Nobeli në Kimi i jepet treshes nga SHBA dhe Danimarka
5 Tetor 2022Çmimi Nobel i këtij viti në Kimi shkon për tre studiues: Carolyn Bertozzi dhe Barry Sharpless nga SHBA dhe Morten Meldal nga Danimarka.
Ata nderohen për kërkimet e tyre në fushën e kimisë bioortogonale dhe kimisë së klikimeve, njoftoi Akademia Suedeze e Shkencave të mërkurën. Ata u nderuan për zhvillimin e metodave për ndërtimin e qëllimshëm të molekulave.
Sharpless e merr çmimin Nobel për herë të dytë, hera e parë ishte në vitin 2001.Carolyn Bertozzi, e cila ishte lidhur në linjë të drejtpërdrejtë me gazetarët në Stockholm përmendi si dy fushat kryesore të përdorimit të studimeve të saj, eksplorimin biologjik dhe mundësinë për të transportuar medikamentet në vendin e duhur.
Java e çmimeve Nobel
Bertozzi është gruaja e parë e cila nderohet me çmimin Nobel në vitin 2022. Një ditë më parë, Akademia Mbretërore e Nobelit kishte bërë të njohur laureatët e Nobelit të sivjetshëm në fizikë: Alain Aspect, John Clauser dhe Anton Zeilinger. Ata u nderuan për kërkimet e tyre në fushën e mekanikës kuantike, siç njoftoi Akademia Suedeze e Shkencave të martën në Stokholm. Ata kanë arritur njohuri novatore me eksperimentet e tyre me grimca që bashkohen me njëra-tjetrën edhe pse nuk kanë qenë kurrë me njëra-tjetrën.
Të hënën, Akademia e Nobelit në Stokholm shpalli fituesin e çmimit Nobel në mjekësi: shkencëtarin suedez Svante Paabo. Ai u nderua për zbulimin e sekreteve të ADN-së së Neandertalit. Hulumtimet e tij kanë sjellë njohuri të rëndësishme për të kuptuar sistemin tonë imun, argumentoi juria.
Pääbo edhe më parë ishte nderuar me çmime të shumta kombëtare dhe ndërkombëtare. Në vitin 1992 atij i ishte dhënë çmimi gjerman Leibniz, një nga çmimet më të njohura të shkencës në botë.
Të enjten pritet shpallja e çmimit Nobel në Letërsi, ndërsa të premten, çmimi Nobel për Paqen, dhe të hënën, më 10.10. në ekonomi. Paratë vijnë nga trashëgimia e lënë nga krijuesi i çmimit, shpikësi suedez Alfred Nobel, i cili vdiq në 1895. Çmimet Nobel kanë vlerë prej 10 milionë korona suedeze (rreth 900,000 dollarë) dhe do t’u dorëzohen laureatëve më 10 dhjetor. Ceremonia e sivjetshme do të mbledhë edhe nobelistët e viteve 2020 dhe 2021, për të cilët nuk pati ceremoni të madhe për shkak të pandemisë së koronavirusit.
ash/ ag