10 Dhjetor - Dita Ndërkombëtare e të Drejtave të Njeriut
10 Dhjetor 2022Në Ditën Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut, Luise Amtsberg e ngarkuara e qeverisë gjermane për të drejtat e njeriut është shprehur se "të drejtat e njeriut në të gjithë botën ndodhen në presion të madh, liria e shprehjes dhe ajo e shtypit po kufizohen. Hapësirat e veprimit për shoqërinë civile po reduktohen. Arritjet e të drejtave të barabarta po pësojnë kthim pas, të drejtat individuale në favor të të drejtave kolektive të grupeve po vihen në pikëpyetje". Këtë deklaratë e ngarkuara e qeverisë gjermane e bëri me rastin e Ditës Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut. (10 dhjetor).
"Jo pa ndëshkim"
"Pasojat e sulmit antihuman rus kundër Ukrainës, lëvizja e guximshme e protestës në Iran apo debati për Kampionatin Botëror në Katar janë tre situata, ku të drejtat e njeriut diskutohen me të drejtë edhe në Gjermani në mënyrë të gjerë", sipas Amtsberg. Ajo që është e përbashkët për vatrat kritike të të drejtave të njeriut në botë është "nevoja që ata që janë përgjegjës për shkeljen e të drejtave të njeriut të nxirren edhe para përgjegjësisë." Të gjithëve u duhet bërë "pa asnjë ekuivok e qartë" se shkeljet e të drejtave të njeriut nuk mbesin pa ndëshkim."
Sipas vlerësimit të Amtsberg, në vitet e ardhshme krizat në drejtim të shkeljeve të të drejtave të njeriut nuk kanë për t'u pakësuar në vitet e ardhshme. Qeveria gjermane do të japë kontributin e saj "për të mbrojtur institucionet ndërkombëtare kundër sulmeve, për të mbrojtur më mirë aktivistet e aktivistët e të drejtave të njeriut dhe për t'i dhënë të drejtave të njeriut në marrdhëniet tona ekonomike një rëndësi edhe më të madhe", bëri të ditur politikanja e gjelbër.
la/wa/ack (dpa, kna)