësh njerëz, të krijosh lidhje biznesi”, thotë ai në mikrofonin e DW.

Michael Alber, president i Shoqatës ekonomike gjermano-shqiptare, me seli në Berlin, ka ardhur enkas për të marrë pjesë në Festën e Tetorit, në Tiranë. “Mendoj që kjo ngjarje është shumë tërheqëse. Ajo është një shembull kuptimplotë për marrëdhëniet dypalëshe, jo vetëm ekonomike, por edhje në njohjen e kulturave dhe mbi bazën e njohjes dhe në rritjen e mëtejshme të bashkëpunit dhe më shumë investimeve.” thotë Michael Alber.

Oktoberfest in Tirana Albanien
Pjesëmarrësit argëtohen dhe krijojnë lidhje të reja.Fotografi: DW

Kështu mendon edhe Anduena Stefan, Drejtore Ekzekutive e Kompanisë gjermano-shqiptare ”Spring”, anëtare e DIHA-s, që merret me marketing, menazhim biznesi dhe konsulencë. Ajo thotë se pjesëmarrja e jashtëzakonshme prej 800 vetësh nuk ka nevojë për koment. “Kjo pjesëmarrje tregon interesin në rritje si për të vendosur kontakte me biznesin gjerman, ashtu edhe për të njohur më shumë aktivitetet e tij në Shqipëri dhe anasjelltas. Atmosfera është shumë komplementare, sepse e mundëson dhe e lehtëson komunikimin mes dy kulturave duke krijuar mirëkuptim të ndërsjelltë”, thekson Anduena Stefan.

Pika takimi mes kulturës së dy popujve.

Nëse do të kërkonim një rast për të parë, se si Festa e Tetorit e lehtëson komunikimin, ky do të ishte ai i valltarit virtuoz të valleve popullore shqiptare, solistit Rexhep Çeliku, në Ansamblin e Këngëve dhe Valleve Popullore të Shqipërisë. Pas ekzekutimit mjeshtëror të një valleje popullore bavareze, ai thote se mes dy popujve ka ngjashmëri.

“Gjermanët kanë festën e birrës, ne kemi festën e rakisë. Kemi shumë gjëra të përbashkëta me gjermanët. Edhe në festivale të artit popullor, ku Ansambli ynë ka debutuar në vende të ndryshme të botës, kemi komunikuar shumë mirë me artistët gjermanë”, thotë Rexhep Çeliku.

Ngjyra ballkanike në Octoberfestë-n e Tiranës.

Tirana Fanfara
Përzierje e muzikës tradicionale gjermane, me atë shqiptare dhe ballkanikeFotografi: DW

Komunikimi kulturor në Festën e Tetorit në Tirane i kapërcen kufinjtë mes dy popujve. Ai shtrihet në komunikimin mes Gjermanisë, Shqipërisë dhe Ballkanit. Këtë dimension i dha Fanfara e mirënjohur e Tiranës, me interpretimin e muzikës popullore ballkanase dhe të artistit të mirënjohur serb, Goran Bregoviç. Heinz Suhr, menaxher i kompanisë gjermane Draeger, thotë: “Është një përzierje e shkëlqyer e muzikës tradicionale gjermane, me atë shqiptare dhe ballkanike. Kjo festë na sjell më pranë njëri tjetrit, të dëgjojmë muzikë, të diskutojmë, të rrisim bashkëpunimin.”

Autor: Ani Ruci

Redaktoi: Angjelina Verbica