1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

65.000 vetë në koncertin kundër racizmit

3 Shtator 2018

Pas trazirave dhe demonstratave në Chemnitz, kultura në Gjermani po angazhohet kundër racizmit. Në qytetin sakson këngëtarët u zhvillua një koncert ku morën pjesë rreth 65.000 vetë, nën moton "Ne jemi më shumë".

https://p.dw.com/p/34CuJ
Deutschland, Chemnitz: Konzert gegen Rassismus
Fotografi: picture-alliance/dpa/S. Willnow

Të hënën (03.09) grupe të njohura muzikantësh gjermanë dërguan një sinjal kundër racizmit, urrejtjes kundër të huajve dhe dhunës me koncertin gjigand të zhvilluar në Chemntz, ku morën pjesë 65.000 vetë. Nën moton "Ne jemi më shumë" koncerti u zhvillua në një atmosferë të qetë, theksoi policia. 

Prej ditësh në Chemnitz ka pasur demonstrata të forcave djathtiste, neonazistëve, dhe kundërprotesta. Shkak u bë vdekja e një 35 vjeçari gjermano-kubanez, para më shumë se një jave gjatë një feste në këtë qytet. Si të dyshuar janë arrestuar një irakian dhe një sirian. Të shtunën u zhvilluan demonstrata, ku përballë 8000 personave të orientuar nga e djathta qëndruan 3000 kundërshtarë të tyre. Mes tyre ka pasur përplasje, 18 vetë u plagosën, tre policë. 1800 nëpunës policie ruanin rendin në Chemnitz, mbështetje erdhi edhe nga landet e tjera gjermane.

Deutschland, Chemnitz: Konzert gegen Rassismus Auftritt Toten Hosen
Fotografi: Reuters/H. Hanschke

Duhet të mbikqyret AfD?

AfD zhvilloi po ashtu në fundjavë një marshim të heshtjes si shenjë proteste për ngjarjen në Chemnitz, ku mori pjesë edhe lëvizja antiislamike dhe armiqësore ndaj të huajve, Pegida. Ky marshim i AfD-së krah Pegidas ka ndezur debatin për kalimin edhe më djathtas të AfD-së.

Aktualisht po diskutohet nga politikanë të ndryshëm kërkesa për mbikqyrjen e AfD-së nga Mbrojtja Kushtetuese e Gjermanisë. Por ministri i Brendshëm gjerman, Horst Seehofer nuk sheh aktualisht bazën për një mbikqyrje të përgjithshme të kësaj partie. Ndërsa zëvendëskryeministri i landit të Saksonisë dhe ministër i Ekonomisë, Martin Dulig, (SPD) i tha gazetës "Welt" se me marshin e pikëllimit kjo parti ekstremiste e djathtë synon të bëjë "ideologji dhe propagandë."

Deutschland, Chemnitz: Konzert gegen Rassismus
Fotografi: picture-alliance/dpa/S. Willnow

Minitri i Jashtëm gjerman, Heiko Maas ka bërë thirrje për më shumë angazhim kundër racizmit. Gazetës "Bild am Sonntag" ai i tha se "në shoqërinë tonë është përhapur një rehati për fat të keq që duhet ta tejkalojmë. Duhet të ngrihemi njëherë edhe nga divanët dhe ta hapim gojën." Edhe kryeministri i Saksonisë, Michael Kretschmer (CDU) shprehu dëshirën që qytetarët të bëjnë më të qartë rezistencën e tyre kundër pozicioneve radikale të djathta.

 

la/(dpa, epd, afp)