1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

30 milionë njerëz jetojnë si skllevër

Klaus Jansen/Bahri Cani22 Tetor 2013

Rreth 30 milionë njerëz jetojnë sot në kushte skllavërie. Kështu thuhet në një studim të bërë publik dhe të mbështetur nga miliarderët. Qëllimi i studimit është eliminimi i skllavërisë.

https://p.dw.com/p/1A3zw
Fotografi: picture-alliance/ZB

Luisa ishte vetëm 14 vjeçe kur u rrah nga tutori i saj, deri sa i ra të fikët. Ajo megjithatë mundi të ikë nga ky person, i cili një vit më parë edhe e kishte dhunuar. Pastaj ajo mëson se familja e saj ishte vrarë në Afrikë. Tutori i saj i thotë në telefon se ai i kishte dërguar vrasësit. Një fat i tmerrshëm, por jo i rrallë i një skllaveje moderne.

Vajza nga Afrika vjen në Gjermani me shpresë se do të shkojë në shkollë. Kështu i kishte premtuar një burrë, që kishte ardhur në fshatin e saj. Meqenëse jetimja duhet të luftojë çdo ditë për të mbijetuar, pranon. Por me të ardhur në Gjermani është detyruar të merret me prostitucion. "Unë jam betuar në fillim se nuk do të shkoj në polici", i thotë ajo një gazetareje të Radios Gjermane Deutschlandfunk. Ajo megjithatë kishte vendosur të shkojë në polici, por kishte probleme shumë të rënda me gjakderdhje, të cilat zgjasnin për tre vite me radhë.

30 milionë të prekur

Luisa jeton tani në një program për mbrojtjen e dëshmitarëve në jug të Gjermanisë. Koha e skllavërisë ka kaluar, por vlerësohet se në botë ka aktualisht rreth 30 milionë njerëz, që jetojnë në një skllavëri moderne. Ata nuk mund ta gëzojnë lirinë, kontrollohen dhe shfrytëzohen prej të tjerëve. Studimi "Global Slavery Index 2013" i organizatës së re "Walk Free Foundation" paraqet të dhëna të detajuara.

Profesor Kevin Bales
Profesor Kevin BalesFotografi: privat

Në veçanti në Afrikë dhe Azi shumë njerëz jetojnë në kushte skllavërie. Në vendet e para janë India, Kina, Pakistani dhe Nigeria. Por edhe Rusia është në mesin e tyre. Studimi bën të qartë se skllavëri moderne ka në të gjitha kontinentet dhe vendet e botës. Proporcionalisht me numrin e banorëve, vendin e parë e zënë Mauritania, Haiti dhe Pakistani, për faktin se në këto vende ka më së shumti edhe martesa të adoleshenteve.

Llojet e skllavërisë janë të ndryshme, shpjegon autori kryesor Kevin Bales, në një bisedë me DW. Shfrytëzimi seksual në Rusi, trafikimi me njerëz në Moldavi, shfrytëzimet në Brazil, mungesa e shtetit juridik në disa pjesë të Kongos, puna e dhunshme në Kinë, skllavëria e skajshme në Indi, apo katastrofat e mëdha njerëzore në Haiti, janë vetëm disa nga problemet e mëdha, që kërkojnë zgjidhje. "Një zgjidhje e përbashkët për të gjitha këto probleme nuk ka, por secili duhet të zgjidhet më vete", pohon Bales.

Gjenda e rëndë faktike

Autorët pohojnë se në Gjermani rreth 10.500 njerëz jetojnë në kushte skllavërie. Kevin Bales pranon se është shumë vështirë të gjesh shifra të sakta. "Shumë shpesh ka dhe krime të fshehura, ndaj është shumë vështirë të gjesh shifrat", shpjegon ai dhe shton: "Skllavëria është si një epidemi. Nëse presim të gjitha të dhënat e sakta, njerëzit do të vazhdonin të jetonin në kushte skllavërie dhe më në fund do të vdisnin. Askush nuk do të ndihmonte."

Organizata për ndihmën e fëmijëve, Terre des Hommes në Gjermani, i gëzohet parimisht shifrave të bëra publike prej organizatës "Walk Free". Ekspertja për të drejtat e fëmijëve Barbara Küppers vlerëson përkufizimin e ri më të gjërë të skllavërisë, të bërë në këtë studim. "Këtu si skllavëri shihen të gjitha gjërat, me të cilat një person detyrohet, si për shembull martesa me detyrim. Mendojmë se kjo është pozitive", pohon ajo.

Prostituta në Bangkok
Prostituta në BangkokFotografi: Bear Guerra

Qeverive u bëhet thirrje në këtë studim që të paraqesin të dhëna të sakta për skllavërinë. "Shumë qeveri nuk e dinë se për çfarë bëhet fjalë", thotë Barbara Küppers. Kjo vlen edhe për shtetet industriale, si Gjermania.

Punën e tyre nuk e kanë kryer si duhet as Organizata Ndërkombëtare për Punë e OKB-së. "Ajo nuk ka mjaft para për të nisur të paktën disa projekte kundër shfrytëzimit njerëzve", mendon Küppers. "Walk Free Foundation" mbështetet prej miliarderëve. Një zëdhënëse thotë se organizata është themeluar prej manjatit australian Andrew Forrest, ndërsa mbështetet mes të tjerësh dhe nga Bill Gates, apo Richard Branson.

Barbara Küppers thotë se duhet shikuar me vëmendje, se cilat janë qëllimet e organizatës. "Është me rëndësi që të paraqiten kërkesa ndaj qeverive, por nuk duhen harruar as shumë sektorë ekonomikë", pohon ajo.

"Skllavëria të bëhet e rrallë si kanibalizmi"

Kevin Bales bën të ditur se së shpejti mund të ketë dhe raporte të tjera, me qëllim që të arrihen sa më shpejt sukese në luftën kundër skllavërisë. "Besoj se së shpejti do të ketë një indeks tjetër, i cili do t'u drejtohet sipërmarrjeve të ndryshme", thotë Bales. "Global Slavery Index" në formën e tanishme duhet të nxirret çdo vit.

Punëtorë ndërtimi në Doha Katar, kushte skllavërie
Punëtorë ndërtimi në Doha Katar, kushte skllavërieFotografi: Karim Jaafar/AFP/Getty Images

Qëllimi është që numri i skllavëve modernë të ulet nga 30 milionë në disa mijëra dhe kjo sa më parë, mbase brenda 30 vitesh. "Skllavëria duhet të jetë aq e rrallë sa edhe kanibalizmi. Pra diçka aq e rrallë, sa të shokojë njerëzit, kur të paraqitet donjë rast", pohon ai.