1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

041009 Nürnberg Menschenrechtspreis

5 Tetor 2009

Çmimi u dorëzua të dielën 4.10., por fituesi i tij nuk erdhi në Nuremberg. Ai nuk lejohet të largohet nga Irani. Natën duke gdhirë 2.10. atij iu muar pasaporta dhe leja e udhëtimit në aeroportin e Teheranit.

https://p.dw.com/p/Jxpy
Nga ceremonia e dhënies së çmimit të Nürnbergut për të drejtat e njeriutFotografi: DW

Qysh vjeshtën e kaluar juria ndërkombëtare e Çmimit të Nurembergut për të Drejtat e Njeriut u shpreh që me këtë çmim të nderohet avokati iranian Soltani. Asokohe nuk mund të parashikohej se çfarë peshe do të fitonte kjo temë. Pas zgjedhjeve presidenciale në qershor mbajtësi i çmimit, ashtu si edhe shumë kritikë të tjerë të regjimit përfundoi në burg. Kryebashkiaku i Nurembergut Ulrich Maly pas këtyre zhvillimeve e ndjen të konfirmuar vendimin e marrë nga juria:

„Këto treguan, se është edhe më e rëndësishme që me këtë çmim vlerësohet një aktivist i të drejtave të njeriut nga Irani, kësisoj ne i mbetemi besnikë motos "Drita e opinionit të drejtohet atje, ku në errësirën e vëmendjes ndërkombëtare ndodhin shkelje të të drejtave të njeriut.“

MENSCHENRECHTPREIS VERLEIHUNG 2009 Nürnberg
Skenë nga protestat në IranFotografi: DW

Çdo ditë në Iran arrestohen njerëz. Arsye për këtë ka shumë. Iraniania, që jeton në emigracion, Farifteh Tavakoli, ka qenë vetë në burg, sepse autoritetet kërkonin vëllain e saj. Kjo ka ndodhur para 27 vjetësh. Sot mund të futesh në burg për shkak të një palë pantallonave xhins, thotë ajo:

„Janë punëtorë, të cilët prej pesë apo gjashtë muajsh nuk kanë marrë më rrogë. Janë njerëz, të cilët duan të kenë të organizuar një sindikatë normale, në mënyrë që të fitojnë të drejtat e tyre. Të gjitha këto janë të ndaluara në Iran. Pra mjafton që si student të kesh ndonjë dëshirë dhe menjëherë bëhesh anti-islamist dhe ata i japin të drejtën vetes të të arrestojnë, kështu kaq thjeshtë ndodh kjo në Iran."

Aq më tepër fiton peshë çështja që avokatë mbrojtës pranojnë të mbrojnë të drejtat e këtyre të burgosurve. Mbajtësi i çmimit të Nurembergut, Abdulfattah Soltani, ka mbrojtur udhëheqës të opozitës dhe familjen e gazetares iraniano-kanadeze Sarah Kazemi, e cila në korrik 2003 vdiq në një burg të Teheranit. Ai vetë ka qenë tri herë në burg për muaj me radhë, pjesërisht pa asnjë kontakt me botën e jashtme. Së fundi autoritetet e burgosën atë pa i dhënë të dhëna mbi arsyet.

Kryebashkiaku i Nurembergut ka shkruar një sërë letrash proteste në adresë të autoriteteve iraniane. Politikanë të nivelit federal nga Nurembergu kanë zhvilluar bisedime me përfaqësues të ambasadës iraniane dhe në fund të gushtit Sultani më në fund u lirua me një kaucion në vlerën 85.000 euro.

MENSCHENRECHTPREIS VERLEIHUNG 2009 Nürnberg
Masoume Dehghan, bashkëshortja e Soltanit me kryebashkiakun e Nürnbergut. Autor: Mitra ShodjaieFotografi: DW

Në Nuremberg çdo dy vjet takohen për dhënien e çmimit personalitete të qytetit dhe nga qarqet ndërkombëtare të mbrojtësve të të drejtave të njeriut: nobelistë paqeje, punonjës të OKB-së, profesorë me reputacion ndërkombëtar. Në ceremoni vijnë gjithashtu edhe laureatë të mëparshëm të çmimit si p.sh. nga Ruanda, Meksika apo Pakistani. Hans Hesselmann nga zyra e të drejtave të njeriut në Nuremberg ndien të vlerësohet puna e organizatës së tij:

„Tashmë kjo është kthyer në një lloj takimi familjar. Për mua kjo është një shenjë shumë e bukur. Për punën tonë kjo është një mbështetje e madhe morale, që tregon se aktivitetet tona janë në rrugë të drejtë.“

Nurembergasit e festuan çmimin e të drejtave të njeriut të dielën (4.10.)me një piknik popullor në qendër të qytetit. Në 500 tavolina birrarie qytetarët me prejardhje të ndryshme u njohën me njëri-tjetrin dhe hëngrën së bashku ushqime të sjella nga gjithësecili, specialitete këto nga vende të ndryshme.

Autor: Ulrike Lefherz/Vilma Filaj-Ballvora

Redaktoi: Angjelina Verbica